Si e humbëm Perëndimin dhe pse duhet që ta kthejmë?

Si e humbëm Perëndimin dhe pse duhet që ta kthejmë?
  • 30 April 2016 - 11:01

Shkruan: Timothy Garton Ash

Dalja e Britanisë nga BE-ja

Perëndimi, me Evropën dhe SHBA-në në qendër, ka shumë gjynahe në shpirtin e vet

Lidhjet midis Evropës dhe SHBA-së janë dobësuar, por ende ekzistojnë sfida të mëdha globale - Rusia, Kina, Lindja e Mesme, ndryshimet klimatike - me të cilat mund të ballafaqohemi vetëm bashkërisht

Çka ndodhi me Perëndimin?

Barack Obama sapo vizitoi Evropën për ta lavdëruar dhe forcuar Perëndimin, duke apeluar te Britania që të mos dalë nga BE-ja dhe duke kërkuar nga Gjermania që ta mbështetë Partneritetin (e propozuar) transatlantik për tregti dhe investime (TTIP). Reagimet në Britani, Gjermani dhe SHBA sugjerojnë se ai fliste me murin, apo në rastin më të mirë, me hijen e asaj që dikur ishte Perëndimi. Duke shkruar në "Daily Telegraph", gazetën e preferuar të shtresës së mesme konservatore, Obama përmendi të gjitha institucionet, të cilat u krijuan nga Britania dhe Amerika, që nga viti 1945 dhe, si BE-ja kishte ndihmuar "në përhapjen e vlerave dhe praktikave britanike - demokracisë, sundimit të ligjit, tregut të lirë - në tërë kontinentin dhe në periferi të tij". Por, në të njëjtën gazetë u publikua edhe një shkrim i kryebashkiakut të Londrës, Boris Johnson. Pasi që më parë kishte thënë se prejardhja keniane ka ndikuar që ai të ishte anti-britanik, Johnson tani u deklarua kundër "presidentëve amerikanë, liderëve të biznesit, maceve të trasha të çdo lloji", të cilët duan që Britania të mbetet në BE. 

"Rivlerësimi i vlerave perëndimore"

Habit fakti që mbështetësit e daljes së Britanisë nga BE-ja nuk morën mundin që të adresonin argumentet më të gjera të Obama-s, rreth rrezikimit të interesave dhe vlerave të Perëndimit në aspektin më të gjerë. Ata thoshin vetëm unë, unë, unë. Britania do ta kishte më mirë sikur të bënte marrëveshjet e veta tregtare, Britania do të kishte më pak refugjatë, më shumë sovranitet, më shumë liri. Mos pyetni çka mund të bëjë Britania për botën, por pyetni çka mund të bëjë bota për Britaninë. Ky është një kontrast dramatik krahasuar me atë si ishte zhvilluar debati në fillim të viteve 1970, kur Britania kishte vendosur a të hynte në Komunitetin evropian, apo jo. Është e vërtetë se argumentet kryesore për hyrje ishin ekonomike. Por, në debatet parlamentare të asaj kohe, konservatorët angazhoheshin për këtë përkushtim kontinental si kontribut ndaj shoqërisë perëndimore, kundër BRSS-së. Atëherë ishin konservatorët ata që mendonin globalisht, derisa laburistët tentonin të ishin më euroskeptikë dhe të izoluar. Tani është e kundërta. Partia e Winston Churchillit, apo të paktën gjysma e saj euroskeptike, e ka braktisur Perëndimin të cilin Churchill bëri gjithçka për ta sjellë në jetë. Obama shkoi nga dreka në Dhomën e Hanoverit (tani Windsor) deri në një panair tregtar në Hanover, Gjermani, për të biseduar me Angela Merkelin dhe për t'u angazhuar për TTIP. Por, përkundër kësaj, kjo iniciativë për ta forcuar Perëndimin, ndeshi në një kundërshtim dhe skepticizëm të gjerë. Në një analizë mbresëlënëse në revistën kryesore, "Der Spiegel", Jakob Augstein e karakterizonte Obama-n si "presidentin e fundit të Perëndimit". "Fjala 'Perëndim' dikur kishte domethënie", shkruante ai. "Ai përshkruante qëllimet dhe vlerat e një bote më të mirë". Por, jo më. Sot, ne evropianët "e konsiderojmë Amerikën gjithnjë e më shumë sikur që e konsiderojmë Rusinë, Kinën, Indinë". Fol për vete, Jakob. Por, nuk ka dyshim se ai shpreh një ndjenjë të përhapur në Gjermani, me një distancë në rritje politike, kulturore dhe emocionale nga SHBA-ja. Në ndërkohë, shumica e kandidatëve presidencialë amerikanë aktualisht kundërshtojnë TTIP-në. Bile edhe Hillary Clinton, e cila fatmirësisht ka më së shumti gjasa që të bëhet president, ka shprehur rezervat e saj rreth TTIP-së - për arsye taktike, duke pasur tendenca proteksioniste ndaj pjesëve të caktuara të elektoratit demokrat dhe besnikëve të partisë. Nuk është vetëm TTIP që nuk i pëlqen Donald Trump-it. Ai ka deklaruar se e konsideron NATO-n si të panevojshme. Mund të mendoni që marrja e Krimesë nga Putini e arsyeton ekzistencën e NATO-s, por jo, Putin dhe Trump do t'ia kalonin shumë mirë: "Gjithmonë më ka pëlqyer Putini. Mendoj se ai është një lider i fortë, i cili përfaqëson vendin e tij". Në fjalimin e tij të së mërkurës rreth fjalimit të politikës së jashtme, Trump u mundua që të dukej më shumë si burrështetas. Por, ai përsëri përmendi arritjen e një "marrëveshjeje" me Putinin. Sa i përket NATO-s, "vendet të cilat i mbrojmë do të duhej të paguajnë koston e kësaj mbrojtjeje, e nëse nuk do të paguajnë, SHBA-ja duhet t'i lejë ato të mbrohen vetë". Kaq sa i përket nenit 5 të NATO-s që garanton Poloninë dhe shtetet baltike. Po, ai tha se dëshiron "rivlerësimin e vlerave perëndimore", por më pas menjëherë doli në kundërshtim me këto vlera me vlerat universale. 

