Qeveritarët e shndërruar në ‘engjëj’, nga frika e humbjes së pushtetit!

Qeveritarët e shndërruar në ‘engjëj’, nga frika e humbjes së pushtetit!
  • 10 February 2016 - 10:09

Shkruan: Florim Zeqa

Nuk ka mbetur hapësirë dialogu mes pozitës e opozitës

Qeverisja aktuale mandatin e saj politik e ka filluar pa legjitimitet juridik

Nga frika e humbjes së pushtetit, qeverisja aktuale, pas takimit me presidenten, me ç'rast e keqpërdorën katërçipërisht pjesëmarrjen e njërit prej liderëve të opozitës në atë takim (Ramush Haradinajt)...nuk ka mbetur hapësirë dialogu mes pushtetit dhe opozitës. Së fundmi vazhduan me takimin tjetër me një pjesë të përshtatshme të shoqërisë civile dhe disa analistëve të përzgjedhur nga ana e tyre, për t'u rrëfyer për "legjitimitetin" e marrë (vjedhur) përmes votës qytetare, më pas të kontrabanduar disa herë për interesa personale dhe klanore të një grupi të ngushtë njerëzish të papërgjegjshëm,...me ç'rast disa herë në vazhdimësi u thirren në të "drejtën" për të qeverisur me vendin.

Përderisa lideri i PDK-së dhe i Qeverisë në largim të Republikës së Kosovës, pretendenti për marrjen e postit të presidentit të shtetit e ka të drejtën e thirrjes në votat e subjektit të tij politik,...vartësi i tij, "kryeministri" Mustafa nuk e ka të drejtën e abuzimit të mbi 190 mijë votuesve të LDK-së që në zgjedhjet e fundit votuan për ndryshimin e kursit qeverisës në vend, për largimin e Hashim Thaçit nga pushteti. Mbi 25 % e elektoratit të LDK-së, në të cilin padrejtësisht dhe në mënyrë abuzive thirret lideri i saj, kishin votuar për ndryshim dhe kundër vazhdimit të keqqeverisjes së vendit,...kur kësaj i shtohen edhe përqindjet e partive të tjera shqiptare dhe jo serbe që votuan PRO ndryshimit qeverisës në vend, atëherë na del argumenti bindës se kjo Qeveri nuk e ka mandatin politik të mbi 65 % e elektoratit kosovar për të shkuar tutje me qeverisjen e vendit.

Përsëritja e skenarëve

Thënë më qartë, qeverisja aktuale, mandatin e saj politik e ka filluar pa legjitimitet juridik, me vjedhje dhe kontrabandim të vullnetit të qytetarëve të vendit. Për fat të keq, këto fakte i kanë të njohura edhe disa nga "miqtë" ndërkombëtarë që po vazhdojnë me mbështetjen e së keqes në Kosovë. Alternativa e vetme e daljes nga kriza politike dhe e shpëtimit të vendit nga më e keqja, janë zgjedhjet e reja, apo siç e parapëlqej t'i quaj të jashtëzakonshme, pasi të tilla i ka bërë vetë situata politike. Vetëm një grupacion i ri politik, me figura të reja dhe të pakorruptuara politike, me një mendësi të re qeverisëse, me zotimin para popullit dhe para Zotit se do ta vërë drejtësinë, rendin dhe ligjin në binarë të shëndoshë, mund të jetë motiv shtesë për dalje masive të elektoratit në zgjedhje, njëherësh do të shtonte shpresat qytetarëve të këtij vendi për jetë dinjitoze në vend të vet. Në të kundërtën, me figura të dyshimta, me akuza dhe dosje të hapura në prokurori, vetëm sa mund të prodhohet një situatë akoma më e rënduar se që është aktualisht, përkundrazi mund të kemi përsëritje të skenarëve të ngjashëm të mbajtjes, respektivisht ardhjes në pushtet. Në përfundim të këtij shkrimi, e ndjejë të nevojshme t'u drejtohem lexuesve me disa fjalë, pavarësisht pikëpamjeve ideologjike apo partiake. Çdo njeri inteligjent, qoftë politikan, shkencëtar, doktor, mësues, bujk apo murator, e zotëron një mënyrë të veçantë të vrojtimit dhe përshkrimit të botës që e rrethon. Edhe pse nuk jam aktor i drejtpërdrejtë në politikë, me shkrimet e mia të pavarura dhe pandikuara prej askujt, me (pa) dashje jam bërë pjesë e politikës. Shkrimet e mia janë politike në kuptimin më të thellë të fjalës.

Imazhi negativ për vendin

Të jesh politik do të thotë të jetosh kohën tënde, të jesh një njeri i kohës që e jeton. Gjithnjë me pendën time mundohem të pasqyroj në mënyrë sa më besnike realitetin në të cilin jeton populli im në vendlindjen time të dashur. Gazetaria është një profesion sa i dashur po aq i vështirë. Gjithnjë mundohem të mbajë anën e drejtësisë, duke shfrytëzuar lirinë e shprehjes pa fyer e ofenduar njerëzit e papërgjegjshëm të politikës, këta kusarët politikë të ditëve të sotme, që në vend të parajsës së premtuar, popullit i sollën vetëm vuajtje e mjerim, thyerje shpirtërore deri në humbje të shpresave për jetë në vendin më shtrenjtë dhe më të çmuar në këtë botë-vendlindjen. Edhe pse merrem me tema politike, ambiciet e mia nuk janë të karakterit politik! Krejt çka shkruaj e them, rrjedh nga thellësia e shpirtit për dashurinë që ndjejë ndaj popullit dhe atdheut tim të shtrenjtë. Ambicia ime personale është e njëjtë me ambicien e çdo mërgimtari, që ka për dëshirë dhe synim ta shohë shtetin e Kosovës në rrugë të mbarë të zhvillimit, prosperitetit, mirëqenies qytetare dhe stabilitetit socio-ekonomik,...që ngjall shpresat e neve mërgimtarëve për kthim në vendlindjet tona, të braktisura nga dhuna dhe represioni sistematik serb përgjatë viteve të '90-ta. Shkrimet, komentet, analizat e mia,apo si do që t'i quani, nuk janë tendencioze për uljen e imazhit të njërit apo ngritjes së tjetrit lider partiak,...ngase, sikurse që nuk e gëzojnë respektin, nuk mund ta kenë as urrejtjen time personale. Ato që i urrejë skajshmërisht, janë fenomenet negative të shfaqura në shoqërinë kosovare këtyre viteve të fundit si; korrupsioni, krimi organizuar, haraçi, kontrabandimi dhe shpërndarja e substancave narkotike nëpër institucione shkollore, rritja e numrit të vrasjeve për motive të ndryshme, qofshin ato pronësore, biznesore apo motive tjera të ulëta,...që përveç imazhit negativ për vendin, kanë krijuar pasiguri për jetën e qytetarëve dhe ndaljen e investimeve të huaja në Kosovë.