Zgjedhjet e parakohshme janë një rast i mirë për të gjithë

 Zgjedhjet e parakohshme janë një rast i mirë për të gjithë
  • 12 February 2016 - 10:14

Shkruan: Gëzim Mekuli

Si të dilet nga ky qorrsokak?

Këto zgjedhje nuk i duan ata që kanë frikë të përballen me vullnetin qytetar

Zgjedhjet janë një rast për pushtetin dhe për opozitën. Si për forcat e vjetra, ashtu dhe për të rejat. Për politikanë të rinj dhe për të vjetër

Zgjedhjet e parakohshme janë shpresë për shqiptarët dhe për minoritetet e Kosovës. Këto zgjedhje do të ndalonin copëtimin e Kosovës, përkeqësimin e politikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, do të ishte një rast i shkëlqyeshëm, për ata qytetarë qe e duan Kosovën shtet pa kriza, me mirëqenie sociale, me ide të reja e me politika të sinqerta europerëndimore.

Andaj, rruga e vetme që sot kemi ne, si popull e si taksapagues të këtij vendi, është që shoqëria jonë, truri ynë, me 17 shkurt, bashkë me familje e me shoqëri, pa dallim kombi, gjinie e statusi social, të dalin në protestë për ta çuar vendin drejt shërimit e shpëtimit; Drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Të nderuar lexues e lexuese

Zgjedhjet e parakohshme janë shpresë e shpëtim për bujkun, për fshatin, për fëmijën, për nënën, për universitetin si dhe për të mirën e vet hapësirës  sonë publike. Zgjedhjet e parakohshme janë shpresë e ndihmesë për të gjithë, e nënvizoj, jo vetëm për shqiptarët.

Në këtë protestë ftoj që të marrin pjesë edhe pakicat kombëtare, si turqit, boshnjakët, ashkalinjët, egjiptasit, malazezët, serbët e kroatët.

Këto zgjedhje, të domosdoshme e të parakohshme, nuk i duan ata që po majmen nga pushteti dhe kanë frikë të përballën me vullnetin qytetar!