Dueti i mundshëm Clinton-Warren

Dueti i mundshëm Clinton-Warren
  • 01 May 2016 - 08:45

Shkruan: Eugene Robinson

Kolegë të garës

Matematika e delegatëve duket të jetë brutale

Si sekretare e Shtetit, ajo ishte më ‘skiftere’ sesa presidenti Obama — ajo ishte angazhuar për një intervenim më të ashpër në Siri, për shembull. Ajo ka kohë që ka kërkuar falje për votën e saj për autorizimin e Luftës në Irak

Kolegë të garës? Ende nuk jemi në maj, e tani kemi filluar që të flasim për shokë të garës? Atëherë më lini që ta përmend emrin e Elizabeth Warren-it.

Këtu jam duke bërë disa supozime – në një vit kur çdo supozim është i rrezikshëm. Së pari, besoj se do të dështojë kumari i dëshpëruar i Ted Cruz-it për ta shtuar Carly Fiorinaton në lojë. Ai kishte të drejtë të provonte, por nuk shoh sesi Fiorina mund të joshë mbështetje të re për Cruzin për t’i fituar zgjedhjet primare në Indiana, të martën. Dhe, nëse ai humb atje, atëherë thuajse ka mbaruar në tërësi si kandidat.

Fitoret e mëdha të Donald Trump-it këtë javë i siguruan atij një numër të delegatëve të konventës, të cilët as mbështetësit e tij më optimistë nuk e kishin pritur. Nëse momentumi ende ka ndonjë rol në politikë, atëherë Trump e ka atë. Dhe, nëse ai fiton në Indiana, rruga e tij nga nominimi republikan duket kryesisht i sigurt. Po ashtu, supozoj se Hillary Clinton do të jetë e nominuara demokratike. Matematika e delegatëve duket të jetë brutale: tani nuk ekziston asnjë mënyrë që Bernie Sanders ta zërë atë. Sanders duket se e kuptoi realitetin këtë javë, kur tha se kampanja e tij do të largojë me qindra anëtarë të stafit, që punojnë me pagesë. Ai tha se do ta përdorë ndikimin e tij në konventë, për të bashkuar agjendën më të fortë progresive, që është parë ndonjëherë nga ndonjë parti politike.

Këtu vjen në shprehje Warren.

Clinton është e dobët me të majtën demokrate

Është absurde të thuhet se Clinton nuk e meriton epitetin “progresive”. Ajo ka vraga nga dekadat e tëra të sulmeve nga ‘konspiratat e djathta’. Por, në shumicën e çështjeve – me përjashtim të kontrollit të armëve - Sanders gjendet në të majtë të saj. Dhe, sikur që ka treguar kampanja e tij befasuese, aty sivjet gjendet energjia dhe eksitimi i Partisë demokratike. Nëse ekziston ndonjë çështje specifike, ku Clinton është e dobët me të majtën demokrate, atëherë ato nuk janë hetimet e FBI-së rreth e-mailave të saj, por afërsia e saj e perceptuar me “Wall Street”, e simbolizuar nga pagesat gjashtëshifrore për fjalime, të cilat ajo i ka marrë nga banka investuese “Goldman Sachs”. Tema qendrore e Sandersit thotë se të pasurit dhe të fuqishmit e kanë shtrembëruar sistemin tonë politik dhe ekonomik, me qëllim të favorizimit të interesave të tyre vetjake.

Ai nuk e sulmon Clinton-in vetëm për shkak të fjalimeve në ‘Goldman’, por po ashtu edhe për marrjen e parave për kampanjë nga kjo bankë. Unë supozoj se Sanders, nëse nuk e merr nominimin, do t’ia ofrojë Clinton-it mbështetjen e tij të plotë. Por, a do ta bëjnë këtë edhe mbështetësit e tij më të zjarrtë?

Si kolege e garës me Clintonin, Warren mund ta fshijë këtë dobësi potenciale me bazën demokrate. Ajo ka kaluar vite të tëra në Senat, duke u bërë e njohur si kamxhik për “Wall Street”-in. Asnjë figurë politike nuk është më shumë e identifikuar se ajo me përpjekjet për frenimin e teprimeve të sistemit financiar.

Clinton është tradicionaliste e politikës së jashtme

Warren po ashtu do të ndihmonte në adresimin e një brishtësie tjetër. Nëse në zgjedhjet e përgjithshme do të shkojë dueti Trump vs. Clinton — gjë që duket gjithnjë e më e mundshme – është duke u bërë e qartë se, në lidhje me çështjen e përfshirjes ushtarake amerikane në botë, Trump do ta pozicionojë veten në të majtë të Clinton-it.

Fjalimi rreth politikës së jashtme, të cilin e mbajti Trump të mërkurën, në pjesën më të madhe të tij ishte i kotë dhe qetësues. Tema e tij kryesore është “America first” (Amerika në rend të parë). Kjo frazë mund të ketë shumë kuptime, por duket se ajo premton që presidenti Trump do të ishte tepër hezitues ndaj vendosjes së trupave luftarake në ndonjë rol të policit botëror. Trump ka vënë në pikëpyetje edhe vlefshmërinë e NATO-s në formën e saj aktuale.

Clinton është tradicionaliste e politikës së jashtme. Si sekretare e Shtetit, ajo ishte më ‘skiftere’ sesa presidenti Obama — ajo ishte angazhuar për një intervenim më të ashpër në Siri, për shembull. Ajo ka kohë që ka kërkuar falje për votën e saj për autorizimin e Luftës në Irak, por Sanders vazhdon që ta sulmojë atë për këtë. Trump me gjasë do ta bënte po të njëjtën gjë.

Warren nuk ishte në Kongres, kur filloi Lufta në Irak dhe siguria kombëtare nuk është çështje, me të cilën ajo mund të identifikohet. Por, pikëpamjet e saj përputhen ngushtë me ato të krahut progresivist të partisë.

Warren po ashtu ofron një storie personale, me rrënjë modeste, për t’u bërë më vonë profesoreshë e Harvardit, e më pas edhe senatore. Fakti që ajo dhe Clinton do të ishin tandemi i parë i bërë vetëm nga femrat, duhet të jetë irrelevant, por nuk është. Për shumë votues, kjo do të ishte mahnitëse.

Mund të mendoj për shumë kandidatë të përbashkët të Clintonit. Është qesharake, por nuk mund ta paramendoj askënd që do ta shoqëronte Trump-in në garë. Ndoshta ai do të shkojë i vetëm.

(Kosova Sot)