Për së gjalli nuk e heq nënshkrimin, betohet... “trimi me fletë”

Për së gjalli nuk e heq nënshkrimin, betohet... “trimi me fletë”
  • 24 November 2015 - 09:51

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Isa Mustafa është i mësuar me këto rrëmuja e dredhi

Politikanët në Kosovë duhet të zhvillojnë luftë parimore për pozitën e  Kosovës dhe jo për pozitën e tyre në Kosovë  (Ukshin Hoti)

Për këto turbullira që po e cenojnë dhe po e rrezikojnë lirinë dhe fatin e popullit shqiptar, fajtorë përgjegjës janë të zgjedhurit e sovranit, përkatësisht Qeveria e drejtuar nga komunisti i Titos, Isa Mustafa, gjë që ky i fundit nuk është me mandatin e sovranit, po i paketës së marrëveshjeve ndërpartiake të koalicionit

Me keqardhje, kohëve të fundit, politika shqiptare po fluturon në ëndrrat partiake dhe në epshet personale të politikanëve të etur për t’u bërë president, kryeministër, kuvendar, ministër, apo çka jo tjetër në kurriz të popullit të mjerë. Kjo dukuri e shëmtuar dita-ditës po bëhet më e pranishme në tërë Shqipërinë Etnike, posaçërisht në Dardaninë e vjetër-Kosovën e sotme të lodhur.

Në kohën kur bota demokratike po përballet me një luftënxitëse në heshtje për një luftë të mundshme botërore, ne si komb bëjmë sehire dhe ditë e më tepër po bëhemi grindavecë, madje shkojnë deri atje sa të konfrontohen pozitë dhe opozitë duke e cilësuar njëra-tjetrën si tradhtare e kombit. E aq më keq përmes këtij fjalori djallëzor e tmerrues, sikur nuk kursejnë asgjë për të arritur qëllimin e tyre personal apo partiak, madje shkojnë deri atje ku në këtë lojë të pistë mundohen ta fusin popullin në përçarje, duke i nxitur në çdo formë të jenë përkrahës të tyre, gjë që edhe mund të eskalojë situata deri në formatin e kohës së Sali Berishës, që deshi ta çojë popullin në një luftë civile. Ndërkaq, gjuajtja e gurit, andej e këndej, në pozitë ose opozitë nuk e arsyeton fajësinë dhe politikën e tyre çfarë janë duke bërë. Andaj për këto papërgjegjësi mos e vëni policinë e popullit në zjarr pa fajin e saj, ministër e kryeministër! Po ashtu dhe ju demonstrues mos i vardisni gurët mbi policët e pafajshëm, mos thyeni xhama e dëmtoni vetura, se të gjitha ato janë djersa e popullit!

Për këto turbullira që po e cenojnë dhe po e rrezikojnë lirinë dhe fatin e popullit shqiptar, fajtor përgjegjës janë të zgjedhurit e sovranit, përkatësisht Qeveria e drejtuar nga komunisti i Titos, Isa Mustafa, gjë që ky i fundit nuk është me mandatin e sovranit, po i paketës së marrëveshjeve ndërpartiake të koalicionit. Nëse këto dy marrëveshje të nënshkruara, që edhe e kanë irrituar popullin dhe pozitën, qenkan për Qeverinë të drejta dhe kushtetuese dhe në interes të kombit, atëherë pse nuk është e zonja ta argumentojë te populli dhe te opozita me fakte? Përkundër këtyre fakteve po dalin në mënyrë shkencore dhe po e dëshmojnë të kundërtën e asaj që po e thotë i pari i Qeverisë.

Atëherë po qe se keni shkelur në dërrasë të kalbur me apo pa qëllim, mundohuni të dilni nga kjo situatë tepër e rëndë, e mos e trazoni ndjenjën e popullit me hilet e Isës se, ky është i mësuar me këto rrëmuja e dredhi, nga që është i rryer si nxënës i Titos.

