Rikthimi në socializëm

Rikthimi në socializëm
  • 07 October 2015 - 10:09

Shkruan: Ian Buruma

Laburisti Jeremy Corbin nxit luftë klasash

Demokracia sociale e Evropës ka qenë kompromis me kapitalizmin 

Corbyn-i është një socialist i vjetër, që do të dëshironte t'i zhyste të pasurit dhe të vinte shumë gjëra nën kontrollin e shtetit

Gjëja që e veçon Jeremy Corbyn-in, majtistin ekstrem, që i ishte futur garës si i pagjasa, mirëpo kishte arritur që ta rrëmbente lidershipin e Partisë Laburiste, nuk është mungesa e patriotizmit. Fakti se a dëshiron ta këndojë këngën 'Zoti e Ruajt Mbretëreshën' nëpër takime publike, është një çështje e parëndësishme. Gjëja që e veçon atë është fakti se sa kundërshtues është ai dhe majtizmi që ai përfaqëson. Corbyn-i është një socialist i vjetër, që do të dëshironte t'i zhyste të pasurit dhe t'i vinte shumë gjëra nën kontrollin e shtetit. Retorika e tij që sugjeron luftë klasash bie ndesh me social-demokracinë moderne. Demokracia sociale e Evropës së pasluftës gjithmonë ka qenë kompromis me kapitalizmin. Ideologjia e krahut të majtë, veçanërisht në Britani të Madhe, më shumë ka marrë nga traditat e caktuara krishtere sesa që ka marrë nga ndonjë dogmë politike. Liderët laburistë si puna e Clement Attlee, kryeministri i parë pas Luftës së Dytë Botërore, nuk kanë qenë kundër ekonomisë së tregut; ata thjesht kanë dashur që t'i rregullojnë tregjet në atë mënyrë që t'u shërbenin sa më mirë interesave të klasës punëtore. Gjatë Luftës së Ftohtë, social-demokracia ka qenë alternativa e Evropës Perëndimore për komunizmin. Attlee ka qenë një anti-komunist i shquar. 

"Rruga e tretë" e ndjekur nga Tony Blair

Shërbimi i buzëve gjithmonë është paguar nëpër konferenca të Partisë Laburiste si simbol i vjetër i socializmit. Liderët e partisë gjithmonë i kanë kënduar këngët socialiste me sy të përlotur nga nostalgjia dhe deri në kohën kur Tony Blair-i e kishte hequr në vitin 1995, neni katër i kushtetutës së partisë premtonte 'pronësi të përbashkët të prodhimit' dhe 'kontrollim popullor' të industrisë. (Corbyn-i mund të bëjë përpjekje që ta kthejë këtë nen). Mirëpo, gjithmonë kur kishte ardhur puna tek qeveria kombëtare, socialistët ideologjikë gjithmonë ishin treguar të gatshëm për t'i hapur rrugë operatorëve më pragmatikë. Në kohën kur Blair-i, duke e ndjekur rrugën e mikut të tij, presidentit amerikan Bill Clinton, ishte bërë kryeministër i Britanisë së Madhe duke promovuar 'rrugën e tretë', socializmi ishte dukur si i vdekur e i varrosur. Clinton dhe Blair, që kishin ardhur në pushtet pas çiftit anglo-amerikan, Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher, kishin filluar t'i shqyenin mbetjet e social-demokracisë, duke bërë kompromise për të cilat Attlee as që kishte ëndërruar. Clinton dhe Blair i kishin kombinuar shqetësimet e vërteta për ata që nuk kishin privilegje me një përkushtim të madh për macet e trasha të Uoll-Stritit e Qendrës së Londrës. Clinton-i e kishte përdorur faktin se ishte president për t'iu lejuar të pasurve që ta shmangnin drejtësinë dhe pasi që e kishin përfunduar mandatin e tyre, që të dy i kishin përdorur reputacionet për t'i mbushur llogaritë bankare. Dikush mund të thotë që duke bërë shumë kompromise me kapitalizmin, liderët e rrugës së tretë e kanë vënë në kompromis edhe veten. Kjo është një arsye pse, nën Corbyn-in, të majtët kanë goditur fuqishëm duke arritur që më në fund ta heqin pushtetin nga ata që bëjnë kompromise. Për shumëkënd, e sidomos për të rinjtë, Corbyn-i është njeriu për të cilin është pritur gjatë, zëri 'autentik' i njerëzve. Meqë nuk kishin dëgjuar shumë për një ideologji në të kaluarën, social-demokratët e butë të krahut të majtë, të ballafaquar me një socialist të vërtetë, kishin mbetur gojëhapur, duke mos pasur ndonjë gjë për të shtuar. 

