Limitet e fuqisë së Gjermanisë

Limitet e fuqisë së Gjermanisë
  • 09 February 2016 - 10:36

Shkruan: Volker Perthes

Koha e ndryshimeve gjeopolitike dhe vendimeve multilaterale

Gjermania është e cenueshme edhe ndaj zhvillimeve të largëta

Sfidat me të cilat po përballet Gjermania janë ndërthurur: terrorizmi, lufta civile në Siri, agresioni i Rusisë dhe vala e madhe e refugjatëve po ndërveprojnë në mënyrë të paprecedentë dhe të rrezikshme

Brenda dy vitesh, pasi që presidenti gjerman, ministri i punëve të Jashtme dhe ministri i Mbrojtjes kishin sinjalizuar që vendi i tyre do të merrte një rol më të madh në aferat ndërkombëtare, liderët e këtij vendi kanë marrë një goditje të shpejtë nga realiteti gjeopolitik. Sfidat, me të cilat është dashur të përballej Gjermania, përfshijnë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, konfliktin në Ukrainën lindore, shpërthimin në Siri, sulmet terroriste në Evropë dhe valën e paprecedent të refugjatëve.

Këto kriza e kanë rritur në masë të madhe profilin ndërkombëtar të Gjermanisë. Megjithatë, rishfaqja e vendit si një aktor kryesor në skenën botërore duhet të shoqërohet nga njohja e faktit që fuqia e Gjermanisë varet në bashkëpunimin e saj me partnerët e vet dhe me zhvillimin e politikave të fuqishme e të unifikuara evropiane.

Marrja e një roli më aktiv nga ana e Gjermanisë ka ndodhur në një kohë të ndryshimeve gjeopolitike, në të cilën Gjermania dhe liderët e tjerë evropianë është dashur ta pranojnë që shumica e pjesës tjetër të botës nuk pajtohet me preferencat e tyre për vendimmarrjen multilaterale. Ata është dashur të pajtohen edhe me faktin që SHBA-ja nuk është më e përgatitur për të udhëhequr në çdo krizë, dhe se fuqitë globale në rritje – si puna e Kinës, Indisë dhe Brazilit – ende nuk janë të përgatitura për të kontribuuar në mënyrë efektive në sigurimin e një rendi stabil global.

Përballja me sfidën e refugjatëve

Në anën tjetër, kufijtë ndarës në mes të marrëdhënieve të brendshme dhe atyre të jashtme janë turbulluar shumë. Për shembull, kriza e refugjatëve kërkon intervenime në fushat e ndryshme, siç janë mbrojtja, zhvillimi i ndihmës, integrimet evropiane, siguria e brendshme dhe politikat e mirëqenies sociale.

Sfidat me të cilat po përballet Gjermania janë ndërthurur: terrorizmi, lufta civile në Siri, agresioni i Rusisë dhe vala e madhe e refugjatëve po ndërveprojnë në mënyrë të paprecedent dhe të rrezikshme. Këto kriza nuk pritet të jenë të lehta për t’u ndalur ose zgjidhur, pasi që secila duhet të menaxhohet në aspekt afatgjatë.

E, duke marrë parasysh shkallën e lartë të integritetit në ekonominë globale, Gjermania është e cenueshme edhe ndaj zhvillimeve të largëta. Për shembull, parandalimi i konfliktit ushtarak dhe ruajtja e lirisë detare në Detin e Kinës Jugore është një interes i qartë i Gjermanisë.

Liderët e Gjermanisë, duke e kuptuar rolin e rëndësishëm që vendi i tyre mund ta luajë, kanë marrë udhëheqjen diplomatike për ndërhyrjet e Rusisë në Ukrainë. Për më tepër, Gjermania ka qenë një aktor kryesor në negociatat nukleare me Iranin dhe ka qenë shumë e angazhuar në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje politike për luftën civile në Siri. Gjermania e ka marrë edhe presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Në frontin ushtarak, Gjermania e ka rritur kontributin e saj në NATO për ta rritur nivelin e mbrojtjes në regjionin e Baltikut dhe Evropës Qendrore dhe është bërë shumë e hapur ndaj forcave ushtarake që ndërhyjnë në krizat jashtë zonës së aleancës. Gjermania ka marrë pjesë në përpjekjet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Mali, e ka zgjatur angazhimin e saj në Afganistan, ka dërguar armë dhe forca trajnuese në Irakun verior dhe ka siguruar asistencë për sulmet ajrore franceze kundër Shtetit Islamik në Siri.

