Luftimi i ISIS-it kërkon durim, jo panik

Luftimi i ISIS-it kërkon durim, jo panik
  • 25 November 2015 - 10:13

Shkruan: Fareed Zakaria

Mposhtja ushtarake nuk është e vështirë

Perëndimi është në avantazh - ka paratë, teknologjinë, dijeninë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar

Për ta mbajtur të mposhtur ISIS-in, dikush do të duhet t’i qeverisë territoret që ISIS-i i ka nën kontroll. ISIS-i merr mbështetjen nga sunitët në Irak dhe Siri, të cilët ndihen të përndjekur nga qeveritë josunite në të dy këto vende

Henry Kissinger kishte vërejtur se, në moshën e tij të rritur, SHBA-ja kishte zhvilluar pesë luftëra të mëdha dhe secilën prej tyre e kishte filluar me një entuziazëm të madh dhe me një mbështetje të madhe publike. Por, në secilën prej tyre, amerikanët nuk vonuan e filluan që të pyesnin: “Sa shpejt mund të tërhiqemi”? Në tri nga këto konflikte, thotë ai, SHBA-ja tërhoqi forcat e saj në mënyrë të njëanshme. Sot ne jemi duke parë një entuziazëm po aq të fuqishëm dhe të kuptueshëm për një zgjerim të luftës kundër ISIS-it. Le të përkujdesemi që ta kuptojmë se çka do të duhet jo vetëm për ta filluar, por edhe për ta mbaruar këtë luftë.

Një vend për të marrë ca mësime, mund të jetë strategjia e cila ka qenë relativisht e suksesshme: lufta kundër ‘Al-Kaidës’. Sikur që thoshte Peter Bergen në vitin 2012, një vit pas vdekjes së Osama bin Ladenit, lidershipi i grupit ishte shkatërruar, pasuritë e saj ishin zhdukur dhe mbështetja e saj në mesin e publikut arab kishte rënë. ‘Al Kaida’ nuk ka bërë asnjë sulm në Perëndim që nga bombardimet në Londër, 10 vjet më parë.

Por, gjërat nuk ishin gjithmonë kështu. Pas 11 shtatorit, zyrtarët dhe ekspertët flisnin rreth ‘Al Kaidës’ me një frikë dhe respekt të cilin tani e rezervojnë për ISIS-in.

ISIS-i është më i ngjashëm me talibanët, sesa me ‘Al Kaidën’

Sapo SHBA-ja dhe aleatët e saj filluan që ta luftonin këtë grup, ai frymëzoi apo udhëhoqi disa sulme në botë, duke përfshirë edhe sulmin më të përgjakur në Perëndim që nga 11 shtatori, sulmet me bombë në trenat e Madridit, ku u vranë 191 njerëz. Por, këto sulme nuk nënkuptonin se ‘Al Kaida’ ishte duke fituar luftën kundër terrorizmit, më shumë sesa që sulmet në Paris javën e kaluar nuk duan të thonë se ISIS-i është duke fituar. Në fakt, është e mundshme që, derisa ISIS-i është duke humbur territor, ai të orientohet kah terrorizmi jashtë.

SI mund të shpjegohet suksesi kundër ‘Al Kaidës’? Shumë ekspertë bëjnë me gisht kah operacionet e vërteta antiterroriste në botë, sidomos kah ndarja e informatave të inteligjencës. Të tjerët thonë se grupi (‘AL Kaida’) e teproi në Irak.

Në njërin nga librat më të mirë rreth kësaj teme, “Hunting in the Shadows”, Seth Jones arrin deri te përfundimi se, sa herë që SHBA-ja kishte miratuar një “strategji të hapave të lehtë”, ajo kishte arritur sukses. Sa herë që SHBA-ja dhe aleatët e saj kishin dërguar trupa në vendet myslimane, ai vëren “ ‘Al Kaida’ kishte përfituar nga rritja e radikalizmit dhe nga rekrutët shtesë”. Për këtë shkak, që nga fillimi, ISIS-i ishte munduar që t’i bënte shtetet perëndimore që të dërgonin trupa në Siri.

Mposhtja ushtarake e ISIS-it nuk është e vështirë. Por, për ta mbajtur atë të mposhtur, dikush do të duhet t’i qeverisë territoret që ISIS-i i ka nën kontroll. ISIS-i merr mbështetjen nga sunitët në Irak dhe Siri, të cilët ndihen të përndjekur nga qeveritë josunite në të dy këto vende. Për më tepër, grupi ka krijuar një shtet funksionues i cili ofron disa elemente të stabilitetit për një popullatë, e cila gjatë dekadës së kaluar ka qenë e shtypur.

Në këtë aspekt, ISIS-i është më i ngjashëm me talibanët, sesa me ‘Al Kaidën’, e cila përbëhej nga një bandë e të huajve të vendosur në Afganistan, si mysafirë të talibanëve. Por, vetë talebanët janë një grup lokal, me mbështetje në komunitetet pashtune në Afganistan dhe Pakistan. Kjo shpjegon pse SHBA-ja nuk e ka mposhtur atë pas 14 vitesh luftë dhe dhjetëra mijëra të ushtarëve amerikanë dhe, tani, disa mijëra ushtarëve afganë. Mos harroni se, në Afganistan, SHBA-ja ka një aleat të denjë lokal, i cili ka një legjitimitet të theksuar. Në Siri, nuk ka asnjë aleat të tillë. Kurdët janë një aleat kyç, dhe duhet të bëhen edhe më të rëndësishëm gjatë muajve në vazhdim. Por, si një pakicë etnike, ata nuk mund të qeverisin me vendet arabe.

Shkaktimi i dëshpërimit

Politikanët apelojnë te SHBA-ja që ta formojë një ushtri të përbërë nga sirianët e moderuar. Kjo është një aventurë e mirë. Por, shikuar në aspektin historik, sa herë që të huajt kanë ndihmuar në formimin e forcave lokale, atyre forcave u ka munguar legjitimiteti dhe nuk kanë mundur të qëndrojnë në pushtet. Ky problem esencial – mungesa e një aleati të besueshëm – e bën operacionin tokësor në Siti më të vështirë sesa ato në Irak, Afganistan ose Vietnam.

Me këtë nuk duam që të shkaktojmë dëshpërim, por që të sugjerojmë një “durim strategjik”, sikur që thotë me të drejtë presidenti Obama. ISIS-i nuk është as për së afërmi aq i fortë sa mund të duket nga histeria momentale. Ai është i rrethuar me armiq të rrezikshëm. Shumë vende janë duke e luftuar, duke filluar nga Arabia Saudite, e deri te Franca e largët. Territori i ISIS-it vjen duke u zvogëluar dhe mesazhi i tij nuk është aq i pëlqyer në shumë pjesë të “kalifatit” të tij të supozuar, gjë që dëshmohet me qindra mijëra refugjatë sirianë që janë duke ikur nga barbaritë e ISIS-it.

Kundërterrorizmi, inteligjenca, sulmet ajrore, dromët dhe operacionet speciale janë fushat ku Perëndimi është në avantazh – ai i ka paratë, teknologjinë, dijeninë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Dhe, ai mund të vazhdojë kështu me muaj, bile edhe me vite. Por, nëse në vend të kësaj na kaplon paniku nga terrorizmi, dhe si rezultat i kësaj dërgojmë ushtarë në shkretëtirat e Sirisë, atëherë do të hynim në një zonë ku ISIS-i ka një avantazh të qartë. Dhe, pas disa vjetësh jovendimtare, populli do të fillonte të pyeste: “Sa shpejt mund të tërhiqemi”?