A është Siria fillimi i fundit të Putinizmit?

A është Siria fillimi i fundit të Putinizmit?
  • 01 December 2015 - 09:49

Shkruan: Colbert I. King

Rusët po kthehen në shtëpi të vdekur

Kremlini po mundohet ta mbajë në pushtet Assad-in me çdo kusht

Ariu rus është plagosur. Mirëpo, etja për aventura nuk është shuar nga pengesat e Shtetit Islamik dhe gabimet ushtarake

Të gjithë patën qeshur kur presidenti Obama pati paralajmëruar që Rusia po futej në një kënetë siriane.

Të gjithë kishin qeshur me Christopher Columbus kur kishte thënë që toka ishte e rrumbullakët .

Të gjithë kishin qeshur kur Edison-i kishte incizuar zëra.

Të gjithë kishin qeshur me Wilbur-in dhe vëllanë e tij kur ata patën thënë që njeriu mund të fluturonte.

Mirëpo, shikojeni Rusinë e Vladimir Putin-it në Siri. Natyrisht, ajo që po i ndodh Moskës së armatosur me armë nukleare nuk është diçka për t’u qeshur.

E ballafaquar me probleme të mëdha ekonomike në vend, Rusia po mundohet ta mbështesë një aleat të dobët e të mbrapshtë në Lindjen e Mesme – regjimin e Bashar al-Assad-it në Siri.  Kremlini po mundohet ta mbajë në pushtet Assad-in me çdo kusht. Rusët po kthehen në shtëpi të vdekur.

Arkivolet theksojnë koston e intervenimit të njëanshëm

Domethënë:

— Një aeroplan rus me 224 njerëz në bord ishte rrëzuar në Egjipt nga një bombë e montuar nga Shteti Islamik si hakmarrje për veprimet e Putin-it në Siri;

— Një aeroplan ushtarak i Rusisë është rrëzuar pasi është futur në hapësirën ajrore të Turqisë, duke shënuar kështu rrëzimin e parë të një aeroplani rus nga një anëtar i NATO-s në 60 vitet e fundit.

— Një helikopter rus që ishte nisur në mision kërkim-shpëtimi për pilotin e mbijetuar është rrëzuar nga rebelët sirianë.

Arkivolet theksojnë koston e intervenimit të njëanshëm të Putin-it në Lindjen e Mesme, ku tensionet janë në nivelin më të lartë.

Në anën tjetër, agjencia ruse e lajmeve, ‘Tass’, ka raportuar që për dallim nga krizat e tjera ekonomike, për herë të parë që prej fillimit të viteve të 2000-a, Rusia po përjeton rënie në të hyrat reale. “Masat e ndërmarra nga qeveria për ta mbështetur ekonominë e popullsisë nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë Alexei Kudrin, ish- ministër i Financave dhe kryetar i Komitetit të Iniciativave Civile.  

Teksa sytë e Putin-it janë të kthyer nga Siria, në Rusi po rritet inflacioni, ekonomia po bie, varfëria po rritet, zhvillimi është ngadalësuar dhe rubla po pëson rënie. Sanksionet perëndimore po e shtrydhin Kremlinin dhe ‘qumështi i nënës’ për Rusinë – të ardhurat nga nafta – janë goditur rëndë nga rënia e çmimeve.

Siç ka shkruar David W. Lesch në politikën e jashtme:

 “Ndoshta intervenimi i Putin-it në Siri do të rezultojë me diçka të ngjashme me fitoren e Egjiptit në vitin 1957 apo zgjerimin e papritur të Bashkimit Sovjetik në fund të viteve të 1950-a, që ishte përcjellë nga një shtim i ‘dhimbjeve të kokës’ në politikën e jashtme. Pas pesëdhjetë vitesh, historianët mund ta identifikojnë lëvizjen e Rusisë në Siri (këtë të vitit 2015) si fillimin e fundit të Putinizmit, sikurse që lëvizja e vitit 1957 konsiderohet si fillim i fundit të Naserizmit”.

Kjo nuk është arsye për të brohoritur, sidomos jo përderisa Putin-i vazhdon të ketë ëndrra për të qenit një superfuqi. Ariu rus është plagosur. Mirëpo, etja për aventura nuk është shuar nga pengesat e Shtetit Islamik dhe gabimet ushtarake. Fatmirësisht, kriteret për t’u bërë një superfuqi e barabartë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë larg për t’u mbërritur nga Rusia.

Rusia nuk ka kapacitet për ta rivalizuar SHBA-në

Nëse suksesi nacional matet nga fuqia ekonomike, Rusia është shumë prapa. Ajo është prapa SHBA-së në rritjen ekonomike dhe atë të popullsisë, në trupa të armatosur dhe në shumicën e armëve. Dhe qeveria e Rusisë, që po humbet resurse shumë të vlefshme për shkak të aspiratave të Putin-it për t’u shndërruar në një superfuqi botërore, nuk është në pozitë të lakmueshme për t’i përmbushur obligimet sociale ndaj njerëzve të vet.

Obama ka të drejtë kur nuk ia bën qejfin Putin-it për t’u lëshuar në krahasime mes tyre. Ai ka të drejtë edhe kur nuk flet për besimin që ka në ndikimin e imagjinuar të Rusisë në skenën ndërkombëtare. Dhe, natyrisht, Obama ka të drejtë kur vazhdon me kokë të qetë ndërtimin e koalicionit ndërkombëtar për lansimin e sulmeve ndaj terrorizmit global.

Sa u përket fajkonjve të ulur pranë tavolinave, si puna e kandidatit për president nga radhët e Partisë Republikane, Sen. Lindsey O. Graham, që bën thirrje për vendosje të 20.000 trupave amerikanë në terren, përgjigjja është shumë e thjeshtë: Mbushjani mendjen republikanëve që kontrollojnë Kapitol Hillin që ta kalojnë rezolutën në Kongres që kërkon që presidenti t’i vendosë dhjetëra-mijëra amerikanë në Siri dhe Irak.

Çdo të mirë, Zotëri Graham.

Është e qartë që kapaciteti i Putin-it për t’i turbulluar ujërat është shumë i madh. Mirëpo, i tillë nuk është edhe kapaciteti i Rusisë për ta rivalizuar SHBA-në si superfuqi botërore dhe për t’i dominuar ngjarjet në Lindjen e Mesme – ndonëse një gjë të tillë mund ta pretendojnë kritikët e Obama-s, që për qëllim kanë mosdhënien e meritave për këtë president.

E, edhe kjo nuk është për t’u qeshur.

(Colbert Isaiah King është kolumnist që e ka fituar çmimin ‘Pulitzer’)