Krijimi i kulteve të rreme?

Krijimi i kulteve të rreme?
  • 04 May 2016 - 09:54

Shkruan: Skënder Mulliqi

Vota e qytetarëve nuk solli gjë të hairit

Mosdalja në votime është kapitullim para së keqes dhe pranimi i statusit të robit

Të gjitha zgjedhjet e deritashme në Kosovë nuk sollën gjë të hairit, nga ajo që ishte premtuar gjatë fushatave elektorale. Na u përsëritën situatat politike, kur protagonistët e njëjtë arritën në krye të shtetit. Vazhduan të njëjtën politikë nënçmuese karshi premtimeve të dhëna gjatë fushatave zgjedhore. Mbetën në pushtet oligarkët politiko- financiarë. Mbeten në shtëpitë e tyre gjysma ose më shumë të atyre, të cilët kishin të drejtë vote. Pse ndodhi kjo rregullisht deri tani duhet të bëhet një analizë e posaçme. Sigurisht se ka ekzistuar edhe dilema për kë ta qesin votën. Kjo ndikoi shumë që të mbesin të njëjtat garnitura politike në pushtet. Mosdalja masive në votime bëri që të mbeten në pushtet garniturat e kriminalizuara dhe të korruptuara. Mosdalja në votime dhe vjedhjet industriale i kanë dëmtuar ato pak principe të demokracisë, kur duhej që të bëheshin ndryshimet në pushtet. Për aq sa dalin në zgjedhje për aq edhe kemi shtet të fortë ose të dobët. Dihet së dalja në zgjedhje ishte e ulët, dhe mu për atë e kemi këtë gjendje degraduese politike dhe të rrjedhave ekonomike. Mosdalja masive në votime rezultoi më gjendje sociale të mjerueshme, me paga minimale , më numër të madh të të papunësuarve, me pensione të dobëta etj. Te një shumicë ekziston logjika "Se nuk kam çka dal në zgjedhje se nuk do të këtë ndryshime". Kjo logjikë përkundrazi ka bërë që të trashen krimi dhe korrupsioni, si dukuritë më fataliste që janë për çdo shoqëri demokratike. Ka ardhur koha që qytetarët të kuptojnë rëndësinë e daljes masive në zgjedhje. Të kuptojnë së nëse nuk i përgjigjen procesit zgjedhor bëhen bashkëfajtorë të gjendjes së keqe. Mosdalja në votime është kapitullim para së keqes dhe pranimi i statusit të robit. Në Kosovë qytetarët më të drejtë vote ishte dashur të kuptojnë se nëse duan ta kemi një ardhmëri të ndritur nuk duhet të pranojnë t'i kaplojë ndjenja e kapitullimit dhe ndjenja e defetizmit. Ky do të ishte një shembull i diletantizmit qytetar me elemente të fatalizmit. Mosngritja e vetëdijes qytetare do të thotë mosavancim së pari të vetes dhe mosavancim të proceseve demokratike. Kjo temë më duket mua më shumë i takon domenit dhe një studimi në fushën e sociologjisë. Mos të kapemi ashtu të them pas kulteve të rreme dhe të pavlera të atyre që gjenden në krye të partive politike dhe në krye të shtetit. Në zgjedhjet e radhës do të duhej të mbretëronte logjika pozitive për ndryshime përmbajtësore. Të zgjedhim ata që vërtetë kanë vlera dhe moral politik, e jo të përcaktohemi si deri tash në njerëzit e konsumuar, të cilët nuk i sollën të mira Kosovës, veç dëme në vazhdimësi. T'i heqim qafe njerëzit, të cilët me qëndrimet dhe veprimet e tyre politike na sollën shtetin në pikëpyetje dhe na sollën mirëqenien në pikën më të ulët. Kjo kastë politike jo që nuk meriton kurrfarë respekti, por përkundrazi meriton të marrë dënimin më të rëndë të popullit. Pasurimi i tyre i pafund është treguesi më i mirë së me çfarë njerëzish kemi të bëjmë. Këta nuk janë udhëheqës shtetërorë, por janë do banda, të cilat janë bërë bashkë për të ruajtur pasurinë e paligjshme dhe për t'i vazhduar hajnitë dhe keqpërdorimet. Në fakt këta janë mësuar të jetojnë në mënyrë të pandershme dhe nga të pandershmit dhe të pamoralët politikë, është iluzion të presim diçka të hairit…