Pse Ismet Beqiri e injoron Degën e LDK-së dhe shqiptarët në Zvicër?

Pse Ismet Beqiri e injoron Degën e LDK-së dhe shqiptarët në Zvicër?
  • 06 October 2015 - 09:31

Shkruan: Shefqet Dibrani

Loja e liderëve politikë me diasporën

Nga një militant anti-PDK në një puthadorë i PDK-së

Enigmë mbetet se a do të kenë mundësinë e sistemimit që do t’ia bëjnë Kadri Veseli dhe SHIK-u në një post të rëndësishëm në hierarkinë e LDK-së

Individi injorant është një karakter me dije të kufizuar, me njohje të cekëta qoftë në fushën e dijes, po edhe atë të zhvillimeve politike gjithashtu. Edhe më keq është nëse ai individ di diçka, por ato dije i kupton dhe interpreton keq. Pra, fjala është për një lloj përkufizimi metaforik për karakterin e individit që zdirgjet nga zonat rurale dhe mbetet vazhdimisht një trashtinë e pagdhendur, i cili nuk di të sillet si duhet në jetën urbane dhe të qytetëruar. Sot shoqëria jonë është përmbytur nga kjo kategori me mendje fshatareske, që sillen si injorantë kudo dhe ngado,  në politikë, në filozofi, në ekonomi, në letërsi,  në muzikë e në art, që japin pak shpresa se ky vend në një të ardhme të shkurtër do të dalim nga injoranca.

Disa nga karakteristikat që i ka shoqëruar kryesisht diktatorët shtat vocërraku sikur kanë lëshuar rrënjë në ndërdijen tejet të kufizuar të Ismet Beqirit, i cili më shumë se kushdo tjetër vuan nga kjo paranojë e cila e bën atë figurën më komike dhe tragjike që e ka pasur ndonjëherë LDK-ja, njeriun i cili falë vogëlsisë së tij fizike, ka arritur për të depërtuar ndër sqetullat e secilit kryetar, duke u përbiruar dhe duke implikuar në misionin e shkatërrimit moral dhe intelektual të LDK-së. Por askush nuk mundet ta paramendonte dikur se Ismet Beqiri premtimin e ha si djathë, bile pa bukë, dhe askush nuk ka besuar se ai do të bëjë një konvertim të mundshëm nga një militant anti -PDK në një puthadorë i PDK-së.

Rënia tragjike e Isa Mustafës

Por halli është se me rënien tragjike të Isa Mustafës si do të konvertohet dhe kujt do t’i bëhet “flaster” si në të pasmet e shterura të shefit të tij. Vërtet ku do të shkojë Ismet Beqiri?! E ku do të futet fytyra e tij si bukë nore, nëse i shkon me faqe të zezë, shefi i tij për të cilin e në të cilin ai është dashuruar me teprim. Por enigmë mbetet se a do të kenë mundësinë e sistemimit që do t’ia bëjnë Kadri Veseli dhe SHIK-u në një post të rëndësishëm në hierarkinë e LDK-së?!

Ismet Beqiri e di fare mirë se si është pritur eskorta e vocërrakëve të Isës në Gjermani, sidomos në Ministrinë e Brendshme të atij vendi, sado që mediat kanë gënjyer, prapa kamerave as me zonjën Merkel nuk kanë kaluar aq mirë sa thuhet. Shtrohet pyetja, Ismet Beqiri çfarë ka kuptuar nga mesazhet gjermane për të bërë reforma substanciale, apo trashtina mendon se edhe Gjermanët i mashtron dhe i ushqen me dy kokrra fasuleje ashtu siç ka vepruar me bashkëfshatarët e ti prej katundi kur zdirgjeshin të martave për pazare në Prishtinë, dhe kthenin te kushëriri për ta përgëzuar në ngjitjet e tij, por thuaja të gjithë ktheheshin andej kah kishin ardhur, të brengosur pse Ismeti mbetej shpirtngushtë e dritëshkurtër me zhvillimet politike në LDK e në Kosovë.

