Amerika nuk është fajtore për Gjykatën Speciale Evropiane për Kosovën, por ata që nuk e paditën Serbinë për gjenocid

Amerika nuk është fajtore për Gjykatën Speciale Evropiane për Kosovën, por ata që nuk e paditën Serbinë për gjenocid
  • 22 May 2015 - 08:59

Shkruan: Prof. Dr. Mehdi HYSENI

 Barometri diplomatik

Se Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë këtë e dëshmon edhe kjo deklaratë e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton (shpëtimtar i Kosovës shqiptare), i cili,   para gjithë botës pohoi se: "'KRIZA E KOSOVËS ISHTE NJË GJENOCID NË ZEMËR TË EVROPËS - THE KOSOVO CRISIS WAS A GENOCIDE IN THE HEART OF EUROPE".

Pavarësisht nga shpifjet dhe të pavërtetat e politikës, të drejtësisë, të propagandës dezinformuese dhe të diplomacisë së qarqeve zyrtare të Beogradit, Serbia ka kryer gjenocid klasik në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999. Këtë e dëshmojnë vrasjet, ekzekutimet, terrori, përdhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare, qindra e mijëra të masakruar dhe varrezat masive, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin brenda në Serbi deri në lumin Danub.

Ia vlen të nënvizojmë se, Bill Clinton qe njëri nga shtetarët e parë të botës, që tha se Serbia ishte ajo që bëri "gjenocid në zemër të Evropës" (1999).

Mungoi padia e palës shqiptare

Mirëpo, që atëherë, kaluan 16 vjet, ku ishim ne, pse  ky gjenocid i Serbisë çetniko-fashiste të Serbisë së Slobodan Milosheviqit, i kryer kundër 2 milionë  e gjysmë shqiptarëve në Kosovë (1998-1999), u la në harresë dhe u hesht, sikur të mos kishte ndodhur kurrë ngaqë ende nuk u dënua ligjërisht as nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, as nga Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë. Në mungesë të një reagimi të këtillë të sinkronizuar të sistemit të politikës dhe të drejtësisë së Tiranës dhe Prishtinës, gjenocidi serb (qe 16 vjet) nuk ishte as temë debati politik a diplomatik e BE-së, as e OKB-së e as lëndë paditëse penale për  shqyrtim nga gjykatat evropiane dhe ndërkombëtare!

Amnistia dhe harresa njëshekullore shqiptare, bënë  që të përsëritet gjenocidi serb në Kosovë, gjatët viteve 1998-1999.

Një nonsens  i këtillë ndodhi, sepse  drejtësia, politika dhe diplomacia shqiptare, qe 16 vjet ndodheshin në "pushim vjetor"!? – Nuk  "kanë pasur kohë", që të përgatisin, as t'i shqyrtojnë dosjet për krimet e gjenocidit serb në Kosovë (`998-1999).

Absurditet dhe padrejtësi, edhe sa vjet, duhet të kalojnë në pritje, e Prishtina dhe Tirana, të ushtrojnë aktpadi ligjore kundër kryerjes së gjenocidit të Serbisë në Kosovë (1998-1999)? – Mos, dikush po prêt derisa Serbia  dhe Kosova ta nënshkruajnë në Bruksel ndonjë marrëveshje përfundimtare të kompromisit politik në favor të kantonizimit të Republikës së Kosovës? – Jo, atëherë, por edhe tani, janë në vonesë Prishtina dhe Tirana sa i përket ngritjes së aktpadisë penale kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovës, sepse mungesa e përpilimit të një aktpadie të këtillë kundër gjenolcidit serb, bëri që Beogradi dinakërisht dhe në mënyrën më të rafinuar politike dhe diplomatike, t'i shmanget verdiktit penal ndërkombëtar nga Tribunali i Hagës  për kryerjen e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Serbia në avantazh, pse!?

Duke qenë se politika, diplomacia dhe drejtësia e boshtit Prishtinë – Tiranë, për 16 vjet nuk ia arritën të ngrenë padi përpara gjykatave përkatëse vendore, as atyre evropiane e ndërkombëtare, që t'i ndëshkojnë krimet e gjenocidit të Serbisë në Kosovë,  Beogradi zyrtar me propagandën, me pilitikën dhe me diplomacinë e tij perfide antishqiptare ia arriti që ta "thyejë akullin"  e diplomacisë evropiane dhe ndërkombëtare, në mënyrë, që të rehabilitohej Serbia për kryerjen e gjenolcidit të saj në Kosovë(1998/1999).

Pse Gjykata Speciale Evropiane jo në Beograd, por në Prishtinë!

Për këtë fajin kryesor e ka heshtja dhe vonesa 15-vjeçare e politikës dhe e drejtësisë së Kosovës, që nuk e kanë sjellë Serbinë në "bankën e zezë" për kryerjen e gjenocidit të saj në Kosovë (1998/1999).

Tani, ky faj dhe kjo përgjegjësi nuk mund t'i atribuohet as Amerikës e as BE-së, duke qenë se Prishtina zyrtare plot 15 vjet nuk ushtroi padi penale ndërkombëtare kundër gjenocidit serb në Kosovë, këtë vakuum politik dhe diplomatik, e shfrytëzoi Beogradi, duke hedhur "topin në oborrin" e UÇK-së për shkak se "theu akullin" në Bruksel, duke u përqafuar me viktimën, pa dhënë asnjë llogari për gjenocidin e Serbisë, të kryer në Kosovë.

Tani, na erdhi mirë apo jo, e pranuam apo jo, formimi i Gjykatës Speciale Evropiane  për Kosovën, është "dhuratë" e drejtpërdrejtë e politikës dhe e diplomacisë së dështuar të Kosovës.

