A e kemi Qeverinë që e meritojmë?

A e kemi Qeverinë që e meritojmë?
  • 06 October 2015 - 09:29

Shkruan: Florim Zeqa

Politikanë që nga hiçi u bënë milionerë

Si asnjëherë më parë, tani është koha që ta largojmë të keqen që na ka mbërthyer

Njerëzit e politikës në Kosovën e sotme shikohen me ironi nga popullata, janë bërë sinonim i së keqes. Për fat të keq, shumë aktivistë, veprimtarë politikë dhe atdhetarë të devotshëm janë duke u djegur nën hijen e këtyre kusarëve politikë

Pas përfundimit të luftës, e në veçanti pas rishpalljes së pavarësisë, ka pasur aq shumë pohime, në të njëjtën kohë mohime të asaj çka është thënë, saqë edhe kritikët më të mëdhenj e kanë pasur të vështirë për t'i bërë analizë proceseve nëpër të cilat kemi kaluar, për shkak të veprimeve kontradiktore dhe lojës së madhe me fjalë.

Pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, ndjenja e të qenit çlirimtar i vendit ishte e pakufishme, në shumë raste e tejkalonte arsyen, dilte përtej realitetit, gjë e cila kishte çuar edhe në rritjen enorme të numrit të çlirimtarëve, eprorëve, komandantëve, saqë nuk dihej më kush në të vërtetë është çlirimtari e kush abuzuesi i tij.

Aq shumë "gjeneralë" na dolën nga lufta e fundit, saqë edhe ushtritë më të fuqishme të rajonit nuk do mund t'i krahasonin numrat e gjeneralëve me këto figura të uniformuara ushtarake.

Po ashtu, pas shkuarjes në amshim të liderit të LDK-së, presidentit historik Ibrahim Rugova, të gjithë nga brendia këtij subjekti politik dhe jashtë tij filluan të thirren në filozofinë e tij politike, në vlerat e tij humane, siç ishin; durimi, afrimi, bashkëpunimi, dialogu, toleranca...nga të cilat jo që nuk trashëguan asgjë, por që janë larguar aq shumë nga ai vizion, saqë më nuk i ngjajnë aspak asaj vazhdimësie.

Oponentët përulen para shtatores së Rugovës 

Lojë të marrëzishme me fjalë dhe veprime kontradiktore bëri edhe oponenca rugoviane. Ata që deri dje u munduan ta "hanë" për së gjalli Rugovën, u shndërruan  në përulësit dhe lëpirësit më të mëdhenj të mermerit mbi varrin e tij.

Thënë me një fjalë, u bënë më rugovistë se rugovistët e vërtetë (më papë se papa) !

Pra, dëmi më i madh këtij vendi i erdhi nga papërgjegjësia e liderëve partiakë, nga lakmia e madhe për pushtet dhe privilegje, nga sharjet e fyerjet qe i bënin njeri-tjetrit gjatë fushatave zgjedhore, të cilat çdo herë i kthyen  në martesa (koalicione) të panatyrshme paszgjedhore, duke shkelur mbi të gjitha parimet, duke i mohuar të gjitha pohimet e tyre gjatë fushatës, për t’u bërë bashkë për të "mirën" e vendit, duke lënë në harresë të plotë popullin që deri dje paturpësisht e përçanë.

Patriotizmi është dashuria ndaj atdheut, besnikëria, gatishmëria  e të qenit në shërbim të popullit dhe vendit në çdo rrethanë kohore e politike, duke mos kursyer asgjë nga vetja, sepse atdheu është mbi të gjitha, është i shenjtë dhe i pazëvendësueshëm. 

Patriotët e rrejshëm

Historia jo shumë e largët e popullit shqiptar na tregon  mirë se si patriotët e vërtetë gjithmonë kanë sakrifikuar gjithçka nga pasuria e tyre për popull e për atdhe deri te më e shtrenjta-jetën e tyre.

Ndërsa tek "patriotët" e sotëm çuditërisht ka ndodhur e kundërta e saj. Jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, duke e shfrytëzuar fatkeqësinë e popullit të tyre u pasuruan skajshmërisht, nga hiçi u bënë milionerë.

Duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve me qëllim të marrjes së primatit të çlirimtarëve e shpëtimtarëve të kombit, u bënë shkelësit më të mëdhenj të gjakut të dëshmorëve dhe martirëve  të Kosovës.

Në vitet e 90-ta, udhëheqësit politikë, veprimtarët e patriotët ishin sinonim i së mirës, admiroheshin e respektoheshin aq shumë nga populli, trajtoheshin si idhuj, për faktin se kemi pasur një lidership të përgjegjshëm (Ibrahim Rugova), kur pushteti moral ushtrohej në tërë territorin e vendit, karshi një okupimi të egër e barbar serb.

Politikanët e pasuruar janë ngritur aq lartë saqë popullin nuk e shohin dhe dëgjojnë më, po mendojnë se janë bërë vetë-Zoti. Ata që vetën e krahasojnë si të tillë, vërtet  vlejnë shumë pak, janë më pak se njerëz!

 Sinonim i së keqes

Si rezultat i kësaj, njerëzit e politikës në Kosovën e sotme, shikohen me ironi nga popullata, janë bërë sinonim i së keqes. Për fat të keq, shumë aktivistë, veprimtarë politikë dhe atdhetarë të devotshëm janë duke u djegur nën hijen e këtyre kusarëve politikë.

Përgjegjësia bie mbi vetë popullin, që e mbajti kaq gjatë në pushtet një klasë të kriminalizuar, të korruptuar dhe të shantazhuar politikisht nga ndërkombëtarët! Një fjalë e urtë italiane thotë; "Çdo vend e ka qeverinë që e meriton". Vetvetiu shtrohet pyetja; a e kemi ne Qeverinë që e meritojmë ?

Nëse i referohemi sakrificave të gjata e të panumërta, gjakut të derdhur për liri duhet të themi JO, por nëse e analizojmë heshtjen dhe indiferencën e popullatës përballë kësaj klase të shëmtuar politike, atëherë lirisht mund të themi se nuk e meritojmë më mirë.

Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thënia e të madhit dhe të pavdekshmit, profesorit Fehmi Agani; "Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë". Ky mendim i logjikshëm na obligon të investojmë sa më shumë që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, si dhe në shfrytëzimin e kohës, si dhurata më e çmuar që na ofrohet çdo ditë nga i madhi Zot.

Prandaj, si asnjëherë më parë, tani është koha që ta largojmë të keqen që na ka mbërthyer. Të investojmë në angazhimin e shtresës së pastër kombëtare, intelektuale e akademike, mediale dhe biznesore që të dalin në krye të qeverisjes së shtetit, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarit do t'i kthehet dinjiteti, shtetit të Kosovës, progresi dhe perspektiva e zhvillimit ekonomik.