Na mbyti euforia apo demagogjia

Na mbyti euforia apo demagogjia
  • 05 May 2016 - 09:24

Shkruan:Shefik Shkodra

Shumë flitet e pak punohet. Më vjen keq, por nuk është ky një dinamizëm që do të duhej të na gëzojë aq sa nuk arsyetohet, kur është fjala për vizat dhe pranim në UEFA. Kështu është kur punët pështjellohen dhe nuk punohet si dëshiron vendi, kërkojmë sadopak që të lëvdohemi për punët që është dashur të kryhen kaherë. Me një veprim që do të ndodhë mund të merremi i madh e i vogël në ahengje, duartrokitje e në mënyrë solemne ngrihemi në maje gishtërinjve...madje edhe muaj e vite, nëse mundet, me një të tillë "mbulesë" të hollë për të kaluar sa më shumë kohë. Për t'i amortizuar kërkesat tjera të qytetarëve dhe të vendit.

Vonesat janë pa mbulesë

vizat, edhe inkuadrimi i futbollit tonë në UEFA. Këto punë është dashur të kryhen para shumë viteve. Dhe kjo ka qenë krejt çështje politike. Këtë politikë e kanë udhëhequr të njëjtit njerëz të sotshëm. Veç sot janë të destinuar, ndoshta për një peng e interes tjetër të tjetër kujt. Për kushtëzime ndoshta. Edhe unë ju uroj këtë arritje gjithë rinisë që merret me sport, veçanërisht futbollistëve tanë, por edhe qytetarëve tjerë të vendit! Është e vërtetë se kjo ka domethënie për të gjithë ne. Çështja e parë është morale dhe e dyta, politike. S'lë gjë pa prekur politika. E politikën varet kush e bën dhe si e përdorë. Pra, ka domethënien e vet, kur një punë kryhet me kohë si të tjerët...Edhe liria e udhëtimit pa pengesë (pa viza) nëpër shtetet e Shëngenit është e mirëseardhur. Është një farë sadisfaksioni te qytetarët, të mos ndahen prej të tjerëve, si "delja e zgjebosur" thonë. Por është edhe një lehtësim për ata grupe e individë që kanë nevoja të përditshme, si në biznese, në arsimim, studimet e kërkime, madje edhe për turizëm.

E për këtë të fundit sidomos, nuk janë të gatshëm qytetarët tanë ta shfrytëzojnë rastin për vizita të ndryshme dhe turizëm. Pa asnjë para në xhep nuk vizitohet dhe nuk mund të udhëtohet askund. Kësaj i thonë "ngjyej gishtërinjtë në qelq". As nëpër Kosovë nuk mund të shkohet me këtë standard dhe me këtë papunësi, e lë më në ndonjë vend tjetër. Dhe këtë fletë e mbyllim. Nuk duhet ta përmendim para opinionit të gjerë. Nuk dimë çfarë të themi. Nuk ka investime të huaja. Përse?! As për këtë s'ka përgjigje. Pra, e para për ne do të ishte drejtësia, hapja e vendeve të reja dhe punësimi të bëhej më i shpejt dhe më efikas, pastaj "kalërimi" nëpër Evropë. Vonesa e jonë me paaftësi i ha mbetjet nën tryezë. Ecim në pikë ditë somnambul. Megjithatë, urime edhe për këtë të gjithë qytetarëve tanë!

Asnjëra prej këtyre tri fjalëve s'është me vend

Diçka duhet të thuhet si urim e përshëndetje për ata që kanë kontribuar në këto dy çështje. Duhet të jemi edhe falënderues. Ta respektojmë të mirën dhe ta gjykojmë të ligën prej ngado qoftë. Por lëvdatat e tepërta nga zyrtarët tanë janë shumë irrituese. Për lirim nga vizat është folur ditë e natë, ndoshta qe shtatë tetë vjet e më tepër. Lajmi i parë televizionet tona i ka qelë që, "liberalizimi i vizave do të bëhet..." së shpejti edhe kaq e kaq muaj. Madje, me (pa)arsyetime: fajet i kanë evropianët, dikush tjetër, kushdo qoftë, veç na jemi shumë të mirë e të kujdesshëm. Kjo është propagandë, si marketingu i një malli pa vlerë në ekranet e këtyre TV. Me viza nuk ushqehen qytetarët, as nuk kanë ndonjë siguri më të mirë, as nuk u shtohet standardi. Si mund të thuhet, se këto dy çështje janë "ngjarje historike, politike, diplomatike", madje nga zyrtarët. Për moslirim nga vizat për qytetarët tanë, fajtorë ishin zyrtarët apo pushtetarët, madje të njëjtin edhe sot në vende udhëheqëse. Asnjëra prej këtyre fjalëve nuk është në vend të vetin për këto dy çështje. S'është historike, sepse nuk është krye me kohë as liberalizimi e as pranimi në UEFA.

S'është politike, sepse nuk është bërë politikë si është dashur të bëhet e unanime me njerëz të aftë, ata që do të duhej të merrnin mandat e kompetencë. S'është diplomatike sepse fare s'është punuar me diplomaci. Madje, shumë njerëz pa diplomaci...Për këto tri fjalë që përmenden (e që do të duhej të ishte ashtu) sikur nuk u ka mjaftuar përgjegjësve të pushtetit kohë e mjete për ta bërë vërtet, historike - politike - diplomatike. Për këtë duhet ta pyesin vetveten personat përgjegjës, partitë në pushtet qe sa kohë dhe ata që po krekosen se 'ja ia arritëm qëllimit'. Kjo punë del, si ndonjë anije duke u përmbytur në stuhi dhe tash i vjen qejfi dikujt ta jep dorën deri në breg. Dhe me këtë rast, evropianët duan të thonë, ne s'kemi faj, por ju që nuk dini as nuk doni të qeverisni vendin tuaj. Dhe këtë u kanë thënë disa herë. Dhe për këtë krejt pengesat ishin deri në këtë kohë. 

(Kosova Sot)