A do ta izolojë BE-ja me të vërtetë një vend anëtar të saj?

A do ta izolojë BE-ja me të vërtetë një vend anëtar të saj?
  • 11 February 2016 - 10:06

Shkruan: Tania Karas

Greqia është duke dështuar për t’i mbrojtur kufijtë e jashtëm të Evropës

Fajësimi i Greqisë për problemet evropiane të imigrantëve, injoron rrënjët e problemit

Në bazë të gjeografisë së saj, Greqia është në rendin e parë të krizës evropiane të emigrantëve. Duke e izoluar Greqinë nga pjesa tjetër e kontinentit, nuk do të arrihet asgjë pozitive në zgjedhjen e lëvizjes më masive të njerëzve që nga Lufta e Dytë Botërore

Hallka më e dobët e BE-së mund të shndërrohet në një kamp refugjatësh në ajër të hapur, nëse do të bëhej ashtu si duan disa liderë të BE-së. Për shkak të shqetësimeve se Greqia është duke dështuar për t’i mbrojtur kufijtë e jashtëm të Evropës, janë fuqizuar zërat për ta vënë këtë vend në karantinë, duke ndihmuar Maqedoninë që ta mbyllë kufirin e saj jugor, të cilin duhet ta kalojnë refugjatët, nëse duan që ta vazhdojnë rrugëtimin e tyre më në veri, si dhe duke suspenduar Greqinë nga zona e lirë e lëvizjes ‘Shengen’.

Veprimet e tilla do ta izolonin Greqinë nga pjesa tjetër e BE-së, duke zënë kurth me mijëra azilkërkues në një vend të brishtë si në aspektin politik, po ashtu edhe ekonomik, pa infrastrukturë dhe fonde që të përkujdeset për ta. Pjesa më e madhe e imigrantëve e dinë këtë. Për këtë shkak, Greqia kurrë nuk ka qenë destinacioni i tyre. Ajo është thjesht vetëm një vend kalimtar, drejt shteteve më të përparuara në Evropë. Ndërtimi i më shumë mureve rreth Evropës nuk do t’i ndalë ata. Emigrantët do të gjejnë rrugë alternative, apo mënyra edhe më ilegale.

Qyteti kufitar grek Idomeni ofron një pasqyrë se në çka mund të shndërrohet kriza greke e refugjatëve, nëse ky vend do të izolohej nga pjesa tjetër e Evropës. Pika kufitare e kalimit, si dhe kampi tranzitor, të lokalizuara afër hekurudhës që e lidhin Greqinë me Maqedoninë, janë shndërruar në një pikë bllokade për emigrantët që udhëtojnë në veriperëndim të Ballkanit.

Greqia nuk ka kufi tokësor me asnjë vend të zonës ‘Shengen’

Kontrabandistët e kontrollonin këtë zonë shumë kohë para se të shpërthente kriza evropiane e imigrantëve, vitin e kaluar. Verën e kaluar këta mafiozë u zhdukën në tërësi, kur vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Maqedoninë, filluan që t’i lejonin azilkërkuesit që, për 72 orë, të udhëtonin legalisht nëpër vendin e tyre, thotë Antonis Rigas, koordinator fushor për “Medecins Sans Frontieres” (MSF) në Idomeni. Për herë të parë ishte hapur një korridor humanitar për në Gjermani dhe rrugëtimi deri atje ishte bërë më i sigurt sesa ndonjëherë më parë. Ky ishte natyrisht një kaos, por një kaos i kontrolluar, me dhjetëra mijëra refugjatë që hynin dhe dilnin nga Greqia brenda pak ditësh.

E tërë kjo mori fund nëntorin e kaluar. Në një tentim për t’i ndalur “imigrantët ekonomikë”, Maqedonia dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, deklaruan se do të pranonin vetëm sirianët, afganët dhe irakianët, të cilët kanë më shumë të ngjarë që të jenë me të vërtetë refugjatë. Greqia nuk u pyet në lidhje me këtë vendim për filtrim nacional dhe nuk pati asnjë mundësi tjetër, pos të vepronte me mijëra imigrantë që mbetën në Greqi për shkak të këtij vendimi. Në Idomeni shpërthyen demonstrata të dhunshme midis mijëra “imigrantëve të tjerë”, të cilët vinin nga vendet si Maroku, Irani dhe Somalia. Kjo bëri që të ringjallej sërish aktiviteti i trafikimit, thonë vullnetarët dhe punëtorët që shpërndanin ndihma.

Greqia, e gjymtuar nga gjashtë vjet të masave të kursimit, ka qenë e ngathtë në regjistrimin e rrjedhës së imigrantëve që vinin në ishujt e saj në Egje – aq shumë, saqë Komisioni Evropian tha se gjeti “deficite serioze” në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Evropës nga ana e Greqisë. Nëse këto mangësi do të vazhdonin edhe tre muajt e ardhshëm, atëherë zona evropiane ‘Shengen’ mund të votojë që të rikthejë kontrollimet kufitare për deri në dy vitet e ardhshme. Ky vendim në mënyrë efektive do ta izolonte Greqinë, e cila nuk ka kufi tokësor me asnjë vend të zonës ‘Shengen’. Pasojat më të mëdha për Greqinë do të ishin ato ekonomike, duke e ngadalësuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave nëpër portet detare dhe ajrore.

