Grahmat e naftës

Grahmat e naftës
  • 06 February 2016 - 10:30

Shkruan: Harold James

Shëndeti i ekonomisë botërore

Rënia e çmimeve të naftës është njëra prej disa forcave që ndikon në stabilizimin e Eurozonës

Politikëbërësit në vendet e industrializuara duhet të ndalojnë së menduari që rënia e çmimeve të naftës është një përfaqësues i rreziqeve për ekonomitë e tyre, dhe duhet ta konsiderojnë këtë gjë si rrezik gjeopolitik

Çmimi i naftës shpeshherë cilësohet si një lloj termometri për matjen e shëndetit të ekonomisë botërore. Mirëpo, ajo që vërehet më pak është se çmimi i naftës mund të shërbejë edhe si barometër – shenjë paralajmëruese e qasjes së stuhive gjeopolitike. Në fakt, rënia dramatike e çmimit për një fuçi naftë të papërpunuar – nga afro 150 dollarë në qershor 2008 në 30 dollarë sot – pritet që të nxisë trazira përtej tregjeve të energjisë dhe mallrave, me implikime shqetësuese për Bashkimin Evropian. Rëniet e çmimeve të naftës janë të ndërlidhura me pasigurinë financiare, mirëpo linjat e shkakut nuk tregojnë në drejtimin që shumica e ekspertëve duhet ta besojnë. Përkundrazi, kur çmimi i naftës rritet, rriten edhe kostot në shumicën e ekonomive të pasura e të industrializuara, andaj rritja e çmimit të naftës ndikon si një frenim i rritjes. Rritjet në çmimin e naftës kanë çuar në recesione globale në vitin 1973, 1979, 2000 dhe 2008. Edhe ecja mbrapsht është e mundur. Ngadalësimi ekonomik me shumë gjasë do të shkaktojë një rënie në çmim, që mund të jetë një ndihmë financiare për qeveritë dhe konsumatorët. Pas rënies së ‘Lehman Brothers’ në vitin 2008, çmimet e naftës kishin rënë. E, shikuar nga kjo perspektivë, rënia e çmimit të naftës nuk është e befasishme, pasi që vjen pas shenjave të dobësisë në çdo treg të madh (me përjashtim të mundshëm të Indisë).

Humbja e naftës rumune

Për më tepër, çmimet e sotshme të naftës janë subjekt i një burimi të fuqishëm i presionit të rëndesës: pritshmëria që ekonomia botërore do të ristrukturohet si reagim ndaj shqetësimeve për ndryshimet klimatike. Përpjekjet e tanishme për ta ndalur ngrohjen globale mund të mos kenë ndikim të madh, mirëpo në aspektin afatgjatë, fakti që burimet fosile të energjisë janë kontribuues i rritjes së dyoksidit të karbonit në atmosferë dhe si rrjedhojë ndryshimet klimatike me shumë gjasë pritet t’i nxisin politikëbërësit dhe investitorët që të ndërmarrin hapa seriozë. Kjo na çon në atë që ekonomisti gjerman Hans-Werner Sinn e kishte quajtur ‘Paradoksi i Gjelbër’. Mundësia që përdorimi i lëndëve djegëse fosile një ditë do të kufizohet, krijon një stimulues të fuqishëm për prodhuesit e naftës, që të shesin sa më shumë që të kenë mundësi para se limitimet të fillojnë të kenë efekt. Kjo mund të jetë logjika prapa veprimeve të Arabisë Saudite, që ka ndikuar në rënien e çmimeve, duke mos marrë për bazë thirrjet e shteteve prodhuese të naftës për ta zvogëluar prodhimin. Si rezultat kemi një rënie të mëtejme në çmimet e naftës dhe stimulues më të mëdhenj për konsumatorët që të vozisin më shumë. Në botën industriale – edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një prodhues i rëndësishëm i naftës – çmimet e ulëta të naftës qartas pozitive për ekonominë në aspektin afatshkurtër. Në fakt, rënia e çmimeve të naftës është njëra prej disa forcave që ndikon në stabilizimin e Eurozonës së brishtë. Dhe shqetësimet që rënia e çmimeve të mallrave do të çojnë në dëmtime, deflacioni i stilit të viteve të 1930-ta janë qartas të fryra. Megjithatë, parashikimi është larg të qenit i këndshëm. Historia është e mbushur përplot me shembuj të përparimeve teknologjike, që angazhohen me vlefshmërinë e resurseve, me ndikim të madh gjeopolitik. Pyjet e shumta të Britanisë ia kishin mundësuar asaj që të bëhej fuqi kryesore detare gjatë Epokës së Velave, kur furnizimi me drunj kishte qenë çelës për kontrollimin e deteve. Revolucioni Industrial e kishte shndërruar çelikun dhe thëngjillin në mallra strategjike dhe problemet me naftën kishin dominuar një pjesë të madhe të shekullit XX, përfshirë edhe kohën e Luftës së Parë Botërore, kur humbja e naftës rumune i kishte kontribuuar kolapsit të Gjermanisë në Frontin Perëndimor në vitin 1918.

