Pse luan bisht Ramush Haradinaj?

Pse luan bisht Ramush Haradinaj?
  • 02 May 2016 - 07:56

Shkruan: Reshat Badallaj-Zhuriani

I nderuari Ramush Haradinaj! Vendosa të të drejtohem me letër të hapur në publik, edhe pse nuk kemi luajtur me ashik bashkë, por shpresoj se nuk do të ma merrni për të keq, sepse nuk e kam me të keq. Si qytetar i kësaj toke, jam shumë i prekur dhe i shqetësuar me situatën politike që e ka prekur Kosovën. Sa për fillim, ju jam mirënjohës për kontributin që keni dhënë familjarisht në rrafshin kombëtar. Pas familjes së Shaban Jasharit, familja Juaj janë më meritorët për lirinë që po e gëzojmë sot, duke dhënë edhe dëshmorë në vijën e frontit, kundër bandës terroriste të sllavojugorëve, e veçmas kundër hordhive çetnike që nga koha e Drazh Mihajloviqit, kriminelit Aleksandër Rankoviqit, kasapit antishqiptar, që e la amanet: "Të lëshohet kosa e vdekjes në kokat shqiptare dhe mos të lihet asnjë plisbardh mbi këtë tokë", satrapit Josip Broz Titos dhe së fundi kundër falangave të Milosheviqit, që zotëronte makinerinë më moderne ushtarake të luftës dhe mercenarëve rusë... Pra, Ju familjarisht kudo ishit në ballin e fatkeqësive ku binin kambanat e mortit kundër kombit tonë dhe kundër tradhtarëve dhe zagarëve të pushtuesit, që dëgjonin edhe frymëmarrjen e atdhetarëve që burgosnin shqiptarët dhe bënin hatanë dhe kasaphanën nëpër kazamatet famëkeqe të Serbosllavisë. Edhe pas çlirimit të vendit, u përballe me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndonëse i ngjante hoteleve më luksoze evropiane se po se po atyre ballkanike që nuk bëhet fjalë. Si i thonë fjalës, nuk të ka munguar asgjë, bile si thonë nga anët tona në Zhur të krahinës së Lumes, nuk të ka munguar as "tamli i zogut dhe as vezët e peshkut". Mos thuaj Jo! Mendoj se kam hise t´ju shkruaj se edhe familja ime të konakut e të oxhakut, si na njohin dera e Latë Nurës, jo të mëhallës ose të fisit, por të sofrës, me dyfek krahut ia kishin dhënë malit dhjetë djem e një vajzë-Tevidja... Kur veshët këmishën e hollë të politikës, filluat të merreni me lojëra Sido që të jetë, burgu është burg. E kam provuar këtë në burgjet serbe që kërkonin dënimin prej dhjetë vjet deri me vdekje, për veprimtari kombëtare. Bile, mjerisht polici, më fal milici ishte shqipfolës, quhej Rrustem Ramosaj, aty rrotull "nahisë" tënde, nga Cerabregu i Deçanit, bile ky në gjyq, në ditën e gjykimit mbrojti serbianët, edhe pse m'i vranë tre kushërinjtë e mi, që ia shtrova shtratin e vdekjes, gjykatësi hetues ishte shqipfolës, Sylejman Limani, prokurori publik shqipfolës-turkofil, Skender Morina, gjyqtari më serb se serbët, shqipfolës, Pjeter Përgjoka... I nderuari Ramush Haradinaj, Mirëpo, kur deshët uniformën e ushtrisë së lavdishme dhe veshët këmishën e hollë të politikës, filluat të merreni me lojëra, keni filluar të lini nam si bishtdredhur.

Nuk e mbajte meritën e luftës. Gjatë luftës ishe shumë i afërt me Hashim Thaçin, një djalë nga Buroja e Drenicës, ke dëgjuar për këtë? Me siguri se ke dëgjuar! Bile, Hilmiu, yt atë, thoshte disa herë se Hashimin nuk e ndaj nga djemtë e mi...". Lakmia për pushtet dhe post të ndërseu, t´ia fut hanxhar e sakicë, Hashës prapa krahëve dhe fillove të bëhesh si pula në shi, por u bëre puthador i Ibrahim Rugovës, të Cërcës. Ibrës me siguri ia ke dëgjuar zërin! Medoemos ia ke dëgjuar, atij që dikur nuk ndërroi fjalë as për të mirë e as për të keq. Përkuleshe para tij, kur nuhate se do të bëhesh i madh. Helbete, njerëz jemi! Mashkullin thonë se e prish me themel paraja (leku) dhe femra (rrospia) e bukur! Nuk e mbajte veten. Eh, mo Zot me keq! U bëre i madh po nuk të eci mbarë. U nise për në Hagë! U tregove "burrë" u vetëdorëzove. Nejse, nuk ke pasur të fshihesh edhe në birën e miut të futeshe, do të gjenin se të ndiqnin langonjtë dhe zagarët e pushtuesit. U "dergje" atje. Miliona euro i pagove avokatët më të fortë të planetit,që nuk kishte më të fortë as në tokë e as në qiell. Ku i more ata miliona vetëm t´i e di. E di vetëm për një (1) milion euro t´i kishte falur Behxhet Pacolli, bile nuk ia dite për nder fare, i the: Nuk e kam detyruar... Ramush, u ktheve nga Haga. Dhe shyqyr që u ktheve. Të betohem për tokë e për qiell se nga gëzimi kam derdhur lot që iu ktheve nënës, babës, Anitës, fëmijëve,vëllezërve, farefisit aty rrotull. Ah, lakmia e dreqi i mallkuar e marrtë. Nuk e fshehe këtë marre. Vetë kërkoje të bëhesh kryeministër, edhe pse me zor se e kalove pragun e zgjedhjeve, që askund në botën demokratike nuk ka që dikush të bëhet kryeministër i vendit me 5-6%. Unë nuk e di, ndoshta Ti e di këtë! U mbajtën zgjedhjet më 8 qershor 2014, Partia jote që e drejtoje, doli për faqe të zezë, pa asnjë të bardhë.