Në ndërkohë disa liderë evropianë tanimë kanë hequr dorë nga Greqia dhe janë duke përqendruar përpjekjet e tyre te Maqedonia dhe Bullgaria. Hungaria dhe Austria janë duke apeluar për forcimin e gardhit me tel gjembor të Maqedonisë, të ngritur në kufirin me qytetin grek Idomeni vjeshtën e kaluar. Maqedonia edhe tani shkakton pengesa në qarkullim, duke e hapur dhe mbyllur këtë vendkalim pa paralajmërim.

Kështu Greqia, vendi i hyrjes në Evropë të më shumë se 850,000 azilkërkuesve vitin e kaluar, tanimë është duke u shndërruar në një pendë të madhe mbajtëse. Ajo nuk mund të bëjë shumë në refuzimin e refugjatëve dhe barkave të tyre që të mos arrijnë në vijën e saj bregdetare prej më shumë se 13 000 km, më të gjatin në Evropë. Pasi që refugjatët të arrijnë në ujërat territoriale të Greqisë, dëbimi i tyre do ta thyente ligjin ndërkombëtar.

Mungesa e alternativave legale që refugjatët të arrijnë në Evropë

Nëse Idomeni mund të merret si indikacion, atëherë një epokë e mbylljes së kufijve evropianë vetëm sa do t’i shtynte ata që kanë mbetur të ngujuar në Greqi, që të marrin rrugë edhe më të rrezikshme që të dalin nga aty.

Fajësimi i Greqisë për problemet evropiane të imigrantëve, injoron rrënjët e problemit, sidomos luftën siriane në vazhdim. Rrjetet kriminale në Turqi kanë fituar me miliona dollarë duke dërguar refugjatët dhe migrantët evropianë në Evropë vitin e kaluar. Marrëveshja me Turqinë, me vlerë 3 miliardë euro, për të ndalur rrjedhat e imigrantëve, nuk ka bërë shumë për ta zvogëluar numrin e atyre që arrijnë në Greqi, deri më tani.

Një problem tjetër i madh është mungesa e alternativave legale që refugjatët të arrijnë në Evropë, apo që të lëvizin në të, pasi që të kenë arritur aty. Marrëveshja midis BE-së dhe Turqisë përqendrohet në mbajtjen e refugjatëve në Turqi, e jo në arritjen e sigurt të tyre në Evropë. Dhe, skema e rivendosjes (shpërndarjes) së refugjatëve, e cila duhej të shpërndante rreth 160,000 azilkërkues nga Greqia dhe Italia për në vendet e tjera evropiane, deri më tani ka sistemuar vetëm 481 refugjatë. Për shkak të ngadalësisë së tij, janë të paktë azilkërkuesit që duan të marrin pjesë në të.

Për më tepër, Greqia nuk mund të sigurojë ushqim, përkujdesje shëndetësore dhe vend strehim për ata që do të mbeteshin brenda kufijve të tyre, nëse kufiri me Maqedoninë do të mbyllej përhershëm. Ky vend tanimë ka shpenzuar më shumë se 2 miliardë euro në krizën e refugjatëve gjatë dy viteve të fundit. Gjashtë vite të masave kursyese kanë ndikuar që ky vend të mos jetë në gjendje të ofrojë shërbime mjekësore, apo sociale për shumë prej qytetarëve të vet, e lëre më për dhjetëra mijëra refugjatët dhe të huajt që do të mbeteshin brenda kufijve të saj, nëse do të mbylleshin kufijtë. Për refugjatët që ikin nga lufta dhe persekutimi, arritja në destinacionin e tyre në Evropë përkundër politikave më të ashpra të kontrollimit të kufijve, është si një “video lojë”, thotë Faye Karavasili, një avokat nga Vjena, i cili la punën e vet që të punojë vullnetar me refugjatët në Greqinë veriore. “Ata luftojnë që të arrijnë në nivele të ndryshme, por kur të arrijnë në nivelin tjetër, hasin në një grup tjetër pengesash”.

Në bazë të gjeografisë së saj, Greqia është në rendin e parë të krizës evropiane të emigrantëve. Duke e izoluar Greqinë nga pjesa tjetër e kontinentit, nuk do të arrihet asgjë pozitive në zgjedhjen e lëvizjes më masive të njerëzve që nga Lufta e dytë botërore. Për këtë shkak, sfida për Evropën është që ta tejkalojë retorikën e zhurmshme demagoge të shteteve të pakta, që shikojnë vetëm interesin e tyre. Ajo duhet që të punojë me Turqinë për të dobësuar rrjetet e trafikimit dhe për të ofruar stimulime për refugjatët, që të rrinë atje, në rrethana njerëzore. Përndryshe, Evropa do ta ketë një krizë tjetër humanitare në derë të vet, në Greqi.