A e meriton këtë poshtërim ky popull i lodhur nga të zgjedhurit e sovranit?

Faktikisht këtë poshtërim nga të zgjedhurit e sovranit, ky populli liridashës nuk e ka merituar, të paktën nga bijtë e saj, aq më keq ky popull i lodhur e i dërmuar ende po qëndron në ankthe se çka do të pjellë dita e nesërme, nga fakti se tablotë në Kuvendin e Kosovës dhe veprimet e Qeverisë si dhe përgjegjësia politike e partive kanë kaluar në ekstremitet të thellë, saqë është vështirë ta përcaktosh të ardhmen e qetë dhe të pafrikë. Ndërsa mollë sherri u bë që nga ardhja në krye të parit të Qeverisës Kosovës (njeriu që dikur ishte përkrahës i denjë i politikës diskriminuese serbe-Jugosllave) të Isa Mustafa, i cili me papërgjegjësinë dhe nënshkrimet e tij, pa u konsultuara me sovranin, po e sjellin në një rrugë qorre fatin e popullit, ku dhe po ia imponon një rrugë tjetër karshi asaj të dëshirueshmes. Nga këto papërgjegjësi Kuvendi është shndërruar në gaz të botës, e në lëndimin shpirtëror të popullit dhe në anën tjetër këto skenat të tilla po  e trimërojnë Serbinë, duke u arsyetuar në botë se shqiptarët nuk munden të krijojnë shtet...!

E çfarë të keqe ka nëse ulen në tavolinën e bisedimeve kokë me kokë, partitë që kanë marrë votën e popullit, e të bisedojnë pa kushte, në interes të popullit dhe të shtetit? Pse Isa dikur nuk i thoshte Serbisë dhe Rrahman Morinës se unë nuk jam me ju, po përkundër kësaj ishte i zjarrtë kundër atyre që kërkonin liri dhe Republikën e Kosovës? Sot si “trim me fletë” betohet në atë se nuk e heq nënshkrimit  për së gjallë, me arsye se vetë vendos dhe do që ta matë forcën e vet se a është ai Isa i dikurshmi që i dënonte në emër të Serbisë ata që kërkonin Kosovën Republikë.  A nuk është turp që ta katandisin popullin deri në këtë gjendje, ju që keni marrë votën e sovranit? Kur keni për të biseduar me dreqin e të birin shkoni me gëzim dhe zgërdhiheni si lavire, ndërsa me njerëzit e popullit, apo kolegët tuaj jeni bërë si ujqër të tërbuar. Populli do t’ju thoshte me zemërplasur: “ E hëngëshi njëri-tjetrin, por popullin jo”.

Lind pyetja, ku është presidentja dhe drejtësia jonë...?

Mos vallë edhe këto janë nën hijezimin e politikës ditore apo partiake (faktikisht sikur dhe janë të ndikuara)...!?

Për fund pozitë, opozitë, presidente, drejtësi, Akademi e intelektualë, parti zgjohuni sa s’është bërë vonë, kambanat e një rrezikut të përmasave jo të lakmueshme po bien, po sjellin lajme të këqija, në njërën anë nga vetë të zgjedhurit e sovranit dhe në anën tjetër rreziku po shtohet nga ata që e tronditën, në Paris, civilizimin njerëzor. Për të mos ardhur deri te kjo gjendje e rëndë, hiqni dorë nga inatet, karrierizmi dhe shëroni atë që mundni ta shëroni së bashku, se nesër populli nuk ua fal. Faji nuk do të mbetet më jetim, nëse ju... edhe njëherë ia sillni tragjedinë popullit të lodhur në derë. Ky popull i lodhur, e shumë herë i terrorizuar (qoftë nga pushtuesit, apo edhe nga vetë politika e drejtuesve të saj, qofshin në pozitë apo opozitë) do t’ju mallkojë brez pas brezi, e të paktën ruajuni ju... këtij mallkimi.