Veriu i Kosovës, çështje e pazgjidhur, deri kur?

Publikuar: E premte 30 Korrik 2010, 13:04 4 Komente

Ardian Maxhuni

 

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin 2, paragrafi 2, shprehimisht thuhet se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm... , ashtu sikurse çdo vend që e parasheh me Kushtetutë ruajtjen dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit.

Për çështjen e Veriut të Kosovës janë organizuar tryeza debatesh që nga shoqëria civile, institucionet vendore, e deri tek ato ndërkombëtare, ku është polemizuar së tepërmi, dhe mjerisht pa rezultuar në ofrimin e zgjidhjes së çështjes konkrete të problemit .

Përveç institucioneve të atëhershme të Kosovës, pa hezitim theksoj se, peshën më të rëndë të fajësisë e mban mbi supe faktori ndërkombëtar, i cili nuk ka shpreh gatishmëri për demonstrimin e dhunës fizike ndaj grupacioneve kriminale serbe të nxitura nga Beogradi zyrtar, me qëllim të ndërmarrjes së masave preventive në evitimin e situatës konfliktuoze, tash më të pakontrolluar institucionalisht, juridikisht apo në mënyrë fiktive - e drejtë e pazbatueshme nga pushteti shtetëror i Republikës së Kosovës .

Pa dashur të kritikoj ndokënd, unë kujtoj se, për çështjen e Veriut të Kosovës deri dje nuk kemi pasur të drejtë objektive të theksojmë se, situata e sigurisë është e përkeqësuar.

Shikuar në aspektin analitik një trajtim i kësaj natyre është krejtësisht i gabuar, pasi që në atë pjesë territoriale realisht ka ndodhë dëbimi dhe shpërngulja masive e popullatës civile, okupimi i territorit, në pamundësi të ushtrimit të pushtetit shtetëror, këto dhe arsye të tjera të japin mësim të kuptosh se, nuk mund të mendohet më për çështje sigurie, pasi që si shtet de facto nuk jemi faktor ndikues në atë pjesë territoriale të Kosovës dhe aq më tepër ta trajtojmë çështjen e Veriut të Kosovës si problem sigurie.

Për çështje sigurie se, a është e përkeqësuar apo jo? mund të mendohet, si: p.sh. me rastin kalljes së portës 1 dhe 2 të doganave, thyerjet dhe plaçkitjet e bankave, të cilat janë konflikte të intensitetit të vogël, është forma më moderne e çrregullimit të sigurisë së pjesërishme në vend, ku kanë ndodhë brenda territorit ku forcat e rendit kanë pasur mundësi të intervenojnë për përmirësimin e situatës së sigurisë, por ky rast nuk është i njëjtë, sikurse në pjesën Veriore të Kosovës, pasi që atje nuk është e shtrirë dora e zgjatur e pushtetit shtetëror me qëllim të ofrimit dhe garantimit të sigurisë.

Çështja e Veriut të Kosovës ishte dhe është përshkallëzuar së tepërmi si problem politik, duke e pamundësuar mundësinë e rifunksionalizimit të gjykatave dhe kushtëzimin për kompromis të detyrueshëm nga Serbia, kompromis ky që, duhet të jetë i papranueshëm për Prishtinën zyrtare. Po i jap të drejtë vetes, duke i dhënë fiksion juridik çështjes së Veriut të Kosovës, po sikur të bëhet kompromis kam drojë se do të burojnë alternativat tash më të njohura nga Serbia për opinionin vendor dhe ndërkombëtar si, ndarje e territorit, kompensim territoresh, status special etj., çka nuk do ta dëshiroja me asnjë çmim të ndodhë ky pazarllëk politik, dhe aq më tepër kurrë Kosovës edhe një herë i konfirmohet legjitimiteti si subjekt ndërkombëtar nga institucioni më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare, respektivisht nga GJND-ja.

