Shqiptarët në Turqi do të rilindin, Ozel do të jetë dëshmitar i saj!

Shqiptarët në Turqi do të rilindin, Ozel do të jetë dëshmitar i saj!
  • 29 April 2016 - 08:21

Shkruan: ARDIAN MEGJANI

Ankaraja duhet të hapet për pakicat, nëse synon Brukselin

Shqipëria kërkon hapjen shkollave shqipe në Turqi, konform konventave ndërkombëtare

Ismet Ozel, një nga poetet më të njohur në Republikën e Turqisë, deklaroi: Nëse shqiptarët që jetojnë në Turqi këmbëngulin të deklarohen shqiptarë, ne duhet t’u themi: “Vëllai im, ik, shporru nga këtu”. Ofenduese si term që nuk përkon aspak me vlerat intelektuale që mund të ketë një poet, por edhe më ofenduese ishin duartrokitjet e mëdha që mori nga të pranishmit në sallë, akoma më ofenduese është moskërkimfalja për atë fyerje!

Pra, sipas Ismet Ozelit, shqiptarët në Turqi që marrin guxim të deklarohen se janë shqiptarë, duhen të dëbohen nga Turqia! Vetë deklarimi i tij i vrazhdë, fyes dhe pa kërkimfalje, bën të mendosh se ekziston një urrejtje e tij ndaj shqiptarëve. Por, Ozel si një nga poetët më të njohur të Turqisë sot, duhet të dijë se fyerja e tij ishte fyerje ndaj autorit të himnit kombëtar turk, Mehmet Akif Ersoyit, sepse dhe ai ishte një shqiptar i Turqisë që vargjet e tij sot i di çdo turk anembanë botës. Ashtu siç Ersoy u fyen edhe dhjetëra deputetë, qindra politikanë, mijëra biznesmenë dhe miliona qytetarë të Republikës së Turqisë që janë me kombësi shqiptare.

Duhet përdorur parimi i reciprocitetit

Poeti Ozel, duhet të dijë se qindra apo disa mijëra turq që jetojnë në Kosovë gëzojnë gjuhën kombëtare turke dhe gjitha të drejtat e arsimimit dhe deklarimit të kombësisë së tyre. Kurse gjuha turke përdoret nëpër gjitha komunat e Kosovës si gjuhë zyrtare për dokumentet dhe certifikatat e lindjes, shtetësisë, vendbanimit dhe martesës për çdo qytetar të Republikës së Kosovës që e ndjen veten të kombësisë turke. Por, kjo nuk vlen sot për miliona shqiptarë që jetojnë në Republikën e Turqisë .

Kujtojmë që ligjet ndërkombëtare përcaktojnë qartë se një shoqëri demokratike, secila pakicë ka të drejtë të ruajë dhe të avancojë gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare. Republika e Shqipërisë shumë  shpejt do të dorëzojë kërkesën zyrtare e cila duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Turqisë, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare, shqiptarëve në Turqi do t’u takojë hapja e shkollave shqipe krahas asaj turke, për të ruajtur dhe për të avancuar gjuhën dhe kulturën e tyre, e cila do të përdoret në qytetet ku shqiptarët janë shumicë, si në: shkolla, fakultete dhe administratë. Shqip, për ta ruajtur identitetin etnik të tyre dhe turqisht për t’i dhënë respekt shtetit mikpritës.

Prandaj, shqiptarët në Turqi do të rilinden, kjo do të ndodhë shumë shpejt, kurse Ozel dhe përkrahësit e tij do të jenë dëshmitarë të kësaj rilindjeje .

Kjo do të ndodhë gjithsesi, sepse një shtet modern demokratik dhe pjesë e Bashkimit Evropian nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Kjo do të ndodhë gjithsesi, sepse shqiptarët kudo ku ndodhen ndajnë ëndrrat së bashku, ndajnë shpresën, bindjen, vizionin dhe përgjegjësinë që kanë ndaj mëmëdheut!

(Kosova Sot)