Me kë është SHBA-ja në rastin e Sirisë?

Me kë është SHBA-ja në rastin e Sirisë?
  • 06 October 2015 - 09:35

Shkruan: Fareed Zakaria

Putin-i sfidon politiken e jashtme amerikane

Rusia kthehet në “Shejtanin e madh” në sytë e xhihadistëve kudo në botë

Deri tani në rastin e Sirisë, Perëndimi ka kombinuar retorikën maksimaliste, të pakompromis, me përpjekje minimaliste, joefikase. Është ky dallim i madh midis këtyre të dyjave, që e bën Vladimir Putin-in të duket i mençur

Vladimir Putin-i ka qenë në gjendje që të veprojë me dhunë në Siri jo për shkak se është më i guximshëm apo më vendimtar sesa Barack Obama, por për shkak se ka një strategji të qartë. Putin-i ka një aleat, qeverinë e Assad-it. Ai ka armiq kundërshtarët e regjimit. Ai mbështet aleatin e vet dhe i lufton ata armiq. Sa për krahasim, Uashingtoni dhe Perëndimi janë tërësisht në konfuzion.

Kujt ia mban anën SHBA-ja në këtë konflikt? Ne e dimë se kundër kujt është ajo – regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Po ashtu është edhe kundër Shtetit Islamik, i cili është kundërshtari kryesor i regjimit. Po ashtu, SHBA-ja është edhe kundër të gjitha grupeve xhihadiste që luftojnë në Siri, duke përfshirë Jabhat al-Nusran dhe Ahrar al-Sham. Oh, ajo është edhe kundër forcave të Hezbollahut dhe atyre të Iranit, të cilat e kanë mbështetur regjimin sirian. Perëndimi është thuajse kundër çdo grupi të madh që lufton në Siri, gjë që atij i ofron një qartësi morale, por një paqëndrueshmëri strategjike. Veprimi i Rusisë nuk është aq brilant, saqë është paraqitur. Në fakt këtu kemi një përpjekje të dëshpëruar për shpëtimin e njërit prej miqve të paktë të jashtëm të Kremlinit, duke rrezikuar që ta shndërrojë Rusinë në “Shejtanin e madh” në sytë e xhihadistëve kudo në botë. Por, Putin-i të paktën e ka një plan të qëndrueshëm. SHBA-ja, në anën tjetër, është e lidhur ngushtë me qeverinë e Irakut në luftimin e militantëve sunitë në atë vend. Por ajo e gjen veten në të njëjtën anë, duke luftuar përtej kufijve të Sirisë, kundër regjimit të Assad-it.

Fantazi, jo politikë e jashtme

Uashingtoni i mbështet disa grupe – kurdët e Sirisë, forcat e moderuara të mbështetura nga Jordania dhe një grup të vogël të sirianëve të tjerë të moderuar. Por, nëse flasim për grupet e mëdha të cilat janë duke luftuar për kontrollimin e Damaskut, atëherë SHBA-ja është thuajse kundër të gjitha atyre.

Kenneth Pollack dhe Barbara Walter e përshkruajnë qasjen themelore të administratës, e cila të gjitha forcat ndërluftuese i sheh si jo adekuate në njëfarë mënyre. “SHBA-ja është duke ndërtuar një ushtri të re opozitare në Siri. Ajo ushtri duhet të jetë apolitike, jo sektare dhe tepër e integruar”, shkruajnë ata në “Washington Quarterly”. “Pasi që ajo të jetë gati, ajo do ta... pushtojë dhe ta mbajë territorin si në raport me regjimin e Assad-it, po ashtu edhe ndaj grupeve të ndryshme xhihadiste sunite. . . Rezultat i kësaj do të ishte një qeveri e re përfshirëse me mbrojtje për të gjitha grupet minoritare”. Do të ishte një gjë sikur kjo të pritej 15 vjet më parë, por pas përvojave në Afganistan, Irak, Libi dhe Jemen, kjo është fantazi, e jo politikë e jashtme.

David Petraeus tash vonë propozoi një intervenim të gjerë ushtarak, duke krijuar “parajsa” dhe një zonë potenciale të ndalim-fluturimit për forcat e Assad-it. Por, a mundet një plan i tillë ta mposhtë Shtetin Islamik? Kur Petraeus zhvilloi në Irak strategjinë për luftimin e grupit paraprirës të ISIS-it, ai theksoi se suksesi përfundimtar arrihet vetëm duke mbrojtur popullsinë. “Komandantët duhet t’i kalojnë sa më shpejt aktivitetet nga fushat e luftës në ato të zbatimit të ligjit”. Këtu qëndron problemi. Ushtria e SHBA-së pa vështirësi mund ta mposhtë Shtetin islamik, i cili ka një ushtri lehtë të armatosur dhe një forcë ushtarake prej më pak se  30,000 vetash. Por, më pas do të shtrohej pyetja kush do ta qeveriste territorin e çliruar, kush do ta mbronte popullsinë dhe kush do të konsiderohej legjitim nga banorët lokalë? Një zyrtar i lartë turk më tha tash vonë se “ju kemi shikuar duke u munduar që t’i qeverisnit qytetet irakiane dhe ne nuk do ta përsërisim gabimin amerikan”.

Siria drejt ndarjes

Po të analizohen të gjitha intervenimet e SHBA-së nëpër botë, një faktor theksohet më së shumti. Kur Uashingtoni kishte krijuar aleancë me ndonjë forcë lokale, e cila ishte e aftë dhe konsiderohej legjitime, ajo kishte arritur sukses. Por, pa lokalët e tillë, të gjitha përpjekjet e jashtme, ndihmat, municioni dhe trajnimet nuk mund të japin ndonjë rezultat të madh, qoftë në Afganistan, Irak apo Siri.

Nëse qëllimi i Obama-s është një demokraci paqësore, shumë-sektare dhe stabile, atëherë ai kërkon një angazhim të gjerë të SHBA-së, sikur në rastin e luftës në Irak. Nëse jo, atëherë Uashingtoni duhet ta pranojë realitetin dhe të marrë disa vendime të vështira. Dy vendimet më të vështira kanë të bëjnë me ndalimin e kundërshtimit të Assad-it dhe me pranimin apo jo të ndarjes së Sirisë.

Nëse mposhtja e Shtetit Islamik ka rëndësi, atëherë ajo duhet të shndërrohet në prioritet kryesor, duke krijuar aleanca me sa më shumë forca të jashtme të cilat do t’i bashkoheshin kësaj lufte. Nëse Assad bie dhe xhihadistët e marrin Damaskun, atëherë kjo do të jetë më keq sesa po të qëndronte Assad-i. Kjo nuk d.m.th. se duhet t’i ofrojmë mbështetje Assad-it, por duhet lejuar atë që ta krijojë një enklavë alavite në Siri, të tillë sikur që ai tanimë është duke u përpjekur që ta formojë. Kurdët dhe sirianët e moderuar po ashtu janë duke krijuar hapësirat e tyre. Edhe nëse merr fund lufta civile dhe nëse ruhet shteti i quajtur Siri, këto grupe më nuk do të jetojnë të përziera.

Deri tani në rastin e Sirisë, Perëndimi ka kombinuar retorikën maksimaliste, të pakompromis, me përpjekje minimaliste, joefikase. Është ky dallim i madh midis këtyre të dyjave, që e bën Vladimir Putin-in të duket i mençur.