Zgjerimi i ndikimit gjerman

Politikëbërësit gjermanë janë në dijeni të faktit që partnerët ndërkombëtarë presin nga ta që lidershipi i Gjermanisë të shndërrohet në një rregull dhe kanë shfaqur interesim për zgjerimin e ndikimit të Gjermanisë. Megjithatë, si një fuqi me madhësi mesatare, Gjermania nuk mund të përfshihet gjithkund, pasi që ruajtja e gjurmëve ndërkombëtare kërkon bashkëpunim me aleatët dhe partnerët e tjerë në botë.

Në fakt, sa më shumë që të udhëheqë Gjermania, aq më e varur bëhet në aktorët e tjerë ndërkombëtarë – më së shumti në partnerët e Bashkimit Evropian – dhe bëhet më e ekspozuar ndaj luhatjeve në ambientin gjeopolitik. Për shembull, marrëdhënia strategjike e Kinës me SHBA-në do të ndikojë në përpjekjet e Gjermanisë për të gjetur zgjidhje multilaterale për sfidat globale si puna e ndryshimeve klimatike apo kërcënimet kibernetike.

Meqë Gjermania po vazhdon të merret me çështje ndërkombëtare, mund të pritet një rritje në shpenzimet për politikat e jashtme dhe sigurinë ndërkombëtare. Për të qenë më i saktë, Berlini ende nuk e ka plotësuar cakun e NATO-s prej 2 për qind të GDP-së për shpenzime në fushën e mbrojtjes. Sikur shumica e vendeve të tjera, Gjermania ka dështuar edhe në përmbushjen e zotimit ndërkombëtar për t’i shpenzuar 0.7 për qind të GDP-së në asistencën e zhvillimit. Mirëpo, për dallim nga disa prej partnerëve të saj, Gjermania nuk i ka përgjysmuar shpenzimet për mbrojtje dhe ka rritur vazhdimisht financimet për diplomaci.

Diplomacia digjitale

Për më tepër, përkundër faktit që e ka rritur kapacitetin e vet për të ofruar forca ushtarake për NATO-n, OKB-në apo BE-në dhe operacionet e tyre, Gjermania e ka bërë të qartë që nuk e sheh veten si fuqi ushtarake. Politikëbërësit gjermanë vazhdojnë të besojnë që ndikimi nëpërmjet politikës dhe ekonomisë është shumë më i fuqishëm sesa ai nëpërmjet dhunës, duke lënë të kuptohet që pritet zhvillim më i madh në mjetet e fuqisë së butë, përfshirë këtu edhe diplomacinë digjitale. Ata janë të etur edhe për zhvillimin e më shumë politikave të ‘rrjetëzuara’ kombëtare dhe politika të jashtme evropiane që marrin parasysh aktivitetit dhe kontributet e mundshme të aktorëve joshtetërorë.

Prioritetet e Gjermanisë në politikën e jashtme pritet të mbesin BE-ja dhe fqinjët jugorë dhe lindorë të kontinentit – nga ku rrezikon të dalin rreziqet më të mëdha imediate. Kjo do të ishte një zgjedhje mençur. Gjermania dhe partnerët e saj të BE-së do të jenë shumë më efektive kur menaxhojnë konfliktet, stabilizojnë qeveritë dhe mbështesin tranzicionet ekonomike dhe politike në fqinjësinë e tyre.

Për më tepër, duke marrë parasysh mjedisin tejet turbulent gjeopolitik, Gjermania ka një interes fundamental për përkrahjen e zhvillimit të politikave të jashtme dhe atyre të sigurisë së BE-së. Ndonëse politikanët gjermanë mund të gëzohen nga rritja e kërkesës për kontributin e tyre në politikën ndërkombëtare, është pikërisht anëtarësia e këtij vendi në BE burimi kryesor i fuqisë dhe sigurisë së Gjermanisë.

(Volker Perthes është drejtor në Institutin Gjerman për Marrëdhënie të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë në Berlin)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”