Morët një karrocë votash. Sërish lakmia të ndërseu të bëhesh kryeministër. Po çfarë kryeministër, o Rambo! Në fakt, e formuat një koalicion akraballëkësh dhe punë e madhe për ty, që e TRADHTOVE elektoratin, u bëtë bashkë me një bande mafioze të nëntokës, u lidhe dhe u puthe publikisht me Isa Mustafën, që në kohën e këtij u vranë shumë shqiptarë rrugës. U lidhe me ca hajna që para luftës nuk kishin brekë për t´i veshur dhe pas luftës u bënë milionerë si sheikët e Dubait. U lidhe me ca "axhami". Nuk mund të shitni më dushk për gogla Gjashtë muaj Kosovën e latë pa institucione, si pula pa kokë. Jo për interesa kombëtare, mos e thuaj këtë se koritesh me prag e me plang. Strategjia e kësaj bande ishte si ta merrni pushtetin për të vjedhur. Banda hajdute që quhej VLAN vdiq me marre të zezë! Jua mbërtheu jo sa krahu, por sa mullari i sanës, Isa Mustafa. Filluat të kërceni degë në degë si korb shëtitës,duke sharë e mallkuar se nuk erdhët në majën e mullarit. Nuk mundet më të shitni dushk për gogla. Nuk e hëngrën shqiptarët sapunin për djathë... Nga VLANI u bëtë VAN. Vetëm një shkronjë ia larguat. Prapë protestuat kundër Isës dhe Hashimit, që sollën "Zajednicën" dhe shiten vendin si dikur Esat Pashë Toptani dhe Ahmet Zogu. Protesta ishte me shumë vend dhe kam shkruar shumë kundër këtyre tradhtarëve që shitën vendin që kanë hyrë në koshin e plehrave dhe notojnë në ujërat e turbullta të tradhtisë. Kjo doli se ishte "behane e çervishit, një lugë tëlyen". Po thonë se keni blerë ca tokë si të

PARKUT NACIONAL,TAMAM HAPËSIRË SA SHTETI i MALTËS, VETËM NJA 97 metra më shumë se Malta. Kështu po thonë, kështu po shkruhet. Dhe, në qoftë se nuk është kështu, përse more Rambo, nuk ngrini padi penale. Edhe VANI vdiq me marre të zezë si Vlani. Po përse more Rambo nuk po ju vjen keq për këtë popull për ta maltretuar me lojërat tuaja të ndyra. Përse nuk mendoni se ka Zot!? Ai, i qofsha fal Atij, është i Madh. Mos luani me popullin dhe me Zotin. Zotin dorëzan! I nderuari Ramush, Jemi dëshmitarë të kohës se ishit këmbëngulës se më kurrë me Isa Mustafën. Kurrë edhe me PDK-në. Pastaj filluat të luani bisht. Po me koalicion me PDK-në,por me PDK-në ndryshe! Pastaj jo vetëm që luajtët bisht,por edhe po ngrehni bisht, pa pasur fare frikë se ju vjen kush nga prapa dhe pastaj vaj halli bëhet hallakamë hesapi! Po, jemi të gatshëm për zgjedhje për të fituar dhe për fituesin nuk ka vija të kuqe!!! Eh, Ramush, e Zoti të marroftë! Zoti i Madh të ardhtë hakut! Mos more burrë, more derdimen e more dylber. MOS E KORIT NANËN QË TË KA DHËNË TAMPLIN NGA KRAHRORI, MOS E KORIT BABËN HILMI, HALLEMADHIN E BURRIN E KOMBIT! MOS E KORIT PRAGUN E KULLËS ME FRENXHI! MOS E KORIT AS KAPTYLLIN E DJEPIT E AS UJIN BILUR QË BURON NGA BJESHKA E QAKORRIT! MOS U KORIT SE AS RRASA E VARRIT NUK DO TA DREJTOJË KURRIZIN! KTHEHU KAH UDHA E ZOTIT DHE UDHA E KOMBIT SI DIKUR! MOS U KORIT. E kam për të mirën Tënde dhe të familjes. Më beso. Për këtë të betohem në Flamur dhe në fund të fundit, merre si të duash është puna e Jote, edhe pse nuk kemi luajtur me ashik bashkë... Me shumë respekt, Reshat Badallaj, i burgosur politik, kryetar i Shoqatës Atdhetare "Gryka e Lumës", që kontribuoi afro një milion euro në kohën e luftës. Për këtë shkrim mbaj përgjegjësi penale e morale.

(Kosova Sot)