Çlirimi nga oligarkët e pasluftës e shpëton Republikën

Çlirimi nga oligarkët e pasluftës e shpëton Republikën
  • 24 November 2015 - 10:30

Shkruan: Margarita Kadriu

Degradimi i shtetit

Kosova, në udhëkryqin e madh të tranzicionit

Ne që kemi energji pozitive, që duam dhe luftojmë për sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, nuk duhet të dorëzohemi, por me fuqinë e votës nga sovrani duhet t’ua tregojmë vendin ku e kanë politikanët e korruptuar

Tetor 2014 - Shtator 2015. Raporti i Progresit i Komisionit Evropian analizon këtë periudhë kohore, duke matur performancën e institucioneve në Kosovë dhe duke nxjerrë rekomandimet për fushat specifike. Para një viti, vendi gjendej në bllokadë të plotë, për shkak të paaftësisë dhe hipokrizisë së partive parlamentare që të konstituonin institucionet pas zgjedhjeve të qershorit. Disa muaj më pas, situata nuk ka njohur shenja përmirësimi. Përkundrazi, formimi i koalicionit të dy partive të mëdha, përgjegjëse kryesore për degradimin e pasluftës, nxiti, si asnjëherë, një eksod masiv të paparë të ikjes së afro një qind mijë kosovarëve drejt BE-së. Edhe Raporti i Progresit e vë në pah faktin se partneriteti qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është në krizë dhe me pak shpresë. Për herë të parë në një dokument të tillë të rëndësishëm theksohet se ka mungesë bashkëpunimi ndërmjet ministrave të dy subjekteve të mëdha. Një qeveri që nuk arrin të jetë e unifikuar në veprimet e saj si mund të jetë bashkëpunuese me opozitën, kur është fjala sidomos te çështjet e karakterit shtetëror e kombëtar, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe apo Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi?!

Raporti i Progresit, faqja e zezë për Kosovën

Sado që pushtetarët mundohen të shkëpusin dromca fjalish, për t’u mburrur para opinionit publik, përmbajtja e Raportit të Progresit është më e rënda që ka dalë deri tani për shtetin tonë, që nga pavarësia. Lëvdatat e vetme janë për nënshkrimin e vonuar të MSA-së, detyrat e imponuara nga bashkësia ndërkombëtare për krijimin e Gjykatës Speciale dhe marrëveshjen me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryesisht, këtu bëhet fjalë për realizimin e këtyre proceseve nga BE-ja, ndërsa pala kosovare më tepër ka qenë një spektatore e padenjë dhe e humbur, ka shfrytëzuar mëditjet, udhëtimet zyrtare, luksin e pushtetit dhe në fund, pa kurrfarë dinjiteti kombëtar e shtetëror dhe në mungesë edhe të etikës e integritetit moral e profesional, ka hedhur nënshkrimet në çdo dokument të ofruar nga Serbia propozuese dhe në asistim të BE-së, si lehtësuese e dialogut. Ndërsa, kur është fjala te zhvillimi i përgjithshëm i vendit, edhe ky vit, përveç thellimit të degradimit të përshpejtuar drejt greminës në çdo sfere të jetës, nuk solli diçka tjetër, pra një vit i shkuar e i humbur për popullin e Kosovës.

Gjatë periudhës sa përshkruhet në raportin e Komisionit Evropian, politikanët e korruptuar u korruptuan dhe u pasuruan më shumë, bashkë me rrjetet e tyre klienteliste e oligarkike, ndërsa qytetarëve vetëm iu rëndua edhe më shumë jetesa. Që prej pasluftës, Kosova kurrë nuk ka rënë nën 1 për qind rritje ekonomike, sa ishte vjet, si rrjedhojë e luftës së egër për pushtet, kapjes së shtetit dhe injorimit të problemeve socio-ekonomike të qytetarëve dhe bizneseve, të cilat nuk janë të lidhura me pushtetin.

Vlerësimet e KE-së janë shuplakë e ashpër për qeverinë ‘Mustafa-Thaçi’ dhe kursin tepër të gabuar ekonomik që po vazhdojnë ta ndjekin me besnikëri liderët e kompromentuar tanimë. Politikat e reja fiskale që u propaganduan si një kinse sukses i madh, u kritikuan nga të gjithë dhe po ashtu kritikohen në raport, sepse sjellin pasiguri fiskale dhe rreziqe për ekonominë dhe qytetarët, ndërsa kur është fjala te punësimi, përgënjeshtrohen tërësisht zotimet e fryra e mashtruese për qindra-mijëra vende të reja pune në mandatin e ri. Ja pra, në saje të këtyre premtimeve mashtruese, kosovarët u dhanë më së shumti vota dy partive në koalicion, të cilat tash nuk bëjnë zë pas ardhjes në pushtet përmes mashtrimit e gënjeshtrave. Edhe pse kemi resurse të shumta natyrore, kapacitete njerëzore, kuadro të aftë, njerëz të shkolluar, ekspertë të fushave të ndryshme, shtetin e udhëheqin analfabetët, të korruptuarit, mashtruesit, zhvatësit dhe servilët. Për pasojë, jemi shteti me papunësinë më të lartë në Evropë, ku mbi 60 për qind e të rinjve nuk e kanë një vend pune. Monopolet e mafio-oligarkëve, të kontrolluara nga politikanët, prej vitesh kanë lulëzuar dhe janë rritur, duke penguar ekonominë e tregut të lirë të marrë frymë lirisht, megjithatë pushtetarët e lidhur me bizneset mafioze e korruptive trashin xhepat e kontot e tyre dhe nuk mërziten fare për mbijetesën e rëndë të bizneseve, të cilat nuk janë të lidhura me pushtetin.

