Prokuroria të hetojë kriminelët që fshihen pas port(h)alit të nëntokës kriminale kosovare

Prokuroria të hetojë kriminelët që fshihen pas port(h)alit të nëntokës kriminale kosovare
  • 22 May 2015 - 07:50

Shkruan: Margarita Kadriu

Indeks-ligësisë ia përkujtoj se do të ketë punë me drejtësinë, ndërsa kryeprokurorit të shtetit, si deputete e Kuvendit të Kosovës, i bëj thirrje të hetojë këtë port(h)al për fushatën e shpifjeve, gënjeshtrave dhe linçimit, me të vetmin qëllim për të më shantazhuar që ta mbyll gojën në Kuvend, si dhe që t’i zbuloj kriminelët e vërtetë, që me gjasë fshihen pas artikujve anonimë që synojnë linçimin tim. E filluan në majin e vitit të kaluar me të njëjtën fushatë linçuese, e vazhduan me billborde dhe tash, një vit pas, sërish fushatë linçuese! Shpresoj shumë se ky vend një ditë do t’u kthehet qytetarëve të vet, ndërsa bandat kriminale mediale, politike, ekonomike, do të përgjigjen para drejtësisë. Unë jam zë i qytetarëve të Kosovës dhe gojën nuk ma mbyllni dot!

Të jesh qytetar i lirë në këtë vend apo politikan që vepron jashtë tutelës së atyre që e kanë kapur shtetin nga të gjitha anët, të flasësh të vërtetën në foltoren e Kuvendit për krimin e organizuar dhe korrupsionin sistematik, që ushqehet nga të “gjithëpushtetshmit” e këtij vendi, ka një çmim të lartë. Por, nëse secili prej nesh, që e do Kosovën e lirë dhe demokratike, të zhvilluar dhe të sigurt, me sundim të ligjit dhe barazi, të drejtë, nuk guxon të shprehet, t’ua thotë në sy argumentet atyre që po e mbajnë peng ardhmërinë e fëmijëve tanë, atëherë pak gjasa ka që ky shtet një ditë të pastrohet nga banditët. Në këtë rrugë të vështirë, me sakrifica, zagarët e pushtetarëve mafiozë, lehin e rilehin, përpiqen të kafshojnë e të të plagosin, sidomos kur e shohin rrezikun nga plasimi i së vërtetës tronditëse për të bëmat makabre të oligarkisë politiko-ekonomike, mafisë institucionale e nëntokës që vlon nga skandalet e pështira e poshtërsitë. Kësisoj, port(h)ali i nëntokës kosovare, një adresë fantome e kriminale në internet, që e quan veten "media", por nuk ka as emër e mbiemër me identitet të vërtetë, është riaktivizuar kundër personalitetit tim, duke paralajmëruar një fushatë linçuese me shpifje, fyerje e komente denigruese dhe çnjerëzore. Në këtë mësymje të re virtuale të këtyre bajlozëve të "mediumeve" online, që nuk u nënshtrohen as kodeve as ligjeve, në mungesë të një shteti ligjor, më kujtojnë hyrjen time në politike, në maj të vitit të kaluar.

Rrenat e njëjta i lansuan edhe atëherë, por ndonëse hera e parë në testin elektoral votuesit më besuan dhe sot jam në Kuvend, si përfaqësuese e popullit, ndaj edhe flas dhe do të vazhdoj të flas në emrin e tyre, për hallet e tyre, brengat, sfidat.

Për hir të së vërtetës, dëshiroj ta ritheksoj se nga momenti i hyrjes në jetën politike Margarita Kadriu nuk është më pjesë e stafit editorial të gazetës së përditshme “Kosova Sot”, ku unë kam qenë kryeredaktore dhe drejtoreshë deri në 13 maj 2014, por asnjëherë pronare, siç tentojnë shpifësit që fshihen pas paçavureve të një portali pervers dhe pa dinjitet.

Indeks-shpifësit pretendojnë ligësisht se paskam biznese me Serbinë, e cila, në bashkëveprim me autorët e vërtetë të këtyre  shpifjeve e gënjeshtrave të indeks –neverisë, të cilët më 24 mars 1999, si përgjigje për fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, kishin përzgjedhur jorastësisht si objektivin numër një në Kosove për ekzekutimin e projektit kombëtar të babait tim, gazetën“Kosova Sot”, shtypshkronjën ku shtypej gazeta dhe mbi 70% e librave shkollorë në gjuhën shqipe, bashkë me dokumentacionin pedagogjik, ditarë, libreza për  nxënësit, indekset për studentët, dëftesat e diplomat, të gjitha me stemën e Republikës së Kosovës, kur edhe ia vunë flakën dhe shkatërruan kompaninë disa miliona euro.

Po t’i kishim pasur kaq mirë punët, siç në fakt i kanë pasur dhe i kanë urdhërdhënësit e tanimë të ditur të linçimeve publike në këtë port(h)al neveritës, nuk do të bëheshim shkrumb e hi deri në themel nga armiku shekullor serb! 

Sa i përket pasurisë sime, secili mund të hyjë në formularët e Antikorrupsionit dhe ta shohë të vërtetën. Aty të befasojnë politikanët që nga hiçi sot janë bërë milionerë, sa hap e mbyll sytë, por Indeks-shpifësirës dhe urdhërdhënësve të tyre kriminalë u intereson vetëm të shpifin, të përhapin gënjeshtra, të lansojnë të pavërteta për të më shantazhuar që ta mbyll gojën në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Urdhërdhënësit e indeks-propagandës janë përkujdesur ta ndërlidhin angazhim tim politik me shantazhe për qëllime biznesi, sepse, nisur nga përvoja e tyre, secili që aderon në një parti rrugën e trason asisoj. Ia rikujtoj opinionit publik se prej shumë vitesh ofertat e partive ishin të pandalshme dhe në fund vendimi erdhi me shpresën për ndryshim, por realiteti e dëshmoi të kundërtën. Prandaj, tërheqja nga PDK-ja nuk kishte asnjë lidhje me një pozitë ministrore, sepse posti i nënkryetares së partisë është shumë herë më i fuqishëm. Për këto, sigurisht, do t’i hapim letrat së shpejti, me shumë detaje të tjera.

Indeks-ligësisë ia përkujtoj se do të ketë punë me drejtësinë, ndërsa kryeprokurorit të shtetit, si deputete e Kuvendit të Kosovës, i bëj thirrje të hapur që të hetojë këtë port(h)al për fushatën e shpifjeve dhe linçimit gjatë vitit 2014 dhe këto të tanishmet, si dhe t’i zbulojë kriminelët e vërtetë, që me gjasë fshihen pas artikujve anonimë që synojnë linçimin tim para opinionit publik. E filluan në majin e vitit të kaluar me të njëjtën fushatë linçuese, e vazhduan me billborde dhe sërish fushatë linçuese!

Shpresoj shumë se ky vend një ditë do t’u kthehet qytetarëve të vet, ndërsa bandat mediale, politike, ekonomike, do të përgjigjen para drejtësisë. Unë jam zë i qytetarëve të Kosovës dhe gojën nuk ma mbyllni dot!