Pushteti pa autoritet

Pushteti pa autoritet
  • 01 December 2015 - 09:44

Shkruan: Arben Hoxha

Masat represive policore mbi opozitën

Si është e mundur që pushteti të manifestojë kaq shumë dhunë ndaj opozitës?

Më 28 Nëntor, mungesën e autoritetit pushteti politik e shpërfaq përmes pushtetit policor. Masa e ushtrimit të dhunës dhe terrorit është në përpjesëtim të drejtë me masën e zbrazjes së pushtetit politik nga fuqia e autoritetit të tij. Dhuna që e pamë më 28 Nëntor është mbushje e boshësisë së autoritetit politik e moral të pushtetit në Kosovë

Pas Luftës së Dytë Botërore, Duajt Mekdonalld (Dwight Macdonald), nën trysninë e kujtesës për Holokaustin, pati thënë se tani “duhet të kemi më shumë frikë nga personi që i bindet ligjit se sa nga shkelësi i tij”. Kur “zbatimi i ligjit dhe i rendit”, “shteti ligjor”, përdoren si kategori moralizuese përmes së cilave racionalizohet shtypja e qytetarit dhe mohimi i lirisë së tij për të kundërshtuar, atëherë për lirinë qytetare, shkelja e ligjit bëhet  detyrë imediate.

Më 28 Nëntor eskorta policore e Kosovës, me urdhër të pushtetarëve politikë, ndërmori një sulm mbi tri simbolet, që mishërojnë idenë e bërjes së të tërës së vetes sonë si komb:

1) Policia e Kosovës ndërmori masa represive ndaj opozitës në ditën e 28 Nëntorit, ditën që shënon simbolin e përpjekjeve të shqiptarëve për lirinë dhe bërjen e vetes së tyre;

2) Policia e Kosovës sulmoi dhe rrahu brutalisht veteranë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve në rrugën që mban emrin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Dhuna policore në rrugën që mban emrin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, në ditën e 28 Nëntorit, është shenja e përmasës së shpërfilljes që shteti i Kosovës i bën dinjitetit të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e në mënyrë të veçantë, shpërfilljes dhe mohimit që ai i bën idesë së të drejtës sonë për të qenë sovran karshi Serbisë;

3) Policia e Kosovës e sulmoi brutalisht selinë e një partie opozitare parlamentare, e kjo do të thotë se ajo sulmoi idenë e pluralizmit, si dimension formal i demokracisë, ndërsa duke burgosur deputetin Albin Kurtin bashkë me 90-të aktivistë të tjerë, ajo e sulmoi idenë për demokracinë e institucioneve dhe idenë për lirinë qytetare në Kosovës, sot dhe nesër.

Eskorta policore në Kosovë, me veprimet e saj represive ndaj opozitës, me 28 Nëntor e shpërfaqi veten si instrument i bashkërenditur i pushtetit,  sepse si e bashkërenditur dhe e ndërvarur prej pushtetit ajo do të mund ta arsyetojë qëllimin e veprimit të vet asimetrik ndaj opozitës.

Përmasa e përjashtimit, si formë diskrete e dhunës

Si është e mundur që pushteti të manifestojë kaq shumë dhunë ndaj opozitës? Në fillim forcat politike në pushtet, parë nga pamjet që plasoheshin në ekranet tona televizive, përpiqeshin të krijonin përshtypjen te opinioni publik, se ato kishin mirëkuptim për kërkesat e opozitarëve. Madje, pati zëra se bëhet fjalë për një lojë të pozitës (PDK-së) e opozitës për arritjen e një qëllimi të përbashkët mes tyre. Prej nga tashti kjo urrejtje ndaj opozitës? Vërtet, a ka pasur ndonjëherë mirëkuptim për kërkesat e opozitës nga forcat politike në pushtet? Pse dje forcat politike në pushtet dukeshin se ishin të durueshëm ndaj kërkesave agresive, pse jo, edhe të dhunshme të opozitës, dhe pse sot u bënë të padurueshme ndaj partive opozitare?