Nëse mendohet se, a është veprim i drejtë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në pjesën Veriore të Kosovës?- unë kujtoj se një veprim i tillë vetëm se do ta dramatizonte situatën politike në vend, pasi që çështja e pazgjidhur për zgjidhjen e çështjes së Veriut të Kosovës duhet të veprohet në mënyrë evolutive (ngadalshme) për disa arsye.

E para, të ndërmerren veprimet kreative, afirmative, duke e analizuar situatën në mënyrë racionale;

E dyta, veprimet e ndërmarra të jenë në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtarë, në njërën anë duke mos e provokuar situatën politike, dhe në anën tjetër duke e zbatuar planin strategjik për Veriun e Kosovës;

E treta, nëse gjendja faktike e bënë të pamundshme zbatimin e planit të strategjisë në terrin, atëherë si kundërveprim ndaj grupeve kriminale është absolutisht e domosdoshme dërgimi i forcave të njësisë speciale të policisë së Kosovës;

E katërta, ofrimi dhe garantimi i plotë i sigurisë për popullatën;

E pesta, kthimi i popullatës së shpërngulur në pronat e tyre;

E gjashta, sundimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik, në mundësi të funksionimit të ligjeve dhe Kushtetutës.

Pasi që të realizohen këto komponenta fundamentale, atëherë për çështjen e Veriut të Kosovës mund të mendohet si problem i sigurisë, për arsye se do ta kishim të shtrirë pushtetin në kontrollimin e plotë të territorit në atë pjesë Veriore të Kosovës, ku do të gjente zbatim Kushtetuta e Kosovës dhe do t'i japnim kuptim të plotë sovranitetit shtetëror.

Me realizimin praktik të këtyre komponenteve të lartcekura, jam shumë optimist se çështja e Veriut të Kosovës do të zgjidhet në interes të shoqërisë së Kosovës, njëherë e përgjithmonë, për të mos u kontestuar më kurrë.

Pyetjes, se a do të realizohen këto komponenta?, unë kujtoj se kjo nuk do të mbetet ideale për shoqërinë e Kosovës, por gradualisht do të materializohet në hapësirë.

Bartësit e institucioneve të Kosovës e kanë për detyrë që, të hartojnë Politikën e Sigurisë Kombëtare, në mënyrë që, të mos ngelim me strategjitë, të cilat për mendimin tim nuk ofrojnë garancë të sigurisë së përhershme, si në aspektin kohor dhe hapësinor.

Duhet të përcaktohemi në pikëpamjet e studimeve shkencore - teorike, gjithëpërfshirëse, të ngremë Institutin e Sigurisë Kombëtare, të hartohet ligji për siguri nacionale, të profesionalizohet Shërbimi i Intelegjencës së Kosovës, në mënyrë që të mos mbesim para aktit të kryer në përballje me konfliktet, turbulencat, llojet e ndryshme të dhunës etj., që mund t'i kanosen vendit.

 

(Autori është student i Fakultetit Juridik në studimet postdiplomike - Master, Departamenti

Kushtetues - Administrativ në UP)

Printo Dërgo
  • di

Komente

  • sadiku 02.08.2010 - 11:58

    pse qeveria nuk insiston ne ate qe te shperndahen serbet e mitrovices dhe ti shperngul se pak jan ata qe jan te lindur aty

  • Mehmeti 02.08.2010 - 1:13

    Veriu i kosovés éshté i kosovés ,por njé gjé duhét ditur sé politika nuk éshté kollpite,pot té gjithé duhét té punojné pér te,per mos mé béré pytje deri kur.

  • Mehmeti 02.08.2010 - 1:13

    Veriu i kosovés éshté i kosovés ,por njé gjé duhét ditur sé politika nuk éshté kollpite,pot té gjithé duhét té punojné pér te,per mos mé béré pytje deri kur.

  • shpendi 30.07.2010 - 23:34

    kso djem na i duhen kosoves

KARAKTERE TE MBETURA

Opinionet e fundit

arkivi i lajmeve