Analogjia me zgjedhjet në SHBA

A ka mundësi që edhe Hillary Clinton të dënohet ngjashëm në garën e saj për të marrë nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidencial të vitit të ardhshëm? A ka mundësi që qendra e majtë, të cilën ajo e përfaqëson, ta humb kontrollin e partisë? Sipas sondazheve të fundit, oponenti i saj më i fuqishëm, Bernie Sanders, që me shumë krenari e quan veten socialist, po i afrohet shumë Clinton-it dhe madje është duke udhëhequr në disa shtete. Si Corbyn-i, edhe ai është një politikan që e thotë atë që e mendon, duke dalluar kështu shumë nga politikanët e zakonshëm të Uashingtonit. Megjithatë, krahasuar me Corbyn-in, Sanders-i është i moderuar. Më e rëndësishmja, ajo që një fraksion militant i ka bërë Partisë Laburiste tani po i bëhet jo demokratëve, mirëpo republikanëve. Në fakt, rebelët republikanë duken shumë më ekstremë se Corbyn-i, e lëre më Sanders-in. Partia Republikane rrezikon të merret nga fanatikë, që e shohin kompromisin në qeveri si një formë të tradhtisë së turpshme. Detyrimi i John Boehner për të dhënë dorëheqje nga detyra e Dhomës së Përfaqësuesve, për shkak se ka qenë tepër i butë, ka qenë një akt lufte nga ana e republikanëve kundër partisë së vetë. Kandidatët republikanë, që deri tani duken me më së shumti gjasa e që kanë shënuar më së shumti përparim, jo vetëm që janë më ekstremë, mirëpo edhe më kundërshtues sesa Corbyn-i. Sloganet e tyre të preferuar - "Kthenani vendin tonë" ose "Ktheja Madhështinë Amerikës" - bëjnë thirrje për një të kaluar kur as Marrëveshja e Re e as zgjerimi i të drejtave civile nuk e kishin përhapur paqen e të krishterëve të bardhë. Këta republikanë të ekstremit të djathtë, gjithashtu, e kanë origjinalitetin përpara çdo gjëje tjetër. Edhe ata, gjithashtu, janë të revoltuar kundër liderëve të partisë, që besohet ta kenë bërë veten pjesë të kompromisit, vetëm për të vazhduar me qeverisje. Është shumë herët të parashikohet se kush do ta fitojë nominimin në Partinë Republikane. Është e vështirë, mirëpo e mundshme, që një politikan ekstrem si puna e Ted Cruz-it, apo një amator si puna e neurokirurgut të pensionuar, si puna e Ben Carson-it, ta kapin partinë. Marrja e lidershipit të partisë është më e lehtë sesa përzgjedhja për president të SHBA-së. Pak njerëz presin që Corbyn-i t'i fitojë zgjedhjet nacionale dhe pikërisht për këtë arsye partia e tij është e dëshpëruar kaq shumë. Andaj Clinton-i, përkundër fillimit jo të mbarë të kampanjës së saj, pritet që ta rrëmbejë nominimin në fund. Ajo do të fitojë jo pse është më bindëse sesa kandidatët që kanë garuar me Corbyn-in, mirëpo për shkak të faktit që oponentët e saj duken shumë më të këqij.

(Ian Buruma është profesor i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe gazetarisë në Kolegjin 'Bard')

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"