Batakçinj të pafytyrë dhe ndihmës të pafuqishëm

Batakçinj të pafytyrë dhe ndihmës të pafuqishëm
  • 13 February 2016 - 10:32

Shkruan: Wolfgang Ischinger

Kriza pa kufi

Rendi ndërkombëtar mund të jetë në formën e tij më të keqe

Kur liderët botërorë do të mblidhen në Gjermani me rastin e Konferencës së 52-të të sigurisë këtë fundjavë në Munih, ata do të tentojnë që ta gjejnë një rrugëdalje nëpër një territor tepër të rrezikshëm

Rendi ndërkombëtar mund të jetë në formën e tij më të keqe që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ata që përpiqen ta ruajnë paqen, shpesh janë humbës dhe të pafuqishëm përballë krizave në dukje, të pafundme dhe keqbërësve të pafytyrë. Kur liderët botërorë do të mblidhen në Gjermani me rastin e Konferencës së 52-të të sigurisë këtë fundjavë në Munih, ata do të tentojnë që ta gjejnë një rrugëdalje nëpër një territor tepër të rrezikshëm. Thënë të vërtetën, viti i kaluar ka pasur edhe lajme të mira. Përpjekjet këmbëngulëse diplomatike sollën dy përparime, me implikime të mundshme afatgjata pozitive: marrëveshja bërthamore me Iranin dhe marrëveshja klimatike në Paris. Por, pjesa tjetër e “pasqyrës” është e errët.

Krizat e mëdha aktuale tejkalojnë, bile edhe vejnë në pyetje kufijtë ndërkombëtarë. Luftërat në Siri dhe Irak nuk kanë shkaktuar vetëm shkatërrimin e rendit politik në Lindjen e Mesme, por po ashtu e kanë lënë edhe Evropën në telashe, duke u përpjekur që të gjejë një zgjidhje të përbashkët për fluksin e shtuar të refugjatëve. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk kemi parë një numër kaq të madh të njerëzve, të detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre. Në fakt, Lindja e Mesme e ka shkurtuar kohën e nevojshme që një konflikt të përhapet përtej fushëbetejës. Konflikti në Siri ka kohë që ka pushuar të jetë luftë civile; ai është shndërruar në një krizë të vërtetë regjionale. ISIS me bazën e tij territoriale, me praninë agresive online dhe me rrjetin ndërkombëtar të militantëve (duke përfshirë edhe ithtarët në Evropë) – me të vërtetë është dëshmuar të jetë një organizatë e vërtetë globale.

Shumë shtete në kolaps

As gjetiu pasqyra nuk është më e mirë. Në Libi, Mali dhe Afganistan, shtetet kanë pësuar kolaps dhe janë në rrezik të dështimit total. Marrëdhëniet midis Iranit dhe Arabisë Saudite zor se mund të jenë më të këqija, ku mungon vetëm konflikti i drejtpërdrejtë ushtarak. Tensionet midis Turqisë dhe Rusisë kanë vazhduar që të rriten. Dhe, online, qeveritë dhe pjesëmarrësit privatë janë duke keqpërdorë ndërlidhshmërinë moderne të botës, duke rrezikuar informatat e ndjeshme dhe infrastrukturën kritike në tërë botën.

Në vend të “një unaze të vendeve mirë të qeverisura”, sikur që kishte parashikuar BE-ja në Strategjinë e saj të sigurisë në vitin 2003, kontinenti është i rrethuar nga një “unazë e zjarrtë”. Siguria e Evropës edhe një herë është e rrezikuar; stërvitjet ushtarake janë bërë më të shpeshta dhe kriza e Ukrainës mbetet e pazgjidhur.  

Përkundër kësaj, figurat e mëdha politike janë duke besuar se mund të reagojnë ndaj sfidave ndërkombëtare duke kërkuar strehim te miopia nacionaliste. Kjo qasje koti do të rezultojë vetëm me pseudo-zgjidhje, apo edhe më keq. Disa qeveri kanë reaguar ndaj krizës së refugjatëve me politika të dëmshme për fqinjët, duke detyruar vendet në linjën e parë që ta bartin pjesën më të madhe të barrës, gjë që ka rrezikuar edhe esencën e integrimit evropian, zonën e lirë të lëvizjes, Shengen.