Përgjigjja qëndron te bindja e gabuar që paritë në pushtet kanë pasur për qëndrueshmërinë e autoritetit të pushtetit të tyre, i cili – do të konsideronin ata - vjen nga aftësia për të vepruar në bashkërendim. Partitë në pushtet janë munduar ta bindin veten dhe opinionin e gjerë se marrëveshjet e arritura janë produktit i veprimeve të bashkërenditura mes tyre, bashkësisë ndërkombëtare dhe forcave politike opozitare. Duke krijuar iluzionin për pacenueshmërinë e autoritetit të pushtetit të tyre, rrjedhimisht, ato do ta krijojnë iluzionin për pacenueshmërinë e vlershmërisë së dy Marrëveshjeve. Rezistenca e partive opozitare me gaz lotsjellës, shishe uji etj., do të shërbejnë si mjete për ta bërë të dukshme atë që pozita përpiqej ta fshihte: mungesën e bashkërendimit të pikëpamjeve dhe veprimeve në mes të pozitës dhe opozitës për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe. Në të vërtetë, mjetet e dhunës, si mjete për manifestimin e qëndrimeve politike, do ta shpërfaqin përmasën e përjashtimit (si formë diskrete e dhunës) nga procesi i vendimmarrjes që pozita do t’i bëjë opozitës.

Përjashtimi (si mjet i dhunës morale, i cili më pas u tentua të “kompensohet” me debat pa ndonjë obligim ligjor ) i opozitës nga procesi i vendimmarrjes, prej forcave politike në pushtet  do të vihet në funksion të të bërit të padukshëm të padrejtësisë dhe dëmit që mund të sjellin të dy Marrëveshjet; dhuna e opozitës në parlament do të jetë në funksion të problematizimit dhe aktualizimit të padrejtësisë dhe dëmit që dy Marrëveshjet mund t’i shkaktojnë të ardhmes së Kosovës, nëse ato pranohen dhe zbatohen.

“Përgjegjësitë kushtetuese shtetërore”, “detyrën për shtetndërtimin e Kosovës”, për “ruajtjen e rendit dhe ligjit”, “për integrimet evropiane” etj.; paritë në pushtet do t’i përdorin si koncepte moralizuese dhe si instrument të racionalitetit për ushtrimin e autoritetit pushtetor me qëllim të bindjes pa kusht të qytetarit. Ndërsa, përmes binomeve polare: të mirët – të këqijtë, e djeshmja- e sotmja; partitë në pushtet do të përpiqen që ta krijojnë një skemë njohëse çorientuese, në të vërtetë manipuluese, për perceptimin e opinionit për atë që ndodh në Kosovë. Përmes binomeve polare: të mirët – të këqijtë, e djeshmja- e sotmja; forcat në pushtet do të prodhojnë pamje për realitetin politik të Kosovës që është në përputhje me interesin e tyre, e jo të qytetarit, si p.sh.: “Opozita është e dhunshme, ajo po i cenon fizikisht kolegët dhe institucionet shtetërore të Kosovës; ne, partitë në pushtet, jemi konstruktive, jemi për debat, jemi kundër dhunës, jemi në mbrojtje të institucioneve, në mbrojtje të shtetit; ata po përpiqen ta marrin pushtetin me dhunë, ne jemi për ligj dhe për rend; ata e kanë fuqinë e dhunës, ne kemi fuqinë e argumentit”. E zhveshur nga lidhja logjike shkak-pasojë e ngjarjeve, një skemë e tillë e njohëse do të jetë tejet funksionale për manipulimin e opinionit të painformuar mjaftueshëm. Pse?

Njeriu i zakonshëm dhe i painformuar sa duhet, duke rënë pre e një skeme të tillë, mbetet i paqartë: Kush është për shtetin e Kosovës? Kush po përpiqet për zhvillimin e lirisë tonë? Kush dhe për cilën liri kujdeset? Liri nga kush dhe për kë?

Përmes “pafajësisë”, si tipar moral i ushtrimit të autoritetit, partitë në pushtet do të synojnë që ta tjetërsojnë kuptimin e qëllimit të vërtetë të opozitës. Pasi t’i ndajnë mjetet nga qëllimi, pozita do ta tjetërsojë qëllimin (dhe kuptimin e qëllimit) politik të opozitës, duke i bërë objekt vlerësimi vetëm mjetet që do t’i përdorë opozita. Në atë mënyrë pozita do të përpiqet që t’i çpolitizojë veprimet dhe qëllimet politike të opozitës. Pse është i nevojshëm çpolitizimi i rezistencës kundërshtuese të opozitës nga qeveritarët?  Duke e tjetërsuar qëllimin e opozitës, pozita, në njërën anë, do të synojë që ta maskojë aktin e padrejtësisë ndaj qytetarëve për marrëveshjet e arritura pa pjesëmarrjen dhe pa përfshirjen në vendimmarrje të opozitës dhe, nga ana tjetër, duke e çpolitizuar revoltën dhe rezistencën e opozitës, ajo do të synojë që para qytetarëve opozitën ta nxjerrë si një forcë vandale, destruktive, e cila i rrezikon rëndë interesat e qytetarëve, të shtetit dhe e rrezikon rëndë lirinë e Kosovës.

