Marco Rubio dhe Bernie Sanders, fituesit e vërtetë në Ajova

Marco Rubio dhe Bernie Sanders, fituesit e vërtetë në Ajova
  • 05 February 2016 - 09:22

Shkruan: Ruth Marcus

Gara për president të SHBA-së

Në aspektin afatshkurtër, Donald Trump ka qenë humbësi më i madh

Në aspektin afatgjatë, nëse votimet në Ajova nxisin Rubio-n drejt nominimit, humbësja më e madhe do të ishte Hillary Clinton

Me numra, Ted Cruz e ka fituar Ajovën. Fituesi teknik te demokratët është i paqartë, mirëpo i parëndësishëm. Gjykimi i fituesit me anë të një të dhjetës së përqindëshit është një gjë qesharake pasi ato që po maten janë vota të delegatëve, e jo të dhjetëra-mijëra individëve. Megjithatë, gara për vendin e parë nuk ka qenë lajmi më i madh i mbrëmjes. Fituesit e vërtetë të mbrëmjes kanë qenë Marco Rubio, që fuqishëm e ka zënë vendin e tretë dhe Bernie Sanders, me atë që mund të quhet barazim. Në aspektin afatshkurtër, Donald Trump ka qenë humbësi më i madh – gjë që mund të thuhet për çdo kandidat që para votimeve i prin listës së kandidatëve, e sidomos për dikë që vazhdimisht e përsërit faktin që ai është fitues. Megjithatë, në aspektin afatgjatë, nëse votimet në Ajova nxisin Rubio-n drejt nominimit, humbësja më e madhe do të ishte Hillary Clinton. Në anën e republikanëve, rezultatet e Ajovës e kanë vënë Rubio-n në një pozicion të fuqishëm për t’u larguar nga baza e partisë dhe të pretendojë të jetë një alternativë e Cruz-it dhe Trump-it.

Performanca e mirë e Rubio-s

Nuk duhet t’ia heqim meritat Cruz-it për faktin që ka shërbyer si ‘vrasës’ i Trump-it. Ai ka rrëzuar pritshmëritë e sondazheve të publikuara në momentet e fundit dhe ka demonstruar se çka mund të bëjë fuqia e një organizate këmbëngulëse. Rrjeti i mbështetjes ungjillore dhe kontaktet e vazhdueshme që ai i ka mbajtur me votuesit kanë dalë të jenë më të qëlluara sesa qasja ‘unë mbaj kampanjë dhe ata do të më votojnë’ e Donald Trump-it. Mirëpo, përveç suksesit të madh të Cruz-it, rezultatet e së hënës ilustrojnë kufizimet e joshjes së Trump-it. Në këtë vlerësim mund të ketë elemente të mendimit shpresëdhënës nga ana ime, megjithatë besoj që diçka më e madhe është duke ndodhur. Gjatë gjithë javës në Ajova unë i kam marrë në pyetje votuesit e pavendosur të Partisë Republikane. Ata ishin të pavendosur, megjithatë e dinin që nuk do ta votonin Trump-in. Ai ishte renditur në shumicën e listave të tyre, si një person i papërvojë në politikë dhe një person, ideologjisë së të cilit nuk mund t’i besohet. Andaj, shumica prej tyre do të duhej të vendosnin në mes Cruz-it dhe Rubio-s. Fakti që Rubio është afruar aq shumë sa për të qenë vetëm një për qind prapa Trump-it – kandidatit që ka udhëhequr në të gjitha sondazhet para votimeve – është numri më domethënës i mbrëmjes. Performanca e mirë e Rubio-s është lajm i keq për Chris Christie-n, Jeb Bush-in dhe John Kasich-un. Nju-Hempshajër nuk është territor pjellor për Cruz-in; më shumë i shkon për shtati Rubio-s. Atje, ai mund t’i thërrasë votuesit ungjillorë dhe t’ua rrëfejë tregimin e tij joshës. Unë kam dalë nga evenimentet e Rubio-s me një ndjesi që Clinton duhet të jetë tejet e nervozuar kur thuhet që ai mund të jetë kundërshtari i saj në zgjedhjet e përgjithshme. Duke supozuar që ajo ia del të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme, gjë të cilën unë ende e mendoj. Rezultati i ngushtë në radhët e Partisë Demokratike ofron prova të mjaftueshme për fuqinë e joshjes së Sanders-it. Në mes të Sanders-it dhe Clinton-it, barazimi i shkon për shtati atij që nuk është favorit. Nëse keni ndonjë pyetje, atëherë shtrojani vetes: Cila kampanjë ka festuar të hënën mbrëma dhe cila kampanjë është munduar ta kuptojë se çka nuk shkoi siç duhej?

Ajova e ka dëshmuar aftësinë e Sanders-it

Para tetë vjetësh, Ajova ia kishte dhënë një goditje të fortë Hillary Clinton-it. Këtë vit Ajova nuk e ka dëmtuar aq shumë Clinton-in, mirëpo e ka ndaluar atë nga dëmtimi i Sanders-it, që tani me optimizëm futet në territorin ‘miqësor’ për të, atë të Nju-Hempshajërit. Në anën e demokratëve, barazimi funksional në Ajova dhe fitorja potenciale e Sanders-it në Nju-Hempshajër nuk shënon fundin e kandidaturës së Clinton-it – larg prej kësaj. Ky nuk ka qenë fillimi që ajo e ka dashur, mirëpo kalendari pas Nju-Hempshajërit është shumë më i përshtatshëm për të në aspektin e demografisë. Megjithatë, Ajova e ka dëshmuar aftësinë e Sanders-it për të garuar me Clinton-in, organizata e së cilës ka pasur shumë më tepër kohë dhe resurse në Ajova. Edhe fuqia e tij për mbledhjen e fondeve është domethënëse, sidomos kur dihet që një numër i madh donatorësh as që i janë afruar dhënies së maksimumit të lejuar. Ndikim në këtë rezultat ka pasur edhe devijimi i kampanjës së Clinton-it, pak ditë para votimeve, në një eveniment për grumbullimin e fondeve në Filadelfia, që më pas kishte ngjallur kritikat e parashikueshme të Sanders-it që ajo edhe një herë po mblidhte fonde nga interesat financiare. Me pak fjalë, Sanders-i nuk do të zhduket për edhe një kohë. Trump-i nuk do ta marrë nominimin lehtë, siç ishte menduar. Për të dyja partitë, rezultatet në Ajova e forcojnë idenë që betejat për nominim do të zgjasin deri në pranverë, nëse jo edhe më shumë.

(Ruth Marcus është gazetare dhe shkruan kolumne në ‘The Washington Post’. Ajo në vitin 2007 ka qenë finaliste për çmimin ‘Pulitzer’)