Lidhi qentë Sokol Bashota!

Lidhi qentë Sokol Bashota!
  • 13 February 2016 - 10:23

Shkruan: Reshat Badallaj-Zhuriani

Letër publike kryetarit të Komunës së Klinës

Ju kanë turrur si llavë ujqish Kosovës, për ta bërë copë-copë

*Nuk e kemi bërë luftën për të vrapuar pas hajnisë si zagarët pas kockave, por luftën e kemi bërë për t’u çliruar nga gjakësorët serbo-çetnikë, që na vranë e na prenë me shekuj, me hanxhar e sakicë, për shtet të pavarur e ligjor

Tungjatjeta Sokol!

Ne të dy nuk kemi luajtur me ashik bashkë, por njihemi mirë në rrafshin kombëtar. Nuk do të flas për dergjen nëpër kazamatet serbosllave, vetëm të vë në dijeni se unë  personalisht kam qenë i autorizuar nga oborri i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me shkrim edhe me vulë. Ndërkaq, nga sofra ime me divekun krahut ia dhanë malit, kundër ushtrisë gjakatare serbo-çetnike dhe mercenarëve rusë, jo më pak se njëmbëdhjetë persona. Dhjetë burra dhe një vajzë, Tevidja. Pra, jo të mëhallës, të thashë të konakut, ishin nën uniformë e nën komandë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas komandantit legjendar, Adem Jasharit, e jo pas burrave të shkinave...

Kushedi, ndoshta nuk të bie ndërmend, sepse je bërë i madh, kryeplak i katundit të Klinës dhe do pyesësh përse e fillova kështu. Për të mos kërcyer degë më degë dhe për t´i mos i rënë rrotull muhabetit, dua të të them se nuk kemi luftuar për të vjedhur pa mëshirë Kosovën deri në palcë, për të mos i rënë vendit hanxhar e sakicë prapa kurrizit. Mbi gjysmë milioni marka kemi mbledhur për luftën, shoqata që e drejtoja unë, Shoqata Atdhetare "Gryka e Lumës", e haram e për jetë të jetëve të gjallëve, jo luftës, Kosovës dhe ata që vdiqën në altarin e lirisë dhe lanë gjymtyrët maleve, por haram hajnave që iu kanë turrur si llavë ujqish Kosovës, për ta bërë copë-copë.

Kërcënimi i Admir Shalës

Sokol, lexova qe organet e ndjekjes të kishin kërkuar për të bastisur. Për këtë gjë nuk do të flas fare, sepse nuk jam në dijeni dhe që keni bërë paratë e popullit "rrush e kumbulla", sepse nuk është punë e imja dhe njeriu nuk duhet t’i futë hundët aty ku nuk duhet. Askush nuk duhet t’i fusë hundët aty ku rri miza e kalit, sepse politika duhet të rrijë larg gjykatave, prokurorisë...

Shpeshherë kam shkruar në gazetën lidere në Kosovë, "KOSOVA SOT", se bandat qeveritare kanë lëshuar rrjetin si të merimangës dhe kanë bërë ZAP gjyqësinë, prokurorinë, për të bërë shtetin sallamadi si në xhungël dhe për çdo ditë e më tepër po vërtetohet sheshazi në pikë të ditës me diell. Pra, nuk dua të flas asnjë fjalë lidhur me këto hetime...

Fjala është se disa gabelë, që kishin humbur elementet e kulturës shqiptare, kishin lehur si zagarët pas hënës, duke na sharë djalin e dajës, Admir Shalën, Prokurorin e Shtetit. Zagarët kishin sharë nga nëna, bile kishte sharë në 400 mijë nëna me N.N., sipas gazetave që lexova...

Sokol, le ta dinë këta zagarë se ne nuk i kërcënohemi askujt, por  le ta dinë se mos mendoni se ky djalë është jetim dhe diku i del ujë e diku gjak. Ç’mendoni ju dhe ata zagarët aty rrotull, t´i lërë shteti të vjedhin, të merremi me kontrabandë, me prostitucion dhe të heshtim!? Kemi luftuar për shtet të pavarur dhe ligjor, apo shtet kaçakësh!

Kush fyen prokurorët shqiptarë?

Shyqyr që nuk e dinë se ky djalë është i konakut të Ryshen Sallah Breznes, që ka luftuar me çdo pushtues. As për të lavdëruar e as për të kërcënuar, por vetëm të pyet dikush se kush ka qenë Rushen Brezna!? Kurrë nuk i kanë trembur gangsterët që lehin sokakëve. Ne, Admirin e njohim, djalë i kulturuar, i vendosur dhe që nuk njeh askënd në profesionin e tij që ka dhënë betimin për të kryer punën me nderin më të madh njerëzor...

Po të ndjekë ligji ndonjë të këputur fukara, nuk do bënte zë askush, dhe se po i ndjek kryebanditët që e dëmtuan vendin më keq se gjakësoret e Shumadisë dalin zagarët nga kopetë e tyre dhe shajnë si gabelët pa fije turpi. Shajnë, sepse pushtetin e kanë përpara banditët dhe kopilët e Titos, sepse të funksiononte ligji do të lidheshin në zinxhirë. Përse e burgosën një djalë që "kërcënoi" djalin e kopilit të Titos, Isa Mustafa. E kapën në gjumë dhe unë shkrova: "Hakmarrja tinëzare e kopilit të Titos, Isa Mustafa", kërko ‘Google’.

Kosovës i nevojiten soji i Admir Shalës, për të mbrojtur shtetin dhe të ecë përpara dhe jo biçim i zagarëve që luftojnë kundër shtetit. Në fund të fundit, secili të hetohet dhe kush është i pastër asgjë askujt, kush i përlyer në hajni, jo në burgjet e Kosovës, por hajnat në burgjet e Serbisë te kumbarët e tyre. Po pyeti, Sokol, këta e kanë sharë ndonjë prokuror në kohën e Serbisë? Apo, kur i ka thënë:"licno kartu", nuk ka guxuar të bëjë zë!

Sokol, do të ishte mirë dhe burrni, t´i lidhësh qentë dhe t´i fusësh, në oborr, brenda "AVLIJAVE TURKE", sepse nga anët tona qenin kur e zë belaja në sokak askush nuk lyp gjak. Kjo është edhe me kanun.

Atdhetarët duhet të jenë të kënaqur, kur ndiqen hajdutët e dyshuar kushdo qofshin. Qofsha edhe unë. Por, jo të ndiqen fukarenjtë që vjedhin një kilogram bukë, kripë, qumësht dhe të lihen të lirë banditët dhe matrapazët. Kushdo qofshin!

Sokol, pra edhe njëherë lidhi qentë, mos i lësho nga zinxhiri, jepja nga një gojë bukë sa për shpirt ose gjuaja nga një kockë sa për të mbetur gjallë. Qeni leh, aty ka ha kockën. Sepse lehjet e tyre nuk i lavdëron as kanuni e as burrëria dhe për kulturën të mos flasim fare, sepse mjerisht dhe po të garantoj se ka njerëz qe sapunin e hanë për djathë si ky soji gabel, që përmend 400 mijë nëna. Se shteti do bëhet herët a vonë sa të ikin banditët, hajdutët, udba-shët dhe kopilët melezë, që nuk kanë të ndalur duke vjedhur dhe sakatosur shtetin. Haram e paçin për jetë të jetëve.

Me respekt, Reshat Badallaj, nipi i Admir Shalës