Analiza e marrëveshjes për themelimin e AKS-së në Kosovë 2013-2015

Analiza e marrëveshjes për themelimin e AKS-së në Kosovë 2013-2015
  • 25 November 2015 - 15:34

Shkruan: Prof. dr. Muhamet Kelmendi

Lidhur me dhenien e mendimeve shkencore për apo kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës, perkitazi me Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, kërkohet fillimisht të shprehen kundërthëniet dhe përputhjet e Marrëveshjes së vitit 2013, të lidhur midis Z. Thaqi dhe Daqiq.

Pa dhënë mendime lidhur me këtë marrëveshje është e pamundur të bëhet ndonjë analizë lidhur me Marrëveshjen e 26 gushtit të vitit 2015 mbi AKS në Kosovë.

Përkitazi me këto marrëveshje tërë këtë çështje duhet ndarë në dy pjesë:

1. Përputhjet dhe kundërthëniet e Marrëveshjes së 12.04.2013 të nënshkruar nga Thaqi dhe Daqiq dhe,

2. Marrëvshja e 26 gushtit 2015 e nënshkruar midis Mustafës dhe Vuqiq mbi themelimin e AKS në Kosovë.

T’i shohim këto:

Marrëveshja e vitit 2013 ka dy anë:

Përputhjen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe
Shkeljen e neneve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Lidhur me pikën a përputhja qëndron në këto pika:

Pika  e parë (1) është në përputhje të plotë me Kushtetutën e RKS.

Pika dytë (2) ka përputhje me Kushtetutën e RKS.

Pika trete (3) është në përputhje me Kushtetutën e RKS.

Për pikën b mospërputhja me Kushtetutën e Republikës së Kosovës konsiston në:

Pikën katër (4) të Marrëveshjes, aty ku bëhet fjalë për ushtrimin kolektiv të kompetencave, sikundër edhe ushtrimin e kompetencave në arsim, zhvillim ekonomik, shëndetësi, planifikim urban dhe rural, të cilat janë në kundërshtim me sistemin unik të pushtetit shtetëror në fushat e tilla, të caktuara me nenin 1 pika 1 e Kushtetutës së Kosovës, si dhe me nenin 2 pika 2 e të njejtit dokument.

Kjo është në kundërshtim edhe me normat kushtetuese mbi arsimin, neni 47-50, mbi shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, neni 51 i Kushtetutës së RKS, të cilat parashikojnë sistem unik.

Pika gjashtë (6) është në kundërshtim me mënyrën e organizimit unik të shtetit. Thënja ”Përfaqësues të autoriteti qëndror”, nënkupton krijimin e pushtetit të dytë, që nuk ka askund lidhje me normat kushtetuese.
Pika shtatë (7) është tërësisht në kundërshtim me nenin 128 të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë nen, në pikën katër (4), në të cilën nuk ka mundësi askund dhe në asnjë rast të krijohet një komandë policore për katër apo më shumë komuna. Struktura e policies është e qartë. Në këtë nen del se Policia e Kosovës korrespodon me stacionet policore të komunave e kurrsesi të Asociacionit. Në këtë mënyrë krijohet një strukturë tjetër komanduese, ajo e pushtetit të dytë të policisë, e cila është në kundërshtim me nenin 128 të Kushtetutës së Kosovës.
Pika tetë (8) ku thuhet se strukturat serbe të sigurisë do të angazhohen në strukturat e policisë së Kosovës është në kundërshtim me mënyrën e rekrutimit brenda policisë së Kosovës sipas Ligjit mbi Policinë e Kosovës dhe me Kodin Penal të Kosovës.
Edhe pika nëntë (9) na paraqitet si antikushtetuese. Nuk ka të drejtë të formohet Komanda Regjionale e Policisë. Ajo nuk është e caktuar në Kushtetutë, neni 128, pika 1-5 të saj. Kemi komandë qëndrore dhe komandë nëpër stacionet policore të nivelit komunal dhe sipas kufijve komunal. Formimi i Komandës Regjionale është pushtet i ri. Ai nënkupton pushtetin e dytë në hierarkinë komanduese të Policisë së Kosovës.
Në fund kemi pikën dhjetë (10) ku krijohet edhe nje pushtet juridik i veçantë në Veri vetëm për komunitetin serb në fushën gjyqësore. Kjo shkon në kundërshtim me sistemin unik gjyqësor të Kosovës, ku është përcaktuar vetëm një Gjykatë e Apelit për tërë territorin e Kosovës. Për këte fletë vetë Ligji mbi Organizimin e Sistemit Gjyqësor në Kosovë.

