Po, Amerika është duke ndryshuar, por nga kush?

Po, Amerika është duke ndryshuar, por nga kush?
  • 14 February 2016 - 14:03

Shkruan: Fareed Zakaria

Mbyllja nuk është zgjidhje për një shoqëri si ajo amerikane

Diversiteti ka nisur të shihet si rrezik ndaj karakterit nacional dhe unitetit

Ka përpjekje për ta ndryshuar Amerikën. Ka plane për futjen e testeve religjioze dhe etnike, për t’i ndaluar imigrantët, apo edhe vizitorët, apo për t’i përcjellë imigrantët dhe vizitorët, pasi që këta të fundit të vijnë në vend. Ka pasur thirrje për përzënien e njerëzve, bile edhe të qytetarëve amerikanë. Ka propozime për monitorimin e faltoreve. Këto ide do ta ndryshonin Amerikën me themel, duke ia ndryshuar asaj ADN-në

 

Ekziston një fjali, e cila mund ta ketë fundosur një kampanjë presidenciale. “[Barack Obama] e di saktësisht se çka është duke bërë”, deklaroi senatori Marco Rubio gjatë debatit të së shtunës, duke e përsëritur këtë disa herë më pas. “[Ai] është duke ndërmarrë një përpjekje sistematike për ta ndryshuar këtë vend, për ta bërë Amerikën më shumë sikur pjesa tjetër e botës”. Thuhet se mëkati i Rubio-s është stilistik. Ai e përsëriti këtë frazë thuajse sikur robot. Por, çka mund të themi për substancën e asaj që tha ai?

Deklarata se presidenti Obama është duke u munduar që ta ndryshojë Amerikën rrënjësisht është thënie e emisioneve foljore djathtiste. Sikur që thekson Paul Waldman, Rush Limbaugh, Glenn Beck dhe të tjerët, vazhdimisht vlerësojnë sesi politikat e Obamës me qëllim duan ta transformojnë SHBA-në dhe ta heqin atë që e dallon atë nga vendet e tjera. Rubio tërheq vërejtjen se ky mund të jetë rasti ynë i fundit. Kjo retorikë nuk ngrit ndonjë pyetje të veçantë. Çka është ajo që e bën SHBA-në të veçantë? Të gjithë politikanët amerikanë – duke përfshirë edhe Obamën — e përdorin këtë fjalë. Por, janë të paktë ata që e shpjegojnë atë.

Sot, veçantia e Amerikës shihet më shumë si ekonomike. Shumë konservatorë thonë se Obamacare, politika energjetike dhe rregullacionet financiare Dodd-Frank e kanë dëmtuar dallimin midis SHBA-së dhe vendeve të tjera, duke zgjeruar rolin e shtetit në ekonomi.

 

Shoqëri i diversiteteve

Por, sa është e kufizuar qeveria amerikane? Fondacioni konservator “Heritage” publikon një Indeks vjetor të lirive ekonomike, i cili i rendit vendet bazuar në shkallën e tyre të lirive ekonomike nga qeveria. Amerika gjendet në vendin 11, prapa Kanadasë, Australisë, Irlandës, Zelandës së re, Kilit, Zvicrës dhe Singaporit. Këtu nuk vërehet asnjë veçanti.

Në fakt, shteti amerikan i mirëqenies është goxha i madh, por ai është realizuar në forma komplekse – pjesërisht për ta fshehur këtë realitet. Kur ta shtoni “shpenzimin tatimor”, atëherë madhësia e Qeverisë federale rritet për 4% të GDP-së, sipas një vlerësimi. Nëse këtu shtohen edhe “shpenzimet private sociale”, atëherë madhësia e shpenzimeve sociale amerikane ngrihet në vendin e dytë në mesin e vendeve të pasura në botë, ku SHBA-ja tejkalohet këtu vetëm nga Franca.

Çka mund të thuhet për lirinë? Me siguri liria ka qenë e rëndësishme, por edhe Revolucioni Francez ishte ushqyer me një ide të njëjtë edhe pse kurrë të implementuar me sukses. Dhe, idetë e Amerikës rreth lirisë gjithmonë janë parë si në zhvillim e sipër, meqë vendi ia mohonte atë liri një pjese të rëndësishme të popullsisë. Mos harroni se në vitin 1860, SHBA-ja ishte jo e zakonshme, në mos edhe e vetmja, sa i përket përhapjes së skllavërisë në shtetet perëndimore.

Për këtë shkak, shtrohet pyetja, çka e bëri Amerikën të veçantë që nga fillimi? Ky ishte një shtet jo i themeluar në bazë të një race, etnie, religjioni, por në bazë të ideve. Dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, ato ide ishin të hapura për të gjithë. Kjo hapje ndaj njerëzve, ideve, kulturave dhe religjioneve rezultoi me krijimin e një njeriu të ri – amerikanit. Historiani i madh Gordon Wood e jep mendimin e tij rreth veçantisë amerikane: “Ne kurrë nuk kemi qenë komb në një kuptim tradicional të kësaj fjale... Ne amerikanët nuk kemi nacionalitet, ashtu sikur që kanë popujt tjerë... për çka ne mund të absorbojmë më lehtë imigrantët, sesa popujt e tjerë”.

 

Ndryshimi i ADN-së amerikane

Vendet e tjera kanë shtete të vogla dhe taksa të ulëta dhe ka shumë vende demokratike liberale, bile edhe republika. Por, asnjë vend që nga fillimi i tij nuk besonte në idenë e hapjes dhe përzierjes së njerëzve. SHBA-ja është një shtet i ndërtuar mbi diversitetin e racës, religjionit dhe natyrës kombëtare. Ka përpjekje për ta ndryshuar Amerikën. Ka plane për futjen e testeve religjioze dhe etnike, për t’i ndaluar imigrantët, apo edhe vizitorët, apo për t’i përcjellë imigrantët dhe vizitorët, pasi që këta të fundit të vijnë në vend. Ka pasur thirrje për përzënien e njerëzve, bile edhe të qytetarëve amerikanë. Ka propozime për monitorimin e faltoreve.

Këto ide do ta ndryshonin Amerikën me themel, duke ia ndryshuar asaj ADN-në. Kjo do ta bënte SHBA-në më shumë sikur pjesa tjetër e botës, duke u bërë edhe një shtet më shumë në të cilin etnitë dhe religjionet e caktuara janë më të privilegjuara, e të tjerët janë autsajderë, një vend në të cilin diversiteti është rrezik ndaj karakterit nacional dhe unitetit, në vend që të ishte fuqi.

Dhe, kush është duke i propozuar këto ndryshime? Me sa di unë, ky nuk është Barack Obama.

SHBA-ja është një shtet i ndërtuar mbi diversitetin e racës, religjionit dhe natyrës kombëtare.

(Kosova Sot)