Kostoja e Letrave me Vlerë për Qeverinë e Kosovës

Kostoja e Letrave me Vlerë për Qeverinë e Kosovës
  • 29 April 2016 - 08:33

Shkruan: Artrin Bajrami

Shteti eksperimenton me forma të reja të financimit

Për një shtet sikur Kosova, bono e thesarit është koncept relativisht i ri

Për vitin 2016 pritet që Kosova të lansojë edhe një numër ankandesh, ku letrat e reja nga thesari do të shtohen edhe për 100 milionë euro

Për shumicën e shteteve perëndimore, financimi i borxhit publik nëpërmjet bonove të thesarit është koncept aq i vjetër ndoshta sa vetë shteti. Mirëpo, për një shtet sikur Kosova, është koncept relativisht i ri. Falë një projekti të lansuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me Departamentin e Thesarit Amerikan, tani Kosova ka kapacitete për lëshimin e letrave me vlerë. Vlerat totale e letrave me vlerë të lansuara nga ai vit deri në fund të vitit 2015 mbërrin vlerën prej 377.78 milionë euro. Për vitin 2016 pritet që Kosova të lansojë edhe një numër ankandesh, ku letrat e reja nga thesari do të shtohen edhe për 100 milionë euro. Mirëpo, cila është kostoja e borxhit të brendshëm nëpërmjet letrave me vlerë? Sa i kushton kjo Qeverisë së Kosovës?

Rritja e borxhit

Borxhi i brendshëm nëpërmjet instrumenteve të letrave me vlere është koncept relativisht i ri, i cili u lansua në vitin 2012 ku emetimet e reja mbërritën vlerën prej 73.31 milionë euro. Kjo shumë është 1.51% shprehur si përqindje e Prodhimi të Brendshëm Bruto (PBB) të Republikës së Kosovës për vitin 2012, ndërsa si përqindje e borxhit total është 17.88% . Ndërsa, në fund të vitit 2015, vlera e borxhit mbërrin në 377.78 milionë euro, që është 6.46% e PBB dhe është 50.44% e borxhit total të Republikës së Kosovës. Si shumë nominale, interesi i paguar për vitin 2012 ishte 660 mijë euro, ndërsa për vitin 2015 ishte 5.5 milionë euro.

Edhe pse kostoja e borxhit të brendshëm është relativisht e ulët, problematika qëndron në shfrytëzimin e këtyre huave. Shfrytëzimi i këtyre mjeteve për investime kapitale si në shkolla, spitale, Policinë e Kosovës, dhe shume projekte të tjera të ngjashme, do të ishte mënyra më e mirë që shoqëria kosovare të përfitojë nga këto hua. Një mundësi që ky projekt të konkretizohet dhe më tutje, është që letrat me vlerë të jenë të paracaktuara për projekte të këtij lloji, në mënyrë që fondet të kenë një destinacion përfundimtar para se të merren hua.

Influenca e Qeverisë në tregun e lirë

Gjithashtu një rrezik tjetër buxhetor për vendin, është edhe ndryshimi i proporcionit të borxhit të brendshëm në raport me borxhin total. Kjo influencë e Qeverise në tregun e lirë, mund të shkaktojë probleme në sektor privat. Në fund të vitit 2015, ky proporcion ishte 50.44%, që mund të paraqet risk potencial për zvogëlim të likuiditetit në sektorin privat në shkëmbim për  projektet e financuara në sektor publik. Në rast se do të kishte dhe rënie të depozitave në bankat komerciale, atëherë borxhi publik i shtetit do të ishte përgjegjës për ngritjen e interesit në hua si dhe në vështirësimin e të bërit biznes.

Në mënyrë që të evitohen skenar të tillë financiar, një ide do të ishte mbajta nën kontroll e borxhit të brendshëm nën normën 50% në raport me borxhin total të shtetit, si dhe paracaktimi i përdorimit të mjeteve te cilat mblidhen në ankandet e letrave me vlerë.

(Kosova Sot)