I paraqita faktet që e bëjnë Marrëveshjen e Prillit të vitit 2013 në shumë pika  antikushtetuese.

Përputhjet dhe kundërshtimet e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe të vitit 2015 në Kosovë me Marrëveshjen e vitit 2013 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 

           Përputhjet

Pika e parë (1) është në përputhje me marrëveshjen e parë të vitit 2013.
Pika katër (4),  nën pika  a, b, c, d, e, g, h, sikundër  pika j, pastaj pika 6, nën pika f, sikundër pika 15, pika 17, pika 18 dhe pika 22, janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e vitit 2013.

               Kundërthëniet

Pika e dytë (2), fjala “entitet legal”, e përdorur në këtë marrëvshje, nuk ka bazë as në Marrëveshjen e Parë dhe as në Kushtetutë. Me Kushtetutë është në kundërshtim sepse Kosova është shtet multietnik dhe është e ndaluar krijimi i çfarëdo entiteti që mbështetet në një komb. Në nenin 3 të Kushtetutës së Kosovës thuhet:

“Republika e Kosovës është shoqëri shumë etnike (…)” vazhdon neni duke përshkruar këte. Pra, ky përkufizim është shkelje flagrante e këtij neni, pa theksuar se ky përkufizim është edhe në kundërshtim me nenin 1 dhe 2 të Kushtetutës, ku përkufizohet sovraniteti dhe uniteti i shtetit.

Pika e tretë  (3) është bazë e fortë juridike –kushtetuese për shtet të pavarur serb në Kosovë. Fjala në anglisht  “Costituent assembly”:, kupton organin politiko- juridik dhe kushtetues të shtetit. Kjo është në kundërshtim me tërë parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar shteti. Në Kosovë e kemi vetëm Parlamentin e Kosovës si organ konstiutucional. Nuk kemi organ tjetër. Kjo bazë juridike e Marrëveshjes së tashme të gushtit 2015 nuk ka bazë në Marrëveshjen e vitit 2013.  Në asnjë pikë të kësaj nuk del ky përkufizim juridik I karakterit konstitucional që ishte në pikën tre (3) të Marrëvshjes së gushtit 2015. Kjo është në kundërshtim me nenin 1, 2 dhe 12, si dhe me nenet 63-82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pika e katërtë (4) , nënpika (i) kupton krijimin e pushtetit të dytë juridik. Kjo nuk nuk ka lidhje me Kushtetutën e Kosovës, por mbështetet në Marrëveshjen e viti 2013, pika e katërtë (4), pika e gjashte (6). Me Kushtetutën bie në kundërshtim me nenet 1, 2 dhe 12.

Pika 1 e Kushtetutës përcakton se nuk lejohet pushtet i dytë, përveç atij qëndror dhe lokal në bazë të komunave, përkatësisht të kufijeve komunal. Aty nuk ka kufij të asociacioneve.

Pika katër (4), nënpika (i) e Marrëveshjes së vitit 2015, nuk del nga asnjë pikë e Marrëveshjes së vitit 2013,  sidomos me pikën gjashtë (6) të kësaj marrëveshje, ku del përfaqësimi.Tash në këtë pikë del jo vetëm përfaqësimi, por edhe promovimi, shpërndarja dhe avokimi i çështjeve me interes të  përbashkët të anëtarëve të Asociacionit, duke përfshirë edhe përfaqësimin, që ishte në Marrëveshjen e vitit 2013. Ky është element i ri i shtetësisë, ku del promovimi, shpërndarja dhe avokimi, në fjalorin shqip, d.m.th. kryerja e punëve juridike, organizimin dhe ekzekutimin e tyre, veç përfaqësimit. Kjo është në kundërshtim me nenet 1,2,12, pika 1 të Kushtetutës, sepse nuk ka pushtet tjetër juridiko-politik e ekzekutiv veç komunës. Me Asociacion krijohet ky pushtet juridik, politik, organizativ dhe ekzekutiv i ri, jashtë normave kushtetuese të shtetit të Kosovës. Askund nuk ka përputhshmëri me Kushtetutën. Ky është pushtet shtetëror i shtetit të ri që krijohet.

