Sikur të isha hajn!

Publikuar: E premte 30 Korrik 2010, 13:04 2 Komente

Ilir SEFAJ

 

Mbase do të pajtoheni me mua. Fjala hajn, nuk e ka fuqinë rrënuese si dikur. Jo vëllaçko, tjetër domethënie ka kjo fjalë sot. Jo, jo, sot të jesh hajn do të thotë të jesh njeri i respektuar, njeri me reputacion, njeri shembullor. Thënë të drejtën, kur ishim më të vegjël, unë me disa shokë të mëhallës patëm filluar disa aksione të vogla atëbotë me qëllim të grabitjes së ndonjë çokollate, krem-bananeje, apo diçka të ngjashme, shitoreve të lagjes. Aktiviteti ynë ngërthente në vete shumë rreziqe, meqë përveç pronarëve të shitoreve ne ishim të rrezikuar edhe nga prindërit tanë, ngase sikur ata ta dinin aktivitetin tonë do ndëshkoheshim keq, bile shume keq. Me kohën ne u rritëm paksa, dhe menduam se ajo periudhë kur ne "punonim" shitoret e lagjes do duhej t'i takojë të shkuarës. Vërtet ashtu ngjau, ne iu përvishem shkollës, punës dhe jetës së dinjitetshme. Të më besoni, sot e gjithë ditën jam në mëdyshje nëse ai hap yni ishte i drejtë apo jo. Këtë mëdyshje sikur e forcon gjendja aktuale me te cilën po ballafaqohemi çdo ditë. Edhe pse në muaj punoj tridhjetë ditë, nëse muaji i ka tridhjetë ditë, apo punoj tridhjetenjë ditë nëse muaji i ka tridhjetë e një ditë, me pagën që marrë, as 30% nuk mund t'i përmbush kërkesat e familjes. Përveç pagës simbolike që marr, e cila nuk mjafton as edhe për ca shërbime të vogla ditore, kam frikën se shumë shpejt do të detyrohem ta lë punën. Sinqerisht i lodhur nga puna pa pushim, do të detyrohem ta bëj këtë. E pastaj?! Pastaj shohim e bëjmë, do të kishin thënë në Shqipërinë mëmë! Thënë pa rezerva e mbase me goxha realitet, në Kosovë ka dy kategori njerëzish; hajna dhe të varfër. O je i varfër e vuan të zinjtë e ullirit për ca të ardhura modeste, të cilat diku-diku i fiton edhe me dajak, o je hajn e i pasur, i respektuar, si Ai më.. etj, etj,. Kur isha i vogël babai im gjithnjë më mbante ligjërata të llojit; kjo është e mirë , kjo është e keqe, kjo bën kjo s'bën, normal gjëra që rëndom një prind i edukuar i ruan për fëmijën e vet. Këto ligjërata të drejta e plot nektar dikur, sikur m'u bënë të zhdrejta, kur u shoqërova me shokët të cilët ku ta di unë se për ç'arsye prindërit e tyre kishin harruar t'u mbanin ligjërata të llojit që m'i mbante babai mua. Tash jam afër të njëzetetetave, dhe ende nuk mund ta pleqëroj, apo nuk mund ta them njëmend se babai im, apo i shokëve të mi kishte të drejtë, gjithmonë fjala është për ligjëratat. Nëse flasim pa ekuivokë, sot e gjithë ditën e mallkoj babanë tim që zanati i të vjedhurit kishte qenë i huaj për të. Tani jam në mëdyshje; duhet ta ndjek rrugën e babait e ta duroj mallkimin e përditshëm të fëmijëve të mi të ardhshëm, apo duhet të ndërmarrë diçka në mënyrë që këtij mallkimi t'i shpëtoj disi. Të dyja janë të vështira, ngase ligjëratat e babait më janë ngulitur keq në kokë... Apo ndoshta duhet shpresuar se një ditë do vinë kohëra më të mira, e ata që po e rrjepin këtë popull të lodhur në të gjitha mënyrat e nga të gjitha anët, të vihen në pozitën e të akuzuarit. Tek e fundit kjo është një dhe e vetmja shpresë për viktimën...

Printo Dërgo
  • di

Komente

  • Minka 04.08.2010 - 3:08

    Or Miku im... Une i vlersoj shume lart keto fjal qe ke shkruar ti e qe jan shume te verteta ne KOSOVEN tone,por TI vazhdo ashtu sic te ka mesuar dhe edukuar PRINDI YT qe te jesh i dinjitetshem,sepse or miku im une te betohem se ketyre hajnave ton te gjith sa jan ne KS e qe besa jan te shumte do ju mbetet ne fyt kjo hajni qe edhe po tu japim ne iz(leje) qe te vjedhin nuk do tju duhet asgje,nje dite do jua ze frymen djersa jone,te pershendes perzemershisht...

  • Minka 04.08.2010 - 3:03

    Or Miku im... Une i vlersoj shume lart keto fjal qe ke shkruar ti e qe jan shume te verteta ne KOSOVEN tone,por TI vazhdo ashtu sic te ka mesuar dhe edukuar PRINDI YT qe te jesh i dinjitetshem,sepse or miku im une te betohem se ketyre hajnave ton te gjith sa jan ne KS e qe besa jan te shumte do ju mbetet ne fyt kjo hajni qe edhe po tu japim ne iz(leje) qe te vjedhin nuk do tju duhet asgje,nje dite do jua ze frymen djersa jone,te pershendes perzemershisht...

KARAKTERE TE MBETURA

Opinionet e fundit

arkivi i lajmeve