Një vizion i ri për Bankën Botërore

Një vizion i ri për Bankën Botërore
  • 10 October 2015 - 11:17

Shkruan: Nancy Birdsall

Bota, në ndryshim

Aksionari më i madh, SHBA-ja, duhet ta rimendojë rolin e tij në këtë organizatë

Një qasje e tillë do t’i reflektonte dhe riforconte Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), me çka do t’i udhëhiqte përpjekjet globale zhvillimore deri në vitin 2030. Dhe, larg të hequrit dorë nga qëllimi aktual i dhënies fund të varfërisë, ajo do ta përqafonte zvogëlimin e varfërisë si një rezultat të ndërtimit të shoqërive më stabile dhe më përparimtare

Ministrat e financave, bankierët qendrorë, si dhe ekonomistët zhvillimorë janë mbledhur në Lima të Perusë për takimin vjetor të Bankës Botërore, ku debati do të përqendrohet në atë se si agjenda e këtij institucioni përshtatet me botën tonë në ndryshim e sipër. Mbajtja e këtij takimi në një vend në zhvillim, paraqet një ndryshim të mirëseardhur nga takimi i rëndomtë në Uashington. Tani, Banka duhet të bëjë disa ndryshime të tjera të rëndësishme: ajo duhet ta rikufizojë misionin e saj dhe të ndërmarrë detyra të reja, derisa aksionari i saj më i madh, SHBA-ja, duhet ta rimendojë rolin e tij në këtë organizatë.

Misioni aktual i Bankës Botërore – dhënia fund e varfërisë ekstreme brenda një gjenerate dhe nxitja e përparimit të përbashkët – nuk ka dyshim se është i rëndësishëm. Por, duke rikufizuar këtë mision, për ta theksuar mbështetjen për përpjekjet e qeverive të vendeve anëtare për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, Banka mund të bëjë edhe më shumë se kaq.

Një qasje e tillë do t’i reflektonte dhe riforconte Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), me çka do t’i udhëhiqte përpjekjet globale zhvillimore deri në vitin 2030. Dhe, larg të hequrit dorë nga qëllimi aktual i dhënies fund të varfërisë, ajo do ta përqafonte zvogëlimin e varfërisë si një rezultat të ndërtimit të shoqërive më stabile dhe më përparimtare, në të cilat qytetarët, me anë të taksave të tyre, janë të aftë dhe të gatshëm që të financojnë shtetet e afta dhe të përgjegjshme, të cilat nderojnë dhe respektojnë standardet dhe rregullat e dakorduara globale.

 Rreziqet më të mëdha

Një mision i tillë i rikufizuar do ta rreshtonte Bankën Botërore më afër me vizionin e themeluesve të saj, të një “kooperative globale të kredisë”, duke krijuar përfitime për të gjitha vendet anëtare, me anë të veprimit të përbashkët. Ky vizion ishte ndërtuar duke u bazuar në një ide të vetme brilante: për të huazuar kundër kapitalit të sigurt të vendeve kreditore dhe për t’iu dhënë hua vendeve anëtare në të cilat kapitali investues mungonte dhe ku interesat do të ishin tepër të larta.

Kjo ide përfitoi nga eksternaliteti pozitiv, të shoqëruar nga kostot e huamarrjes sa më të ulëta të mundshme. Një kthim te një dinamikë e tillë origjinale do të ishte e mirë për të gjithë, duke filluar nga vendet kreditore, e deri te ato kredimarrëse.

Për më tepër, rifreskimi i Bankës Botërore, respektivisht i misionit të saj në këtë mënyrë, e vë në dukje përparësinë e Bankës krahasuar me agjencitë e shumta të ndihmave bilaterale dhe ndaj qindra OJQ-ve, të cilat punojnë në vendet në zhvillim.

