Investimet e huaja direkte dhe ndikimi i tyre në Kosovë

Investimet e huaja direkte dhe ndikimi i tyre në Kosovë
  • 04 May 2016 - 09:50

Shkruan: Dillon Berjani

Tregjet e reja

Duhet eliminuar vështirësitë administarative dhe institucionale

Një ndër dukuritë më të shpeshta që hasim në Kosovë është mungesa e fondeve apo investitorëve, që janë në gatishmëri për të zhvilluar një industri ende të panjohur në Kosovë. Energjia e ripërtëritshme është një shembull tipik sa i përket kësaj dukurie, që do t'i sillte Kosovës përfitime të shumta. Investimet e huaja direkte shpesh mund të jenë një zgjidhje për vendet në zhvillim për të zënë trendin e teknologjisë dhe zhvillimeve të fundit. Shpeshherë, në pamundësi për të gjetur dikë brenda vendit që do të jetë në gjendje për të investuar në një prurje të re, investitorët e jashtëm janë ata që mund të kompensojnë këtë mungesë të investimeve. Investimet e huaja direkte janë investime nga kompanitë që janë të bazuara në një vend, në kompanitë e bazuar në vende të tjera. Ato mund të vijnë në mënyra të ndryshme siç janë investimet 'greenfield', ku kompanitë hapin degë të reja (McDonalds dhe Starbucks), investimet 'Brownfield', ku kompanitë fitojnë nga fabrikat ekzistuese dhe të investojnë më tej në to dhe investimet horizontale ose vertikale, ku kompanitë investojnë në të njëjtin biznes siç e bëjnë jashtë vendit. Investimet e huaja direkte janë një mënyrë e shëndetshme për të zhvilluar një ekonomi në tranzicion, siç është Kosova, duke pasur qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe avancimin e teknologjisë. Në këto situata, këto kompani të huaja përfitojnë po ashtu duke hyrë në tregje të reja, që do të thotë promovim të bizneseve përkatëse, duke rezultuar në prodhim më të lirë, për shkak të kostove më të ulëta të fuqisë punëtore në Kosovë. Është e diskutueshme, nëse këto investime pengojnë zhvillimin e produkteve vendore, por në rastin ku produktet vendore mungojnë, atëherë targetimi i investimeve të huaja në këto fusha është i domosdoshëm. Investimet e huaja direkte në të njëjtën kohë do të rrisnin kërkesën për fuqi punë- tore. Kjo do të ulte numrin e të papunëve dhe do të rriste standardin e jetës, për shkak të të hyrave më të larta. Shpesh thuhet se kompanitë e huaja që përdorin një shtet tjetër për investimet e tyre shfrytëzojnë fuqinë punëtore për përfitime personale, por në anën tjetër, një shtet në zhvillim si Kosova do të përfitonte po ashtu nga këto investime. Në vlera monetare, investimet e huaja direkte, sipas BQK-së, në vitin 2013 kanë rezultuar 258.9 milionë euro, ndërsa në 2014, balanci i investimeve të huaja direkte ka qenë 123.9 milionë euro, rënie kjo drastike nga viti në vit e atribuar kryesisht në transferimin e pronësisë nga pronarët e huaj të kompanive investuese në pronarë vendorë. Për të përmirësuar këtë trend jo të mirë të investimeve të huaja direkte, duhet të ndërmerren këta hapa të mëtutjeshëm, si më të rëndësishmit: lehtësimi i politikave fiskale, ndërgjegjësimi i skenës ndërkombëtare për potencialet që ofron Kosova për investimet e huaja dhe eliminimi i vështirësive administrative dhe institucionale.