Fehmi Agani, autoritet udhëheqës për themelimin dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës

Fehmi Agani, autoritet udhëheqës për themelimin dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës
  • 06 May 2016 - 08:06

Shkruan: Agim Hyseni

Volteri shqiptar shquhet për demaskimin publik të të keqes

Rektori i asaj kohe çoi fjalë se 'i kanë thënë' se nëse ngihet shtatorja do ta ngrenë në ajër

Më 1999, menjëherë pas kthimit në Fakultet Filozofik, personalisht iniciova ngritjen e shtatores së Fehmi Aganit para ish-Fakultetit Filozofik. Kisha përkrahjen e vendosur të kolegëve të Katedrës së Sociologjisë dhe Fakultetit, por jo edhe të Dekanit të F. Filologjik, përkatësisht të Dekanit të Fakultetit të Shkencave Matematikore- Natyrore

Fehmi Agani (23 janar 1932 - 6 maj 1999), intelektual publik i shquar dhe autoritet udhëheqës për themelimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Humanist, profesor, sociolog, politolog, gazetar, shqipërues, kritik, politikan, diplomat, akademik. Fehmi Agani u lind në Gjakovë, ku mbaroi shkollën fillore, kurse të mesmen në Prishtinë. Studimet për filozofi, dhe ato pasuniversitaret në shkencat politike, i mbaroi në Universitetin e Beogradit. Doktoroi me 1973 në fushën e sociologjisë politike në Universitetin e Prishtinës me temën: "Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore". Më 1965 punoi ligjërues i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik. Më 1967 rithemeloi Institutin Albanologjik dhe u zgjodh drejtor. Luajti një rol vendimtar në organizimin e disa nga takimet më të rëndësishme shkencore, si: Konsulta gjuhësore e Prishtinës dhe Simpoziumi për Skënderbeun. Kishte rol vendimtar për themelimin e Universitetit të Prishtinës, dhe përmes kësaj në mbrojtjen dhe në ngritjen e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Më 1972-73 themeloi Katedrën e Filozofisë-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, dhe në vijim edhe Institutin e Filozofisë-Sociologjisë. Themeloi revistat Studia humanistica dhe Thema në të cilat ishte kryeredaktor.

Kundërvënia ndaj politikës zyrtare

Në vitin 1951 Fehmi Agani iu kundërvu politikës zyrtare komuniste të Jugosllavisë për shpalljen e shqiptarëve si turq me qëllim dëbimin masiv ne Turqi. Në vitet 1966- 74 ishte i pari që angazhohet publikisht për avancimin e statusit të Kosovës në Republikë. Më 1981 bashkëpunoi me organizatorët e demonstratave studentore për Republikën e Kosovës, andaj u vu në shënjestër të diferencimit politik dhe të presionit policor të Sigurimit shtetëror jugosllav. Më 1984 iu mor e drejta për mësim, por kjo nuk e ndaloi reagimin e tij publik kundër represionit ndaj shqiptarëve. Si njohës i mirë i politikave dhe praktikave shtetërore serbe të krimit kundër njerëzimit e të aktit të kryer, të cilat sikur vërtetuan edhe njëherë thënien e Volterit se ka edhe individ, por ka edhe popuj te të cilët mbizotëron e keqja. Volteri shqiptar shquhet për demaskimin publik e të keqes, të institucionalizimit të gënjeshtrës, të terrorit shtetëror të paramenduar në nivel akademik(SANU) deri në zgjidhjen përfundimtare, në radhë të parë të çështjes shqiptare në Jugosllavi me metodën e ushtruar të spastrimit etnik e të gjenocidit. Edhe pas vitit 1989 u shqua me personalitetin integrues, në organizim dhe udhëheqje të lëvizjes se përgjithshme politike të rezistencës paqë- sore aktive të Kosovës. Me njohuritë e formimin e vet profesional dhe shkencor Profesor Agani, shquhej si zë i arsyes, zë i veçantë që për dekada të tëra ju dha peshë debateve kryesore intelektuale dhe politike -ishte sociolog, politolog e teoricien shoqëror në mesin e shumicës së shkrimtarëve e letrarëve të njohur që udhëhiqnin skenën politike në vend. Ishte një nga themeluesit (1989) dhe nënkryetar i LDK-së(1989-1998). Agani ishte po ashtu njëri nga hartuesit kryesorë të dokumenteve të rëndësishme për Kosovën, përfaqësues i Kosovës në institucionet ndërkombëtare (në Konferencën e Gjenevës, në Grupin për arsim, në G15, etj.). Me angazhimin për bashkimin dhe bashkëpunimin e lëvizjes politike dhe asaj ushtarake gjatë luftës së fundit në Kosovë të viteve 1998-99, Agani ishte i pari nga të njëjtit. Ky rol integrues i tij ndikoi ndjeshëm dhe u pasqyrua edhe në punën e suksesshme te Delegacionit të Kosovës ne Konferencën e Rambujesë. 