Rreziqet ekonomike

Çmimet e mallrave, që ndryshohen shpejt, mund të ndikojnë në gjendjen gjeopolitike, duke ndikuar në humbjen e stabilitetit politik. Dhe sot, nafta duket se po shkon rrugës së drurit dhe çelikut, duke e humbur rëndësinë strategjike. Pjesë të mëdha të energjisë do të nevojiten për pajisjet bazike të jetës moderne, përfshirë këtu procedimin dhe ruajtjen e të dhënave, mirëpo në pjesë të madhe do të vijnë nga burimet e tjera. Kjo pritet të ketë pasoja epokale, pasi që dobësimi i çmimeve të naftës nënvlerëson regjimet autoritare që kontrollojnë prodhuesit kryesorë. Ekziston një pjesë e madhe e provave, që ndërlidhin varshmërinë në resurse natyrore me qeverisjen e keqe – ‘mallkimi i resurseve’. Pa marrë parasysh dallimet në mes të Nigerisë, Venezuelës, Arabisë Saudite, Rusisë, Iranit dhe Irakut, të gjitha këto vende kanë një të përbashkët: burimet e naftës e kanë korruptuar sistemin politik. Tani kur çmimet e naftës vazhdojnë të bien, banditët që janë në pozitë do të grinden më tepër me njëri-tjetrin, sesa me fqinjët e tyre. Liderët e vendeve që prodhojnë naftë veçse janë tejet të zënë me përgatitjen e rrëfimeve për fatkeqësitë e vendit të tyre. Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, e ka drejtuar gishtin e fajit drejt SHBA-së. Ngjashëm, zyrtarët rusë  tërheqin paralele në mes të ngjarjeve të sotme dhe rënies së çmimeve të naftës, që kanë ndikuar në rënien e Bashkimit Sovjetik. Në të dyja rastet, SHBA-ja fajësohet, pasi që, sipas këtij rrëfimi, frakturat hidraulike në Oklahoma dhe Pensilvani janë shembujt që tregojnë se Amerika mundohet ta mbajë primatin. Me fjalë të tjera, sfidat e sigurisë që shkaktohen nga rënia e çmimeve të naftës, me shumë gjasë do të jenë më të mëdha sesa rreziqet ekonomike. Mirëpo, sfidat e sigurisë mund të jenë tejet të kushtueshme. Për shembull, vështirësitë me të cilat është përballur BE-ja në vitin 2015, pritet që vetëm të rriten si në shkallë, ashtu edhe në ashpërsi. Në këtë perspektivë, propozimi i ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, për ta paguar akomodimin e refugjatëve me taksat e naftës, ka kuptim. Politikëbërësit në vendet e industrializuara duhet të ndalojnë së menduari, që rënia e çmimeve të naftës është një përfaqësues i rreziqeve për ekonomitë e tyre dhe duhet ta konsiderojnë këtë gjë si rrezik gjeopolitik. Duke marrë parasysh shkallën e sfidave që pritet të vijnë, koordinimi i politikave do të jetë i nevojshëm. Pëlcitja, që pritet të vijë nga rënia e vazhdueshme e çmimeve të naftës, është një problem që asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetmuar.

Harold James është profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin ‘Princeton’ dhe hulumtues në Qendrën për Qeverisje Ndërkombëtare.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”