Deputetja nuk duhej të qëndronte për festë prapa grilave

Deputetja nuk duhej të qëndronte për festë prapa grilave
  • 29 November 2015 - 09:33

Shkruan: Haki N. Bunjaku

Gabimi që duhet të korrigjohet

Donika Kadaj-Bujupin e shoh si kapital të çmueshëm njerëzor

Kosovës i duhen kapacitete të tilla në udhëheqje, e jo uzurpatorë e tutorë, që mundohen të rrinë në pozitë duke keqshfrytëzuar policinë

 

Arrestimi dhe paraburgosja e deputetes dhe shefes së grupit të AAK-së, të nderuarës Donika Kadaj- Bujupi, është krejtësisht politik, si dhe vendimi i Gjykatës së Apelit për pranimin e vendimit të Gjykatës së shkallës së parë.

Një deputete, një femër inteligjente dhe e guximshme që të reagojë trimërisht dhe haptas ndaj të shëmtuarës; kurrsesi nuk meriton të burgoset dhe të poshtërohet me ato nene që janë kryesisht në politikë, interpretuar sipas urdhëresës së Kryeministrisë.

Kjo çështje nuk guxon të mbetet në heshtje, por në ditët në vijim duhet, pa kokë të nxehtë dhe pa inate partiake, të analizohet politikisht dhe juridikisht, duke pasur parasysh edhe aspektin human për respektimin subjektiv të gjinisë tjetër - të ndjeshme.

Nejse.

Kjo gafë politike e „juridike“ ka ndodhur dhe deputetja nuk ka mundur të festojë e lirë.

 

Jeni të mjerë e pa kredibilitet politik e njerëzor

 

Pa kurrfarë dileme e hezitimi, deputetja e nderuar, Donika Kadaj-Bujupi, duhet gjithsesi të festojë jashtë grilave.

Hirësia juaj në kryeministri keni bërë gabim trashanik, mëkat dhe shkelje të etikës së vendit të punës.

Unë, në sytë, në guximin dhe vendimin trimërues të deputetes, Donika Kadaj-Bujupi, shoh se Kosova ka kapital të çmueshëm njerëzor, i cili nuk do ta tolerojë poshtërimin dhe humbjen e shtetësisë së Kosovës.

Kjo femër trimëreshë hirësi ju ka gjunjëzuar e shtri për tokë, ju ka lënë pa pikë etike njerëzore e politike  (nuk po them patriotike, se atë s’e keni fare).

Dhe, në saje të aftësisë, guximit e bindjeve; kjo deputete shpet do të ulet në vendin tuaj, aty ku ju po jepni urdhra qyqare e të poshtra. Por, kam bindjen se ajo nuk do të hakmerret ndaj jush, sepse jeni të mjerë e pa kredibilitet politik e njerëzor, prandaj nuk do të zbret në nivelin tuaj dhe nuk do t’ju trajtojë kë kështu poshtërsisht e  jonjerëzisht.

 

Porosia ime për lirim

 

Kosovës i duhen kapacitete të tilla në udhëheqje, e jo uzurpatorë e tutorë, që mundohen të rrinë në pozitë duke keqshfrytëzuar policinë.

Mos harroni zotërinj që secilit i vijnë së paku nga pesë minuta në jetë, por nuk duhet t`i shpenzojmë për keqtrajtim të pozitës shoqërore.

Nuk po ju jap “leksione“ më shumë, se do shtrihem për të pushuar, por kur të ngrihem dua që porosia ime për lirimin e Donika Kadaj-Bujupi të jetë zbatuar!!!

U koritët vetë.

Na koritët neve si meshkuj.

Se burrat janë ndër hije.

E po t`ishin këtu, nuk do të ndodhte kjo idiotësi.

Kremtoni bashkërisht!

Urime Festa e Flamurit!