Bujar Bukoshi ambasador: a është kjo e mundur?

Bujar Bukoshi ambasador: a është kjo e mundur?
  • 22 May 2015 - 21:51

Të emërohet Bujar Bukoshi në pozita të ndryshme politike e tash së voni po i përgatitet hapësira të bëhet edhe ambasador i rangut të lartë, kjo për mërgatën shqiptare është një ofendim i rëndë për shkak se ky njeri e keqpërdori në masë të madhe Fondin e Trepërqindshit

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Përkundër vërejtjeve nga faktori ndërkombëtar se personat që janë nën hetime, janë marrë me krime apo aktualisht janë në ato valë të zhvatjes së shtetit, nuk bën të zgjidhen në vende të ndryshme udhëheqëse, siç dukët, kjo nuk po ua vranë veshin qeverisë dhe organeve tjera që emërojnë personalitete në pozita të larta, qofshin politike, ekzekutive apo edhe diplomatike. Shembulli i fundit që u bë i ditur këto ditë është se Bujar Bukoshi do të emërohet në pozitën e ambasadorit, edhe atë, siç thotë edhe vet, të rangut të lartë, përgjegjës për siguri, ku do të këtë mundësi të shëtisë nëpër shumë shtete. Bujar Bukoshi, dihet botërisht se ishte i ndjekur penalisht për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare derisa ishte minister i shëndetësisë dhe siç po ndodh në shumicën e rasteve këta keqpërdorues po shpallen të pafajshëm me arsyetime banale që nuk i ha drejtësia e mirëfillt në asnjë shtet. Ky lajm, posaçërisht, nuk u prit mirë nga mërgata shqiptare, e cila më të drejt pyet se si është e mundur që një ish-udhëheqës i Fondit të Trepërqindshit të marrë pozita çfarë të dojë përkundër faktit të pamohueshëm se ky njeri ka keqpërdorur më të madhe parat që u grumbulluan në atë fond nga djersa dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë të shpërndarë në të gjitha kontinentet. Ka shembuj të shumtë që mërgimtarët tanë e shkrin tërë pasurinë e tyre që kursyen me vite tëra për të mirën e atdheut, për çlirimin nga okupuesi serb. Në vend që të kishin filluar kaherë hetimet për të parë se në çfarë mase u keqpërdorë ky fond dhe ku mbetën ata qindra milionë marka gjermane, qeveria jonë e shpërblen këtë njeri me emërimin e tij edhe në pozitën e diplomatit. Kjo sjellje kaq injorante e pushtetit të vendit tonë karshi mërgatës shqiptare, që ishte njëri ndër faktorët kryesor të çlirimit të Kosovës dhe mbajtjes gjallë të popullatës para gjatë dhe pas luftës , është një gabim i pafalshëm. Se kush ishte iniciator që Bukoshi të marrë edhe pozitë diplomati këtë nuk mund ta di, por një gjë dihet se në krye të qeverisë gjendet ish-ministri i financave, Isa Mustafa , që së bashku me shefin e tij bën çfarë dëshiruan me ato para të grumbulluara në Fondin e Trepërqindshit, ndaj nuk është e rastësishme që tash Bukoshi pa ndonjë vështirësi zgjedh detyra e pozita që atij i konvenojnë në kohë të caktuar. Emërimi i tij mund të jetë edhe një shkas që ato para që i ka futur në banka të ndryshme në shtetet ku ruhet sekreti i klientëve të tyre të marrë vesh se sa ka arritur norma e kamatës dhe sa janë shtuar mjetet deri me tash.

Derisa LDK në vazhdimësi thirret se po ndjek rrugën rugoviane, shembulli i fundit i se Bukoshi do të bëhet ambasador i rangut të lartë definitivisht tregon qartë se kjo nuk është fare e vërtetë aq më shumë kur dihet se ky njeri sa e sa herë ia ka ndërprerë financimin e presidencës, në krye të së cilës ishte Dr. Ibrahim Rugova. Po ashtu, Bukoshi sabotoj edhe luftën çlirimtare duke qenë pengesë e madhe në sigurimin e armatimit për shkak të mosderdhjes së mjeteve për këtë qëllim edhe pse mërgata shqiptare, pos dhënies së mjeteve për Fondin e Trepërqindshit disa herë mori aksione plus për t'u armatosur çlirimtarët, apo thënë me gjuhën e fakteve në dy aksione të mëdha që u organizuan secila familje dha nga 100 marka gjermane për çdo anëtarë të saj. Këtë injorim nuk e meriton mërgata e jonë dhe ajo tash e në të ardhmen kurrë nuk do të pushoi së insistuari që të dalin në dritë keqpërdoruesit e mjeteve të tyre, të cilat u dhanë për Kosovën e për të mirën e qytetarëve të saj e jo që ato të përfundojnë në xhepat  e matrapazëve, të cilët në vend që të japin llogari, ata tash gjenden në vende udhëheqëse politike e besa së shpejti do të emërohen  edhe në pozita të larta diplomatike. Kjo bënë vaki  vetëm tek ne.

Së këndejmi, detyrë dhe obligim  së pari i Kryeministrit aktual, Isa Mustafa, por edhe e presidentës së vendit. Atifete Jahjaga, është që këtë njeri të mos e emërojnë në pozitën e ambasadorit, sepse kjo do të ishte një gabim i pafalshëm por edhe një ofendim për qindra mijëra bashkatdhetarë tanë që punojnë e jetojnë në dhjetra shtete anekënd botës . Mërgata shqiptare shpreson e beson se një gjë e tillë nuk do të ndodh.