MSA: Ana tjetër e medaljes

MSA: Ana tjetër e medaljes
  • 29 April 2016 - 08:23

Shkruan: Rron Ismajli

Përparësitë dhe mangësitë e një marrëveshjeje

Disa prej këtyre efekteve negative, siç është rënia e të hyrave prej doganave, nuk do të mund të mënjanohen lehtësisht

Ky liberalizim i sjellë nga MSA-ja ka kontribuar në rritjen e pabarazisë ndërmjet punëtorëve të kualifikuar dhe atyre më pak të kualifikuar

Secili shtet që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane, duhet të arrijë një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me Bashkimin Evropian që në vete përfshinë një sërë reformash politike, ekonomike, dhe tregtare që shteti aspiriues duhet t’i ndërmarrë.

Në kuadër të integrimeve evropiane, kësisoj marrëveshje nënshkroi edhe Kosova në tetor të vitit të kaluar, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Kjo marrëveshje iu hap dyer prodhuesve vendorë që të eksportojnë mallrat e tyre në një treg prej 500 milionë banorëve dhe njëkohësisht i bën më atraktive për konsumatorët produktet me origjine evropiane.

Marrëveshje të ngjashme si Kosova, kanë nënshkruar dhe implementuar  edhe gjashtë shtete të tjera të rajonit. Efektet e kësaj marrëveshjeje dallojnë në secilin rast, por duhet thënë se eksperienca e tyre me MSA-në nuk ka qene vetëm pozitive. Një ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje është heqja e taksës doganore për produktet që vijnë nga BE-ja.

Shembulli i Shqipërisë dhe Malit të Zi

Shqipëria që zbaton MSA-në që nga viti 2009, në akord me marrëveshjen hoqi këtë barrë për importuesit dhe kjo rezultoi në një rënie drastike të të hyrave nga dogana në vitet e para. Gjithashtu përfitimet e kësaj marrëveshjeje nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Sektorë si agrikultura apo industri të prodhimit përfitojnë kurse tekstili, kimikatet apo mineralet humbasin, për shkak se janë më pak konkurruese. Në këta sektorë gjendja e të cilëve është përkeqësuar, janë punëtorët me kualifikim inferior të cilët pësojnë më së shumti.

Andaj ky liberalizim i sjellë nga MSA-ja ka kontribuar në rritjen e pabarazisë ndërmjet punëtorëve të kualifikuar dhe atyre më pak të kualifikuar. Një situatë tjetër e pakëndshme që erdhi si rrjedhojë e implementimit të kësaj marrëveshje, ishte ajo në Mal të Zi me çmimet e patundshmërive. MSA-ja parasheh shtimin e përfitimeve të qytetarëve evropianë, përfshirë këtu edhe të drejtën e tyre për të blerë prona në shtetin malazez. Kjo bëri që në vitet në vijim të ketë një fluks të madh të blerjeve së patundshmërive në këtë vend dhe si pasojë rritjen e çmimeve.

Avantazhet e Kosovës

Këto janë vetëm disa nga problemet me te cilat janë ballafaquar shtetet që kanë nënshkruar Marrëveshjen për Stabilzim-Asociim. Avantazhi i të qenit delegacioni i fundit që ka nënshkruar këtë marrëveshje në Ballkan u ka mundësuar autoritetet kosovare që të arrijnë një marrëveshje më të favorshme. Gjithsesi disa prej këtyre efekteve negative siç është rënia e të hyrave prej doganave nuk do të mund të mënjanohen lehtësisht.

Për të mposhtur këto anë negative, Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në theksimin e elementeve pozitive të kësaj marrëveshje. Këtë mund ta bëjë përmes asistimit të prodhuesit vendor në arritjen e standardeve të cilësisë në mënyrë që ata të mund të konkurrojnë suksesshëm në tregun evropian. Marrëveshja gjithashtu ia lehtëson Kosovës thithjen e investimeve të huaja direkte, por për këtë duhet bërë ende në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimit të kushteve të tjera biznesore. Kjo marrëveshje mund të sjellë shumë dobi, por së pari duhet kushtuar një kujdes të veçantë disa prej pikave që i përmban, ngase mund t’i shkaktojnë Kosovës shumë telashe në planin afatshkurtër.

(Kosova Sot)