Pika katër (4), nënpika k dhe i kupton poashtu pushtetin e dytë shtetëror. Duke thënë: “ (…) mbron interesin e përbashkët të autoriteteve qëndrore, monitoron dhe angazhohet në zbatimin e objektivave  (…)”, d.m.th. të pushtetit të Asociacionit në Asociacion dhe kundruall të tjerëve. Ne kundershtim me nenin 1 dhe 2 te Kushtetutes. Ne kundershtim me nenin 12, pika 1 e Kushtetutës, ku  thuhet: “Njësia themelore  territorial e vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat”. Me këtë nen nuk del si njësi politiko-territoriale Asociacioni. Ai nuk parashihet fare si i tillë.

Pika 6, neni  a, b, c, d, I, e, dhe f përcaktojnë tërësisht pushtet të ri, të dytë juridiko-politik e ekzekutiv, ku ka edhe elemente administrative, organizative etj. Në kundërshtim me tërë organizimin politiko-territorial të shtetit, sipas bazave juridike të sanksionuara me normat kushtetuese, ku përveç pushtetit qëndror, si pushtet i dytë është vetëm pushteti nëpër komunat e shtetit.

Me këtë  përfshihen:

Organizimi i organeve, si Kuvendi, Bordi, Presidenti, Këshilli i përbërë prej 30 anëtarëve që do të zgjedhen me votat e lira në Asociacion etj.
Punët në fushën juridike, administrative e politike, duke përfshirë edhe ate të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekzekutive, deri edhe të pushtetit administrativ me ankesa, pika (f) e Marrëveshjes së vitit 2015.

Shumë çështje këtu janë në përputhshmëri me Marrëveshjen e vitit 2013, po ka edhe çështje që nuk janë të përfshira në atë Marrëveshje. Përputhshmëria është vetëm në fushën e Kryetarit,  Nënkryetarit,  Kuvendit dhe Këshillit, pika 3 e Marrëveshjes së vitit 2013. Çështjet tjera,  si Kuvendi me karakter suprem, pika 6, nën a, pastaj zgjedhjet prej 30 vetave me vota në Asociacion, sikundër edhe pushteti juridik dhe ai administrativ-ekzekutiv, nuk janë të përcaktuara me Marrëveshjen e vitit 2013. Këto janë elemente të reja të pushtetit shtetëror, të cilat janë në kundërshtim me organizimin e pushtetit shtetëror dy shkallësh që është aktualisht i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës. Ky pushtet i Asociacionit është në kolizion me nenin 1, 2, 12 të Kushtetutës së RKS.

Pika tetë (8) dhe nëntë (9) kanë karakter të pushtetit të dytë. Me Marrëveshje të këtij viti Asoiciacioni del si organ i vetëm i bashkëpunimit me organet qëndrore. Organet e shtetit të Kosovës duhet sipas këtyre dy pikave vetëm nëpërmjet të organeve të asociacionit të bashkepunojnë me komunat serbe. Kështu  nuk ka askund në botë. Asnjë nen i Kushtetutës së Kosovës nuk e parashikon këtë raport midis organeve. Kushtetuta nuk e cakton nivelin e asociacionit si pushtet , veç komunat, neni 12, pika 1 e saj.

Pika  dhjetë  (10)  e Marrëveshjes së vitit 2015 përcakton Asociacionin si organ që ka të drejtë të propozoj amandamente kushtetuese dhe norma ligjore për çështjet e ndryshme që lidhen me objektivat e tij.

Ky segment ështe i ri. Nuk është përcaktuar në marrëveshjen e vitit 2013 dhe shkon në kundërshtim me nenin 79 të Kushtetutës së Kosovës, në të cilën këtë të drejtë e kanë: Presidenti i Kosovës; Qeveria; Deputetët e Kuvendit dhe 10 mijë qytetarë.

