Hashim Thaçi shfrytëzon të miturit për fushatë

Hashim Thaçi shfrytëzon të miturit për fushatë
  • 14 February 2016 - 11:12

Shkruan: Gëzim Mekuli

A ndërtohet shteti me televizion e me fotografi?

Ky njeri po e shkel kodin etik dhe njerëzor duke manipuluar, në publik, me fëmijët e pafajshëm

 

Fotografitë e shkrepura me fëmijë për fushatë partiake, në momentin kur në Kosovë po vdesin fëmijë nga kanceri për mungesë të trajtimit mjekësor, është kokë e këmbë vepër e çmendur, e turpshme, joetike, jonjerëzore dhe egoiste e këtij njeriu dhe shokëve të tij


Ministri i punëve të jashtme, H. TH, po i shfrytëzon të miturit dhe fëmijët e varfër të Kosovës për përfitime personale e për karrierë partiake.
Ky njeri po shkel kodin etik dhe njerëzor duke manipuluar, në publik, me fëmijët e pafajshëm e fragjil. Fotografitë e shkrepura me fëmijë për fushatë partiake, në momentin kur në Kosovë po vdesin fëmijë nga kanceri për mungesë të trajtimit mjekësor, është kokë e këmbë vepër e çmendur, e turpshme, joetike, jonjerëzore dhe egoiste e këtij njeriu dhe shokëve të tij.

Të nderuar lexues,

Përdorimi i fotografisë së fëmijës, e me fëmijë, në publik, është shumë kompleks, i ndjeshëm dhe vë në pah shumë pyetje e dilema etike: Sa është i shfrytëzuar fëmija nga politika në Kosovën tonë të varfër? Kush janë ata që mbrojnë pavarësinë e fëmijës? Kush i del zot fëmijërisë së fëmijës në këtë vend?

Objektivizimi i fëmijës nga kryepolitikanë të pushtetit është njëkohësisht edhe akt syçelës për popullin. Ne, këtu shohim se sa jo njerëzorë e sa të pandershëm janë bartësit e këtyre politikave. Ne këtu bindemi se sa të etur janë këta njerëz për të ndikuar e për të ndërtuar mendimin tonë për ta; Ata duan që përmes medias publike, ne veçanti përmes RTK-së, të na detyrojnë që ne të mendojmë e të bindemi se këta janë "kinse të butë", "kinse prindërorë" e "kinse familjarë”. Por, a ndërtohet shteti me fotografi, të nderuar lexues, ku përditë dheu i Kosovës po na i përpin engjëjt tanë, fëmijët tanë? Shëndetësi e mjekësi vetëm me televizion e fotografi?!

Të dashur prindër,

Fëmijët nuk janë dekor politikë për këta njerëz e as "desert i mirë" për festa partiake. Politikat e Qeverisë së Kosovës po vetëdëshmohen se janë johumane, jopopullore dhe fëmijëri shkatërruese.

Atëherë dhe atje kur fëmija përdoret, kryesisht, si "fotografi e si mjet" për të lehtësuar arritjen e qëllimeve përfituese, është argument kokëfortë se kjo hapësirë e kjo shoqëri duhet të mendojë për shëndetin e tij mental.
 

(Kosova Sot)