Banka botërore ka dituri dhe përvojë në sektorë të ndryshëm, si në bujqësi, infrastrukturë, shëndetësi, edukim, pensione, si dhe në rregullimin financiar. Ajo ka aftësinë që të përdorë instrumente të ndryshme në mbështetje si të investimeve publike, po ashtu edhe të atyre private. Dhe, stafi i saj posedon një përvojë të pashoqe në lidhje me vendet e veçanta, duke përfshirë edhe vlerësimet rreth vështirësive politike lokale, të cilat ndonjëherë pengojnë reformat e nevojshme për kthimin e investimeve.

Duke e përshtatur misionin e vet me shekullin XXI, Banka Botërore duhet po ashtu ta marrë përgjegjësinë e ofrimit të të mirave publike, të rëndësishme për zhvillimin. Sot, rreziqet më të mëdha për shoqëritë e përparuara dhe stabile, kanë natyrë globale dhe, për këtë shkak, kanë nevojë që të adresohen globalisht. Duke pasur parasysh se kthimet e investimeve në të mirat publike që kanë të bëjnë me zhvillimin janë në përgjithësi të larta, por të kufizuara vend pas vendi, kjo është një fushë ideale e përqendrimit për Bankën botërore, si kooperativë globale.

Në veçanti, Banka duhet të bëhet një veprues i rendit të parë në përshpejtimin e investimeve, me qëllim të promovimit të qëndrueshmërisë ambientale; në mbështetjen e kërkimeve në bujqësi, shëndetësi dhe në energji të pastër, si dhe duke mbledhur dhe analizuar të dhënat ekonomike dhe sociale. Natyrisht, Banka nuk ka nevojë që të marrë përgjegjësitë e ofrimit të të gjitha këtyre të mirave publike. Por, ajo mund të ndihmojë në lidhje me prioritetet, duke mbledhur dhe kanalizuar fonde dhe duke vlerësuar ndikimin e investimeve të caktuara.

Për të arritur sukses, Banka duhet ta zgjerojë veprimtarinë e saj përtej huave specifike për vendet e caktuara. Për ta arritur një gjë të tillë, ajo ka nevojë për një mandat të qartë nga vendet anëtare, si dhe për institucione të reja për asistencë financiare dhe teknike.

SHBA-ja mbetet një superfuqi ekonomike dhe ushtarake

Ndryshimi përfundimtar i brendshëm i cili duhet të bëhet, ka të bëjë vetëm me një vend anëtar: SHBA-në. Gjatë gjysmës së fundit të shekullit, Amerika ka qenë një udhëheqëse relativisht e mirë e stabilitetit ndërkombëtar, duke vepruar kryesisht në interesin e përbashkët.

 

Por, derisa SHBA-ja mbetet një superfuqi ekonomike dhe ushtarake, vendet e tjera janë duke e arritur atë me shpejtësi. Dhe, SHBA-ja nuk duket e gatshme që t’iu bëjë vend atyre, sikur që dëshmohet nga hezitimi i saj ndaj Bankës investuese të infrastrukturës aziatike,t ë udhëhequr nga Kina. SHBA-ja duhet ta pranojë se, derisa është ende e fuqishme në aspektin global, ajo duhet të udhëheqë më shumë duke u bazuar te ndikimet dhe bindjet e më pak duke iu përmbajtur rregullave dhe adeteve të 70 vjet më parë, kur ishte kreditori i vetëm që mbështeti krijimin e institucioneve të reja financiare ndërkombëtare.

Për këtë shkak, këtë javë në Lima diskutimet rreth gjendjes ekonomike në Kinë, duhet të shoqërohen nga një debat i vërtetë rreth nevojave për t’i bërë këto tri ndryshime. Me një mision të rikufizuar, një agjendë të freskuar dhe një SHBA më përfshirëse, Banka Botërore do të jetë më shumë në gjendje që ta luajë një rol kyç në çuarjen përpara të një zhvillimi të nevojshëm për botën.

(Nancy Birdsall është presidente themeluese e Qendrës për zhvillime globale)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”