Obama internacionalist

Kur ke shokë si Trump, armiqtë nuk të duhen asgjë. Ekziston një shpjegim evident historik për këtë zbehje të Perëndimit. Si komunitet kulturor, Perëndimi ka ekzistuar me shekuj të tërë, por si aktor efektiv gjeopolitik, Perëndimi filloi të ekzistonte vetëm në betejë kundër një armiku të përbashkët, Gjermanisë naziste dhe vazhdoi kundër një armiku tjetër, BRSS-së. Por, më pas mori fund lufta e ftohtë dhe BRSS-ja u zhduk. Derisa Evropa dhe Amerika u ndanë rreth luftës në Irak, një ish-sekretar i Jashtëm britanik më kishte thënë në besim, "ah, sikur të ishte kthyer Brezhnevi". Në librin tim të vitit 2004, "Free World", thosha se sfidat më të mëdha globale, me të cilat ballafaqohemi, që nga ngritja e Kinës e deri te trazirat në Lindjen e Mesme dhe te ndryshimet klimatike, nuk mund të adresohen pa një bashkëpunim të ngushtë midis SHBA-së dhe BE-së, dy përfaqë- suesve më të mëdhenj të të pasurve dhe të lirëve. Por, kjo duhet të jetë vetëm qendra e një partneriteti më të gjerë, me të gjithë ata që ndajnë vlerat dhe interesat e përbashkëta, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për Indinë, Brazilin, apo Afrikën Jugore, në atë që unë e kam quajtur "post-Perëndim". Besoj se kjo analizë qëndron edhe sot e kësaj dite. Përkundër planeve nacionale të 'bekuara' tash vonë në Paris, ngrohja globale me gjasë do ta kalojë targetin 2C. Kina, nën udhëheqjen neo-Maoiste të presidentit Xi Jinping, nuk është duke e marrë me butësi rolin e një lideri global. Ne ballafaqohemi me një Rusi revanshiste, reaksionare, e cila ndan me Nigel Faragen dhe Marine Le Pen qëllimin e shpërbërjes së BE-së. Çfarë momenti i mirë për të hequr dorë nga Perëndimi. Perëndimi, me Evropën dhe SHBAnë në qendër, ka shumë gjynahe në shpirtin e vet. Por, vizioni i Perëndimit, i përmendur nga Obama, është me të vërtetë liberal dhe internacionalist, që i kushton më shumë vëmendje nevojave të jugut të botës. Alternativa e jetës reale nuk është diçka më progresive, por një amalgamë e Putinit, Trumpit dhe Le Penit: Putrumpen. Obama internacionalist, apo Putrumpen: Çka do të preferonit?   

(Kosova Sot)