Poshtërimi dhe tkurrja e LDK-së

Këtë rol për poshtërim dhe tkurrje të LDK-së, si askush tjetër e ka marrë për mision Ismet Beqiri, kurse meritat e tij janë të prekshme dhe tejet të dukshme. Përveçse i injoroi dhe i la në margjina mendjet akademike, Ismeti si askush tjetër u kujdes për vete, duke iu turrur me yryshe edhe diasporës, veçmas Degës së LDK-së në Zvicër, ku i ka gjetur vemëzat të cilët bashkë me trashtinën, së bashku nuk janë në gjendje ta shkruajnë si duhet një fjali të zgjeruar, pa le më këto trashtina që shtiren se po i dinë të gjitha, por fatkeqësisht nuk po ia qëllojnë askund.

Tashmë Sekretar (Gjeneral Leitnant?!) i LDK-së, Ismet Beqiri bashkë me Haki Rugovën,  në emër të një delegacioni nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, i kryesuar nga Besart Dreshaj, me një Pampur e pompozitet, morën pjesë zyrtare në Gjenevë të Zvicrës, siç thuhet në kuadër të punimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT-së), ku janë takuar me zv. drejtorin gjeneral të Organizatës Botërore të Tregtisë, zotëri David P. Shark. Gjatë këtyre ditëve të punimeve të Forumit Publik të OBT- së, delegacioni nga Kosova i ka informuar zyrtarët e këtij forumi për zhvillimet e mëdha që po ndodhin në Republikën e Kosovës, madje duke qenë shembull më i pashembullt për rrena dhe mashtrime. E nëse nga dikush do të bëhet një statistikë e deklaratave për gjëra të mira që po i bëka klasa politike e Kosovës, sigurisht ne do zinim vendin e parë në Librin e Genisit, për rekordin e deklaratave pa mbulesë, sepse realiteti është krejt tjetër dhe ky realitet reflekton dijen dhe aftësinë e delegacioneve të cilët sillen me të njëjtin fodullëk ashtu sikurse Ismet Beqiri kur ua ka kthyer shpinën zonave rurale të krahinës së tij, atëherë kur me një Traktor e Prokolicë ai është shpërngulur në Prishtinë. Por, ndoshta do të ishte me shumë interes nëse gazetaria hulumtuese e Kosovës të merrej me hulumtimin e rritës së Ismetit dhe të shpjegonin nga cila „tut?!“ atij iu paska ndalur rrita?! Kjo shprehje hiperbolike ka të bëjë me një të vërtet indikative nga e cila mund të zbërthehet azganllëku demagogjik i këtij personaliteti politik!

Loja me selfie

He, nejse, përveç selfieve për Facebook, që i kanë bërë me një zyrtare dhe një zyrtar të Forumit, delegacioni i Besart Dreshajt paska bërë selfie edhe me një grup mërgimtarësh, të cilët i kanë hipur Kalit të Trojës, të cilët si trashtina që janë duan për ta shkatërruar Degën e LDK-së në Zvicër. Pse Ismeti i paarsimuar i gjen dhe takon pikërisht vetëm injorantët dhe matrapazët të cilët për një fotografi me këtë delegacion kanë vrapuar nga skaji tjetër i Zvicrës, sepse ata kanë gjetur hapësirë të mjaftueshme në mediat shqipe për t’u promovuar si përfaqësues(?!) të Degës së LDK-së në Zvicër.

Por do të ishte më mirë që Ismet Beqiri të shikonte realitetin me sy, dhe qysh tani të përgatitet për një konvertim të ri, pasi nuk i dihet si po i vjen fundi Isa Mustafës, i cili pa dhimbje e lë edhe atë, ashtu  siç i ka lënë dhe tradhtuar të gjithë ata që e rehabilituan dhe avancuan në poste të larta në LDK.