Dëshmi të tjera rreth jetës pas vdekjes

  • 23 June 2016 - 21:42
Dëshmi të tjera rreth jetës pas vdekjes

Dy ditë pas ngordhjes së kafshëve, është vërejtur se me mijëra gjene të tyre aktivizohen, transmeton gazeta Kosova Sot. 

Ajo që ndodh pas vdekjes mbetet njëri ndër misteret më të mëdha në botë, pa marrë parasysh a jeni ithtar i pikëpamjeve optimiste, apo mendoni se, me vdekjen fizike, merr fund çdo gjë. Por, shkencëtarët kanë zbuluar se gjenet tona mund të vazhdojnë të jenë aktive me ditë të tëra pas vdekjes, transmeton gazeta Kosova Sot.

Dëshmitë sugjerojnë se më shumë se 1,000 gjene janë aktive menjëherë pas vdekjes, ku disa prej tyre aktivizohen vetëm 24 orë pas vdekjes. Përpos që një gjë e tillë mund të na ndihmojë në të kuptuarit më të mirë të vdekjes, ky zbulim mund të ketë implikime për përmirësimin e transplantimit të organeve.

Jetë gjenetike pas vdekjes? 

Studimi ka gjetur dëshmi rreth rritjes së aktivitetit të 1,063 gjene të kafshëve, pas ngordhjes së tyre. Pjesa më e madhe e gjeneve aktivizohen gjysmë ore pas ngordhjes së kafshëve, por aktivizimi i tyre zgjatë edhe 24 deri 48 orë pas ngordhjes. Analizat tregojnë se këtu nuk kemi të bëjmë me aktivizim-deaktivizim të gjeneve, por me një aktivizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të tyre. shkencë- tarët materialistë mendojnë se kjo është pjesë e aktivitetit të "fikjes" së organizmit. Sipas tyre, derisa ADN-ja e tkurrur gjatë jetës, zbutet pas vdekjes, aty vijnë në pah gjenet, të cilat më parë mbaheshin të fikura, nën presion. Këto zbulime hedhin dritë të re në pyetjen me të cilën shkencëtarët janë marrë për një kohë të gjatë - se a fiket gradualisht aktiviteti i gjeneve, apo thjesht, ndalet, pas ngordhjes së kafshës. 

Eksperimentet në kafshë

Kërkuesit shkencorë nga Universiteti i Uashingtonit kanë përdorur dy lloje të kafshëve laboratorike, minjtë dhe peshqit zebra. Te qelizat e gjalla, gjenet aktive përshkruhen nga makineria qelizore, duke krijuar një kopje të përkohshme të udhëzimeve gjenetike në formë të një vargu të ARN mesenxher, apo shkurt mARN (anglisht mRNA). Sa më shumë ARN i tillë që gjendet duke qarkulluar, aq më aktiv është gjeni. Duke analizuar mARN nga minjtë dhe peshqit e ngordhur zebra, ekipi gjeti dëshmi për aktivitetin e 1,063 gjeneve. Në një seri prej dy studimesh, të publikuara online këtë muaj, shkencëtarët na i ofrojnë këto gjetje. Te të dyja kafshët e përmendura, më shumë se gjysma e gjeneve aktive kodonin proteinat, derisa të tjerët ishin gjene rregullatore, gjë që tregon se një sasi e konsiderueshme e energjisë vazhdon që të përdoret për ta mbajtur sistemin në rregull. 

Gjatë dhe pas vdekjes 

Derisa është gjallë, trupi përdor burime të konsiderueshme për ta mbajtur ADN-në fort të paketuar dhe të rregulluar. Por, pas vdekjes, ADN-ja, sikur që thamë, lirohet, duke vënë në pah gjene të tjera. Këto gjene mendohet se gjenerojnë molekula, të cilat nevojiten për "fikjen" e organizmit. Duket sikur gjenet janë aktive, por "askush nuk është në shtëpi". Natyrisht, për idealistët kjo ka një domethënie krejt tjetër.  

(Kosova Sot)