Çfarë turpi, papërgjegjësie, çfarë naiviteti dhe çfarë kapitullimi politik dhe diplomatik, në vend se Prishtina zyrtare (si viktimë  e gjenocidit serb), të merrte iniciativën për paditjen e Serbisë për gjenocid, ndodhi e kundërta, Beogradi ia arriti, që ta bindte Evropën dhe Amerikën për formimin e Gjykatës Speciale Evropiane për Krime të Luftës në Kosovë!?

Tash, përkundër reagimeve kundërshtuese brenda-qeveritare dhe të kuvendarëve (pozitë dhe opozitë), formimi i Gjykatës Speciale Evropiane është akt i kryer, qoftë në Bruksel apo në Nju-Jork në kuadrin e KS të Kombeve të Bashkuara, ashtu siç vuri në dijeni edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, znj. Tracey Ann Jackobson.

Për këtë çështje nuk mund të fajësohen as Amerika e as BE-ja, por vetëm  politika dhe diplomacia zyrat e Kosovës, e cila, që 15 vjet nuk ka ushtruar aktpadinë penale ndërkombëtare kundër kryerjes së gjencidit  të Serbisë në Kosovë (1998/1999).

Gjithashtu, hyrja e palës shqiptare e Kosovës në bisedime me palën serbe të Beogradit (pa e shtruar asnjë kusht, që, Serbia, të vihej përpara drejtësisë ndërkombëtare për shkak të kryerjes së gjenocidit të saj në Kosovë),  bëri që propozimi dhe aktpadia e Serbisë për "krime lufte" të UÇK-së, të miratohet nga instancat përkatëse të BE-së, që të themelohet Gjykata Speciale Evropiane për Krime të Luftës në Kosovë.

Krimi i gjenocidit nuk përshkruhet, por heshtja dhe vonesa e ndëshkimit të tij, mund të jenë me pasoja të rrezikshme për viktimat e tij, sepse, po qe se nuk ndëshkohet në kohën e duhur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ai mund të përsëritet në të njëjtën formë, apo në formë edhe më të vrazhdë, më drastike dhe më ataviste, ashtu sikurse gjenocidi i Serbisë në Kosovë më 1998/1999, i përsëritur pas 100 vitesh për shfarosjen kolektive të shqiptarëve. Nga ky gjenocid serb u tmerrua jo vetëm Ballkani, por edhe  Evropa, si dhe mbarë bota e qytetëruar e sotme.

Amnistimi absurd i gjenocidit serb

Megjithëkëtë, ja kaluan 16 vjet (1999-2015), por tre gjenocidet e Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, ende nuk iu nënshtruan verdiktit të  drejtësisë dhe të gjyqësisë  evropiane dhe ndërkombëtare.

Ky amnistim absurd i gjenocideve të Serbisë ndikoi më se negativisht në  marrëdhëniet e saj me shtetet fqinje, të cilat ishin viktima të saj, sepse Beogradi zyrtar deri më sot nuk ka pranuar se Serbia ka kryer tre gjenocide në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë.

Kjo është padrejtësia serbe, e cila, nëse nuk ndëshkohet nga Evropa dhe nga bashkësia ndërkombëtare, mund të vampirizohet sërish, sikurse në vitet e 90-ta të shekullit XX, sepse kishin kaluar më se 100 vjet, as Evropa e as bashkësia ndërkombëtare nuk i kishin dënuar  gjenocidet e mëparshme të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë (1878-1999).

Për hir të përqafimit të parakohshëm me Beogradin, harruan gjenocidin e Serbisë!

Si rrjedhim, këtë gabim politik të palës negociuese shqiptare të Kosovës, Serbia diti ta kapitalizojë në interesin e politikës së saj shtetërore, duke iu shmangur përgjegjësisë morale dhe ligjore para Evropës dhe para bashkësisë ndërkombëtare. Në vend se të ballafaqohej  me drejtësinë për krimet e gjenocidit të saj, Serbia shpiku dialogun me palën shqiptare të Kosovës, kinse për "normalizimin" e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.

Këtë avantazh të politikës dhe të diplomacisë antishqiptare të lidershipit të Beogradit, e bëri të mundur politika kapitulluese e Prishtinës zyrtare, e cila pranoi një dialogim të nxituar dhe të pabarabartë me palën serbe në Bruksel, para se të kërkonin llogari ligjore ndërkombëtare për dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Ky potez i gabuar i politikës së qeverisë së Kosovës, bëri që më pas, të vinte në shprehje formimi i Gjykatës Speciale Evropiane për "krimet e luftës" në Kosovë, në vend se të ndodhte e kundërta, krijimi i Gjykatës Speciale Evropiane për denoncimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë(1998/1999).

Fatkeqësisht, këtë fatalitet politik dhe diplomatik (me plot koncesione, shtrembërime dhe me konstatime të pathemelta justifikuese), duke u shndërruar në "objekt" të interesave të politikës shtetërore të Serbisë, e dëshmon edhe vazhdimi i dialogimit të mëtejmë të Prishtinës me Beogradin në Bruksel nën monitorimin e BE-së, pa parashtrimin e këtyre kushteve të domosdoshme të pajtimit dhe të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë: 1) Heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë (2006); 2) Kërkimfalja kolektive për GJENOCIDIN e kryer serb në Kosovë; 3) Hapja e të gjitha varrezave masive të shqiptarëve në territorin e Serbisë; 4) Gjetja e të gjithë të zhdukurve shqiptarë, të cilët qe 16 vjet  "flenë" nëpër  varrezat masive të betonuara në Serbi; 5) Dëmshpërblimi i reparacioneve të luftës; 6) Njohja e Republikës së pavarur të Kosovës.