Trajtimi i qytetarit si kategori e paaftë

Që nga paslufta zotëruesit e pushtetit politik të Kosovës, qytetarin e kanë trajtuar si kategori e paaftë për ta ushtruar vullnetin politik. Në të vërtetë një tezë e tillë atyre u ka  shërbyer për ta legjitimuar sundimin ndaj tij. Pushtetmbajtësit në Kosovë janë përpjekur që statusin e qytetarit ta zbresin në nivelin e statusit të banorit, ndërsa statusin e deputetit ta zbresin në nivelin e statusit të qytetarit. Duke e zbrazur konceptin e qytetarisë prej policitetit, si thelb i përmbajtjes së tij, pushtetarët në vazhdimësi kanë pretenduar që qytetarin ta shndërrojnë në makinë votuese për nevoja e legjitimimit të sundimit të tyre. Qytetari nuk është pyetur as për Planin e Ahtisarit, as për Kushtetutën e as për Flamurin e Kosovës. Pushtetmbajtësit me qëllim të totalizimit të pushtetit të tyre, të njëjtën masë degradimi, të statusit të qytetarit, do të pretendojnë ta zbatojnë edhe për degradimin e statusit të deputetit (dhe atë jo me më pak sukses): qenia e deputetit duhet të zbrazet nga dimensioni i realitetit të përfaqësimit politik; deputeti duhet të “zbresë” në masën e njeriut që jeton e vepron brenda përgjegjësive qytetare, por jo edhe të atij që ka përgjegjësi për sovranitetin e vendit. Të dy Marrëveshjet lidhen me sovranitetin. Në idenë e sovranitetit manifestohet vetëdija e një kombi për bërjen e vetës. Qytetari me statusin e banorit, ndërsa deputeti me statusin e qytetarit, bëhen të paaftë për të marrë vendime për çështje të sovranitetit. Mosbërja publike i dy Marrëveshjeve dhe përjashtimi jo vetëm i qytetarit nga debati për to, por edhe i opozitës, do të jetë në vazhdën qëllimeve të autokracisë pushtetore për shuarjen e idesë së sovranitetit, e kjo do të thotë për shuarjen e dëshirës, vullnetit dhe aftësisë së qytetarëve për ta drejtuar të ardhmen sipas projektit të vetërealizimit  të qenies së tyre kolektive dhe individuale.

Pas Luftës së Dytë Botërore Dwight Macdonald-i, nën trysninë e kujtesës për Holokaustin, pati thënë se tani “duhet të kemi më shumë frikë nga personi që i bindet ligjit se sa nga shkelësi i tij”. Kur “zbatimi i ligjit dhe i rendit”, “shteti ligjor”, përdoren si kategori moralizuese përmes së cilave racionalizohet shtypja e qytetarit dhe mohimi i lirisë së tij për të kundërshtuar, atëherë për lirinë qytetare, shkelja e ligjit bëhet detyrë imediate.

Më 28 Nëntor, mungesën e autoritetit pushteti politik e shpërfaq përmes pushtetit policor. Masa e ushtrimit të dhunës dhe terrorit është në përpjesëtim  të drejtë me masën e zbrazjes së pushtetit politik nga fuqia e autoritetit të tij. Dhuna që e pamë më 28 Nëntor është mbushje e boshësisë së autoritetit politik e moral të pushtetit në Kosovë. 

Kamy thoshte se “çdo vlerë nuk shkakton revoltë, por çdo impuls revolte kërkon në mënyrë implicite një vlerë”. Rezistenca e opozitës është bazuar në dhe ka prodhuar një synim vleror. Më 28 Nëntor dhuna dhe reprezaljet e policisë të dirigjuara nga pushtetmbajtësit në Kosovë janë simptoma e fillimit të përfundimit të paradigmës së qeverisjes autoritare dhe fillimit të paradigmës të qeverisjes sipas modelit të “demokracisë organike”, ku qytetarët do të jenë të mirinformuar për atë që ndodhë dhe vetëdijshëm do të jenë të përfshirë në të ndodhurën e të bërit të vetës së tyre.