Por, kjo qeveri nuk ka dështuar vetëm në sferën e ekonomisë. Sundimi i ligjit vazhdon të mbetet një fjalë e huaj për pushtetin mospërfillës ndaj ligjeve, që vetë si në tallje i miraton. Sistemi i drejtësisë ka kapitulluar përballë ndërhyrjes dhe presionit politik e oligarkik dhe si rrjedhojë të korruptuarit, sidomos ata të nivelit të lartë, shijojnë paturpësisht luksin e krijuar paligjshmërisht me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Rrëshqitja e frikshme në anarki

Një shtet pa ekonomi, pa drejtësi, me arsim e shëndetësi të përçudnuar, me mediat të shtypura e kryesisht të instrumentalizuara, me vlera të nëpërkëmbura gjithandej, ku nëntoka vendos për fatin e atyre që janë mbi të, është i destinuar të humbë atributet kryesore që e mbajnë gjallë. Në Republikën tonë, meritokracia ka vdekur, standardet evropiane janë shkelur e rrënuar fare, pakënaqësitë janë akumuluar prej më shumë se 15 vjetësh në shoqëri. Anarkia po shfaqet dalëngadalë, frikshëm, edhe atë duke nisur nga maja më e lartë institucionale - Kuvendi i Kosovës. Gazi lotsjellës i opozitës, arroganca e egër e pushtetit me veprimet kundër interesave të shtetit, janë treguesit e devijimit definitiv të demokracisë. Asnjëra palë nuk lëshon pe, as nuk pranon të dialogojë, sepse etja për pushtet është sfilitëse, ndonëse legjitime për të dyja kampet, por më torturuese është për popullin, që më kot pret ditë të mira me këtë brez të konsumuar e të falimentuar politikanësh hipokritë, grindavecë e injorantë.

Zgjedhjet e reja, në një atmosferë të tillë të mjegulluar, nuk është se prodhojnë ndonjë risi pozitive, nëse mungojnë alternativat e qarta e të besueshme zhvillimore. Nuk mund të presë askush nga liderët e njëjtë, që aktualisht i kanë kapur dhe i mbajnë pozitat kyçe në vend, rezultate të tjera më të mira dhe as ndonjë kthesë pozitive për vendin. Republikës detyrimisht i duhet energji e re përmbajtjesore, figura të reja drejtuese, realisht të pakompromentuara e të pakorruptuara, një opozitë e pastër dhe shumë e qartë në idetë e saj të forta e të besueshme, që mund t’ua kthejnë shpresën qytetarëve të lodhur nga ky regjim despotik. Dekriminalizimi duhet të ndodhë sa më shpejt, për të mos lejuar më që oligarkët dhe banditët të zgjidhen deputetë, ministra e qeveritarë, gjyqtarë, prokurorë, nëpunës shteti, policë, ambasadorë… Zbatimi i ligjit është thelbësor dhe i pashmangshëm nëse duam që fëmijëve tanë të paktën t’u lëmë një vend të sigurt dhe një shtet ligjor e të zhvilluar për të jetuar. Përndryshe në Republikën e privatizuar nga mafio-oligarkët dhe banditët kosovarë, një ditë do të mbeten vetëm ata, si pashallarët modernë, që shqyen të ardhmen e atdheut tonë dhe të tyre. Ne që kemi energji pozitive , që duam dhe luftojmë për sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, nuk duhet të dorëzohemi, por me fuqinë e votës nga sovrani duhet t’ua tregojmë vendin ku e kanë ata, pastaj drejtësia e ardhshme, e depolitizuar dhe e pastruar nga shpërfillësit e ligjit, t’ua konfiskojë pasuritë e fituara kundërligjshëm, përmes korrupsionit e veprimeve të tjera kriminale dhe përfundimisht të përballen me drejtësinë. Vetëm çlirimi nga oligarkët dhe banditët e inkriminuar të pasluftës do t’ia japë mundësinë Republikës së Kosovës së pari të marrë frymë lirisht e pastaj t’i kthehet normalitetit, vlerave të sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik të shtetit.

 (Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)