Duke i dhënë këtë të drejtë Asociacionit del subjekti i dytë shtetëror në Kosovë, sepse nga ky nen, vetëm tre organet e shtetit, e kanë këtë të drejtë.Tash edhe Asociacioni është organ i pushtetit shtetëror. Kjo nuk ka lidhje me punët e Asociacionit dhe arsyet pse ato krijohen.

Pika njëmbëdhjetë  (11)  i jep poashtu të drejtë si subjekt shtetëror Asociacionit për tu paraqitur pranë organeve gjyqësore, sikundër vetë shteti dhe komunat. Me këtë fiton karakter të pushtetit shteteror.

Pika trembëdhjetë  (13)  është  analizuar më herët. Sipas Marrëveshjes së vitit 2013 ashtu edhe të kësaj të vitit 2015, formimi i komandës policore në Asociacion është shkelje më e rëndë e sistemit politiko-shoqëror dhe ekzekutiv. Askund dhe në asnjë nen nuk del kjo formë e komandimit policor. Me Kushtetutë e kemi qendrën komanduese dhe komunat (Shih nenin 128 të Kushtetutës së Kosovës).

Pika e katërmbdhjetë (14) shkon kryesisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës nenin 159, pika dy (2) e saj, ku thuhet: “ Te gjitha interesat në pronësi shoqërore në prona dhe ndërmarrje në Kosovë do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës”. Me Marrëveshjen mbi AKS-në në Kosovë të këtij viti (2015) është dhënë pronësia në pronën shoqërore e shtetërore që gjindet në komunat që i takojnë AKS të Kosovës në pronësi të tyre. Kjo nuk rrjedhe nga Marrëveshja e vitit 2013. Me këte kalon pronësia në “Trepçë” dhe në “Ujman”, pastaj “Brezovica” dhe “Kishnica” në pronësi të Asociacionit.

Pika e shtatëmbdhjetë  (17) si rezultat i kësaj mbi pronësinë i jepe të drejtë AKS-së në Kosovë të nxjerrë nga asetet e tij të luajtshme dhe të paluajtshme interesa financiare. Pra, edhe këtu del “Ujmani” dhe “Trepça”, “Brezovica” dhe “Kishnica” etj., në pronësi të AKS-së së Kosovës.

Pika njëzetë (20) e Marrëveshjes së vitit 2015 i përcakton taksativisht për Asociacion simbolet zyrtare (stemën dhe flamurin), natyrisht thuhet në përputhje me Ligjet e Kosovës? Po cilat ligje? Në Kosovë e kemi vetëm një stemë. Shteti ka stemë dhe jo asociacionet. Fjalia: “në përputhje me Ligjet e Shtetit të Kosovës “, është e kotë.

Kushtetuta e Kosovës parashehë në nenin 6: “Flamuri, stema dhe himni janë simbole shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumëtnik të saj”.

Me këte dhe këto simbole, sidomos stemën dhe hymnin, vetëm shteti i ka. Nëse i lejohen AKS-së në Kosovë, stema nënkupton shtetin, hymni gjithashtu. AKS në Kosovë nuk ka të drejtë as në flamur. Ato i kanë shtetet dhe kombet flamujt e vet, të cilat rregullohen sipas Ligjit të Kosovës në fuqi..

Me këte kemi kundërshti edhe me Marrëveshjen e vitit 2013. Kjo kupton shtetin e ri që po krijohet në Kosovë..

Në fund më duhet të theksoj disa baza juridike të procedurës mbi marrëveshjet ndërkombëtare. Negociatorët e kësaj Marrëveshjeje për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe kanë krijuar një marrëveshje të re ndërkombëtare. Si e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Marrëveshjen e vitit 2013. Si marrëveshje e re ajo nuk ka vend për t’u thirrur në Marrëveshjen e vitit 2013 dhe as në Kushtetutë, se gjoja njëherë është ratifikuar dhe tash nuk ka nevoje të ratifikohet në Kuvend.

Ne nenin 18, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës qëndron: “ Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje”.

Vazhdon me pikën 1, 2, 3 dhe 4 çështjet që duhet të ratifikohen në Kuvend me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Presidenti, Kryeministri a ministrat e ndryshëm.  Asnjë  marrëveshje ndërkombëtare pa ratifikim dhe pa u botuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës nuk bëhen pjesë e sistemit tonë juridik. Kjo del nga neni 129, pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ato janë nul.