A po fillon një epokë e re në Kosovë?

A po fillon një epokë e re në Kosovë?
  • 30 April 2016 - 08:26

Nga Skënder MULLIQI

Skena politike duhet reformohet

Vetëm me një politikë të përgjegjshme do të arrijmë t’i largojmë nga skena politike këto banda komuniste

Pa ndryshime cilësore në krye të disa partive politike, apo më mirë do të ishte t’i quajmë korporatave politike, nuk do të kemi kurrë prosperitet dhe jetë të mirë. Është iluzore të presim se hajnat dhe njerëzit e involvuar në krime do të fillojnë të punojnë mirë. Vetëm intelektualët e mirëfilltë do ta qesin gjendjen politike dhe ekonomike në binarët normalë të saj

Komunistët në gjenin e tyre e kanë preokupimin për pushtet absolut dhe për të përfituar të gjitha të mirat e shtetit dhe të popullit. Këta janë treguar historikisht si mjeshtër të vjedhjeve, por edhe shumë mizorë. Logjika e tyre shtypëse duket e pambarim. Edhe në këtë fazë të tranzicionit pasardhësit e komunistëve po tregohen po aq lakmitarë për pushtet, por shumë më finokë në hajnitë e tyre, të cilat i kanë kryer gjatë këtyre viteve të tranzicionit në Kosovë. Janë treguar si ‘artistë‘ në këtë drejtim. Po vazhdojnë të vjedhin me të madhe. Kjo nuk është diçka stilistike, por është realiteti i sotëm. Nëse dikur komunistët kanë qenë mizorë, nuk do të thotë se këta të kohës moderne janë më të mirë. Sot, të gjithë me të drejtë pyesin a do të kenë fund hajnitë dhe keqpërdorimet? Nëse nuk formojmë shtet ligjor dhe funksional, e keqja komuniste nuk do të na hiqet lehtë qafe. Ata na u kanë ngjitur aq fort për qafe, sa nëse nuk reagojmë me gjithë forcën, vështirë do të bien përtokë. Vetëm me një politikë të përgjegjshme do të arrijmë t’i largojmë nga skena politike këto banda komuniste, të cilët fëmijëve të vet ua kanë krijuar jetën si në parajsë.

Me para të popullit e shtypin popullin si është më së keqi

Kanë uzurpuar prona të shtetit. Kanë ndërtuar shumëkatëshe në qendra të qyteteve që kapin shifrat milionëshe. Kanë uzurpuar lokale dhe vazhdojnë t’i mbajnë të uzurpuara, sikur t’ua kishte lënë baba. Kanë ndërtuar shtëpi luksoze në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Këta janë bërë vetë shteti, thua se nuk ka popull mbi këtë tokë. Aq më keq kur të gjithë këto po i bëjnë publikisht. Ka humbur përgjegjësia. Ka humbur morali politik. Na është shndërruar vesi në virtyt.

Të mirat materiale po i gllabërojnë kategoria e njerëzve, të cilët po ngjiten në pushtet pa asnjë meritë. Kanë arritur me para të popullit ta shtypin popullin si është më së keqi. Na mbajnë fjalime së gjendja është e mirë. Pa ndryshime cilësore në krye të disa partive politike, apo më mirë do të ishte t’i quajmë korporatave politike, nuk do të kemi kurrë prosperitet dhe jetë të mirë. Është iluzore të presim së hajnat dhe njerëzit e involvuar në krime do të fillojnë të punojnë mirë. Vetëm intelektualët e mirëfilltë do ta qesin gjendjen politike dhe ekonomike në binarët normalë të saj.

Jeta në Kosovë është ngulfatur nga strukturat kriminale të instaluara në pushtet

A po fillon një epokë e re në Kosovë, apo sërish po na servohen spektakle mediatike të arrestimeve nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës? Të shpresojmë se kësaj radhe arrestimet e filluara do të jenë shumë më serioze. Jeta në Kosovë është ngulfatur nga strukturat kriminale të instaluara në pushtet. Nuk na nevojitet kurrfarë pompoziteti mediaktik i arrestimit të Azem Sylës dhe grupit të tij. Njeriu ynë ka nevojë që përfundimisht të lirohet nga uzurpatorët e pushtetit të Kosovës. Këta janë ngritur mbi ligjin, sepse kanë ndërtuar shtet për vete, se i kanë futur njerëzit e vet në të gjitha hallkat kyçe të sistemit.

Arrestimet ishte dashur të bëhen pa hile, e jo sikur ndodhi në të kaluarën kur u arrestuan shume zyrtarë të lartë të shtetit, dhe jo që nuk u dënuan, por ata u kthyen prapë në pozitat e tyre të larta pushtetare, që e kam thënë disa herë deri më sot. Tek e fundit arrestimet e fundit dhe të përfolurit, të cilët do të arrestohen, i tregojnë popullit së cilat janë ata që po e rrënojnë shtetin e ri të Kosovës. Kur të arrestohen të gjithë keqpërdoruesit, do të ngjallen shpresat e këtij populli për një jetë më të mirë. Të shpresojmë së muajit në vazhdim do të jenë shumë përcaktues për një të ardhme më të mirë të popullit dhe të shtetit të Kosovës…

(Kosova Sot)