Mposhtja e Shtetit Islamik kërkon më shumë se bomba e ushtarë

Mposhtja e Shtetit Islamik kërkon më shumë se bomba e ushtarë
  • 30 November 2015 - 10:51

Shkruan: Kathleen Parker

Kërcënimi që vjen nga terrorizmi

Mbyllni kufijtë, dërgoni trupat ushtarake, bombardoni territoret e tyre, lë të lëvizim!

Zëri i përvojës na tregon që përpjekjet tona për ta luftuar terrorizmin vetëm sa e kanë rritur kërcënimin me kalimin e kohës. Fajësoni kë të doni, mirëpo është fakt që mijëra vdekje – të amerikanëve dhe të tjerëve – kanë krijuar vdekje të tjera

 

Brenda një jave Bejruti dhe Parisi, javën tjetër, Mali. Ankthi është i ri. Cili vend e ka radhën?

Kërcënimi që vjen nga terrorizmi e ka kapur ritmin, secili incident e ushqen atë të radhës. Frika ka zënë rrënjë, vrulli po ndërtohet. Retorika qëndron mbi arsyen, deri në momentin kur të gjitha arsyet e lëshojnë fushën!

Mirëpo, si mund ta zgjidhesh një problem si i çmendur? Si mund ta ndalosh veten nga çmenduria? Është ngjitëse! Mandej, a ka çmenduri më të madhe sesa të mundohesh të trajtosh në mënyrë racionale diçka që është irracionale?

Çfarë pengesash mund të vërë një ushtri kundër një armiku që e mirëpret vdekjen?

Ne themi: Nëse nuk ndaloni së vrari njerëz të pafajshëm, ne do t’ju bombardojmë.

Ata thonë: Fillojani! Jo, prisni. Do ta bëjmë vetë. Bum.

Asnjëri prej instrumenteve njerëzore apo standardeve morale nuk duket të ketë efekt tek këta vrasës të pamëshirshëm. E dimë që janë të çnjerëzuar, mirëpo a janë njerëz këta? Çka u mungon atyre? Herën tjetër kur ta kapim ndonjërin prej këtyre vrasësve me sy të zbrazur, ne duhet t’ua ekzaminojmë qendrën ku bëhet aktiviteti i ndjeshmërisë njerëzore. Bosh.

Si rrjedhojë, ne mbesim duke u munduar që ta mbrojmë vetveten duke u ballafaquar me demonët tanë – frika, paranoja dhe impulsi për të bërë diçka – ndonëse mund të mos jemi më të sigurt.

Mbyllni kufijtë, dërgoni trupat ushtarake, bombardoni territoret e tyre, lë të lëvizim!

 

Jemi duke luftuar me krimba të rërës

Zëri i përvojës na tregon që përpjekjet tona për ta luftuar terrorizmin vetëm sa e kanë rritur kërcënimin me kalimin e kohës. Fajësoni kë të doni, mirëpo është fakt që mijëra vdekje – të amerikanëve dhe të tjerëve – kanë krijuar vdekje të tjera. Vakumi që kemi krijuar, duke rrëzuar diktatorë brutalë, është shndërruar në mundësi të artë për koalicionet e atyre që duan të vdesin. Sulmet tona në vetëmbrojtje po bëhen armë të tyre të rekrutimit. Anshmëria jonë bëhet propagandë për ta.

Politikanët dhe kandidatët për presidentë, të cilët bëjnë garë me njëri-tjetrin mbi retorika joserioze – që bëjnë thirrje për krijim të bazave të të dhënave për myslimanët, rrëzime të xhamive dhe i krahasojnë refugjatët sirianë me qen të tërbuar – tregojnë që sëmundja ngjitëse është përhapur kudo.

Kush do të ishte për kultistët islamikë më të pakëndshëm – luftëtarët që luftojnë për ‘Fundin e Botës’ dhe rikthimin e mundshëm të ‘Profetit Jezus’ apo ata që e duan ‘lirinë’ e që i urrejnë myslimanët, që i quajnë këtë islamikë qen?

Këtë nuk po e them për ta justifikuar të menduarit e tyre absurd, mirëpo për ta theksuar realitetin e perceptimeve të tyre. Si ka mundësi që mijëra trupa amerikane – që nga terroristët konsiderohet pushtim nga të krishterët – ta ndërrojnë ose pushtojnë dinamikën që nxitet nga besimet që nuk kanë ndryshuar nga shekuj të tërë të shkencës dhe diturisë?

Sa jetë të amerikanëve jemi të gatshëm t’i sakrifikojmë për ta arritur një gjë që mund të jetë e pamundur? Ka mundësi që jemi duke luftuar me krimba të rërës, që nuk është ofendim, mirëpo një referencë në seritë ‘Dune’ të Frank Herbert – që nënkupton një armik të pandalshëm që nuk shihet deri në momentin, kur bëhet tepër vonë dhe si rrjedhojë nuk mund të shkatërrohet dhe ka një jetëgjatësi të pafundmë.

Krimbat e rërës kanë qenë të adhuruar nga ‘Fremen’-ët dhe veprimet e tyre shiheshin si veprime të drejtpërdrejta të Zotit. Herbert, që ka vdekur në vitin 1986, kishte bërë një parashikim të çuditshëm kur e kishte filluar veprën e tij në mes të viteve të 1960-a. Shumë keq që ai nuk është këtu për të na këshilluar.

 

Fitorja e luftës kundër një ideologjie, që refuzon lirinë

A do të na bënte më të sigurt kthimi i shpinës ndaj njerëzve që po masakrohen? Apo, kjo gjë do të ndikonte në krijimin e më shumë krimbave të rërës?

Kjo është një thirrje, jo për të shikuar më larg, mirëpo për të qenë shumë më të vëmendshëm dhe më kreativë. A është misioni i Shtetit Islamik, krijimi i një kalifati dhe sigurimi i ardhjes së Fundit të Botës, një çrregullim mendor? A mund të trajtohet? A është egërsia e tyre taktike patologjike? A ka doktor në Shtëpinë e Bardhë?

Fakte: Ata që i kanë kryer sulmet e 11 shtatorit kanë qenë me origjinë saudite. Njëri nga terroristët e Parisit ishte futur në Evropë me një grup refugjatësh. Një femër që është vrarë të mërkurën në një aksion policor ishte lindur në Paris dhe ishte mbuluar me shami myslimanësh para vetëm një muaji. Çka e shtyn një person t’i nënshtrohet një sistemi kaq nihilist të besimit? Çka e shndërron një të ri modern në një kamikaz vrasës? Këto janë enigmat që duhet t’i zgjidhim.

Fitorja e luftës kundër një ideologjie që refuzon lirinë dhe e dëshiron vdekjen do të kërkojë më tepër sesa bomba e ushtarë. Ky mision kërkon gjeni.

Kathleen Parker është kolumniste amerikane që e ka fituar çmimin ‘Pulitzer’, që shkruan kolumne për ‘The Washington Post’.