Bile edhe mbështetësit tradicionalë të rendit liberal global, që bazohet te multilateralizmi dhe ligji ndërkombëtar, duket se e kanë problem të besojnë te aftësia e tyre që të ndikojnë në rrjedhën e ngjarjeve. Pohimet se SHBA-ja është duke u tërhequr nga arena ndërkombëtare me gjasë janë të ekzagjeruara, por të paktën në dy vende në konflikt – në Ukrainë dhe Siri – SHBA-ja nuk e ka luajtur atë rolin e dalluar diplomatik, të cilin e luante dikur.

Evropa është dëmtuar nga disa probleme të mëdha: nga një konsensus i brishtë rreth sanksioneve kundër Rusisë; rreth problemeve që kanë të bëjnë me euron; rreth rrezikut nga një dalje e Britanisë nga BE-ja; si dhe nga paraqitja e sërishme e partive jo liberale, nacionaliste dhe demagogjike. Nëse Evropa vazhdon që të shkojë kah mosfunksionaliteti, atëherë ajo nuk do të jetë në gjendje që ta luaj një rol të rëndësishëm në të ardhmen.

Po hyjmë në një epokë më pak stabile

Derisa shtetet dështojnë dhe qeveritë rrëzohen, liderët batakçinj janë duke mbushur vakumin e pushtetit. Në Afganistan, rishfaqja e talibanëve është duke rrezikuar një progres të arritur për më shumë se një dekadë. Në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, të fortit lokalë dhe ekstremistët islamikë janë duke e penguar progresin kah paqja.

Ndërkohë, tensionet midis disa prej vendeve më të fuqishme në botë, kanë filluar të rriten. Rusia nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin, dëshiron me çdo kusht që të dëshmohet si një faktor global, përkundër asaj se ekonomia e këtij shteti vuan nën sanksionet ndërkombëtare, nga rënia e çmimit të naftës dhe nga mungesa e modernizimit. Ka pasur shenja të vogla të afrimit të mundshëm midis Rusisë dhe Perëndimit, por mosmarrëveshjet rreth Sirisë mbesin të thella, sidomos pasi Rusia ndihmoi forcat e regjimit sirian që të përparonin kah qyteti Alepo, i cili mbahet nga rebelët. Kjo solli deri te një përfundim i shpejtë i raundit të fundit të bisedimeve në Gjenevë. Dështimi i Rusisë që të implementojë pjesë të rëndësishme nga Marrëveshja e Minskut, në Ukrainë, paraqet një moment tjetër të rëndësishëm.

Kina ka filluar që të përfshihet në shumë çështje globale. Por, në vend që të bëhet një pjesëmarrëse e përgjegjshme në një rend liberal ndërkombëtar, duket se ata janë përqendruar në krijimin e strukturave paralele qeverisëse, të cilat Kina do të mund t’i ndryshonte sipas qejfit të saj. Dhe, rritja e këmbëngulësisë së Kinës, kryesisht në Lindje dhe në Detin jugor kinez, vazhdojnë që t’i shqetësojnë fqinjët e vegjël të Kinës, të cilët duan një rol më të fuqishëm amerikan në rajon.

Me gjasë jemi duke hyrë në një periudhë me rrezik më të madh, me rritje të pasigurisë dhe me një transformim fundamental – me fillimin e një epoke më pak stabile ndërkombëtare. Liderët e përgjegjshëm duhet të punojnë së bashku për ta krijuar një rend ndërkombëtar, për të forcuar marrëveshjet institucionale dhe për ta frenuar përhapjen e kaosit.

Rreziku nga një luftë e madhe ndër shtetërore mund të jetë ende i vogël, por për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së ftohtë, eskalimi i dhunës midis fuqive të mëdha nuk mund të konsiderohet një ankth i pamundur. Po të ndodhë një gjë e tillë, atëherë problemet me të cilat tani ballafaqohet bota, do të dukeshin të parëndësishme.

(Wolfgang Ischinger është kryesues i Konferencës së sigurisë në Munih dhe profesor i praktikës diplomatike të politikës së sigurisë në Berlin.

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”