Demokracia, kombi, vetëvendosja

Në Konferencën e Rambujesë, Agani ishte nga anëtarët që e dhanë kontributin më të rëndësishëm të delegacionit të Kosovës. Edhe veprimtaria shkencore dhe hulumtuese e Fehmi Aganit ishte madhore, dhe kjo u botua në revista dhe përmbledhje shkencore të Kosovës dhe jashtë vendit, si dhe në vepra të veçanta. Një studim përmbajtësor profesor Agani ia kushtoi të drejtës për vetëvendosje, të cilën e ngriti në nivel shkencor (Demokracia, kombi, vetëvendosja, 1994). Përcaktimin e vet për pavarësi të Kosovës e proklamonte publikisht si të vetmen zgjidhje. Për më tepër, ka qenë i pari që avancimin e çështjes kombëtare e identifikoi me demokratizimin e marrëdhënieve të përgjithshme shoqërore brendashqiptare. Për shkak të ideve dhe veprimtarisë së tij politike për çlirimin e Kosovës, u pushkatua nga forcat ushtarake dhe policore serbe, afër Lipjanit, më 6 maj te vitit 1999. Fehmi Agani, si ideator dhe udhëheqës strategjik i lëvizjeve për Republikën e Kosovës dhe pavarësinë e saj, si organizator i jashtëzakonshëm me dinamizmin dhe shembullin personal, me mendjen e mprehte dhe fjalët në majë të gjuhës dallohej për vendosmërinë dhe përkushtimin për të çuar vendin drejt zhvillimit, drejt barazisë së plotë me të tjerët dhe drejt pavarësisë. Profesor Agani, njihej si ligjërues e orator qe bindte dhe afronte njerëzit rreth vetes, njihej si spirituoz, i matur e i përgjegjshëm, si debatues i fortë. Ne e kemi dashur dhe e kemi çmuar zgjuarsinë dhe autoritetin e tij. Urtësia deri në madhështi e Profesorit, autoriteti për admirim i krijuar me kulturën e bashkëpunimit të hapur me secilin njeri që i drejtohej për këshillë, i pengonte ata që e kishin zili një autoritet të tillë: Lider, Kryetar e Kryeministra...

Ngritja e përmendores më 1999

Më 1999, menjëherë pas kthimit në Fakultet Filozofik, personalisht iniciova ngritjen e shtatores së Fehmi Aganit para ish-Fakultetit Filozofik. Kisha përkrahjen e vendosur të kolegëve të Katedrës së Sociologjisë dhe Fakultetit, por jo edhe të Dekanit te F. Filologjik, përkatësisht të Dekanit të Fakultetit të Shkencave Matematikore- Natyrore. Madje Rektori asaj kohe çoi fjalë se "i kanë thënë" se nëse ngrihet shtatorja do ta ngrenë në ajër. Por, falë angazhimit të studentëve, shtatorja e Fehmi Aganit u ngrit. Dhe është afër shtatores së Hasan Prishtinës, rrugën e të cilit e vazhdoi si autoritet shembull, si strateg vizionar e shpirt demokrat, si politikan e diplomat,si humanist, si patriot. Kohë më parë, përsëri studentët, me origjinalitetin e tyre, ia mbyllën sytë Prishtinës që të mos shohë se ç'po ndodh me të vërtetën. A është radha t'i mbyllen sytë edhe Aganit, që të mos shohë se ç'po ndodh me Lirinë: Lirinë nga frika dhe Frikën nga liria. Patriotët e mëdhenj, si Prishtina e Agani, për interes të Atdheut me vetëdije kanë dhënë gjithçka të veten, madje edhe jetën. Ndërsa të tjerët në emër te interesit të atdheut, me vetëdije marrin gjithçka për vete, madje edhe jetë. Fehmi Agani për dekada të tëra ishte intelektuali dhe politikani më rëndësishëm i Kosovës, ishte udhëheqës shpirtëror me ndikim në proceset shoqërore, në shkencat shoqërore dhe në intelektualët e tjerë.