Vozitja misterioze

  • 07 July 2015 - 16:35
Vozitja misterioze

Historia e shpirtit të Lonit kishte filluar njëzet vjet para kësaj ngjarjeje. Ajo ishte një e re, e bukur, e dashuruar në një djalë të ri

Është viti 1959 dhe gjenerali Anderson me gruan e tij ishin duke u përgatitur shpejt e shpejt për një udhëtim zyrtar. I priste një udhëtim prej tri orësh, nga vila e tyre deri në Omaha, e cila gjendej pikërisht në kufirin e shteteve amerikane Ajova dhe Nebraska. Në udhëtim u nisën rreth orës 20:30. Pas rreth dy orësh vozitje, ata kaluan nëpër qytezën Logan dhe filluan që t’i ofroheshin një ure me konstruksion të çeliktë.

Paraqitja e vajzës

Me një të frenuar të papritur, Anderson e zgjoi bashkëshorten nga dremitja, e shkak i frenimit ishte një vajzë e re, me fustan të bardhë, e cila qëndronte në mes të urës. Qysh ishte duke rënë shi, vajza ishte bërë qull dhe të ngjallte një dhembshuri të madhe. Vajza iu afrua automobilit dhe, duke thënë se jeton disa milje më larg, e luti gjeneralin që ta çonte në shtëpi, çka ai dhe gruaja e tij menjëherë pranuan. Gjatë tërë kohës së vozitjes vajza heshtte, e hera e vetme kur ajo foli, ishte kur i tregoi gjeneralit se cilën rrugë ta merrte.

 

Image

Shtëpia e madhe

Pasi që, duke dëgjuar udhëzimet e vajzës, ata arritën para një shtëpie të madhe, të bardhë, të stilit kolonial, Anderson doli nga vetura për të thirrur prindërit e vajzës, e gruaja e tij mbeti në automobil, bashkë me vajzën.

Gjenerali Anderson u ngjit shkallëve dhe trokiti në derë. Pasi që njëri nga shërbëtorët e thirrën të zotin e shtëpisë, gjenerali u prezantua dhe tha se, në ulësen e prapme të veturës së tij, gjendej vajza e tyre, me emrin Loni. I zoti i shtëpisë kërkoi që ta shihte vajzën, por kur zbritën, krejt çka panë ishte zonja e tmerruar Anderson, e cila kishte mbetur e lebetitur, pasi që e kishte parë vajzën, duke u zhdukur.

Image

Shpjegimi

I zoti i shtëpisë, përndryshe një senator i pensionuar, i ftoi gjeneralin dhe gruan e tij për çaj, në mënyrë që t’ua shpjegonte situatën. Ai thjesht u tha se vajza që e kishin parë, në fakt nuk ishte e gjallë, por u besonte se e kishin parë, meqë kjo nuk ishte hera e parë që vajza e tij e ndjerë Loni paraqitej në këtë mënyrë, duke “luajtur” me udhëtarët. Andersoni, si ushtarak që ishte, nuk besonte fare në këto gjëra, prandaj me indinjatë tha:
- Mos jeni duke më thënë se sapo kam vozitur një fantazmë?
- Kam frikë se kjo që thoni është e vërtetë …

Image

 

Historia

Historia e shpirtit të Lonit kishte filluar njëzet vjet para kësaj ngjarjeje. Ajo ishte një e re, e bukur, e dashuruar në një djalë të ri i cili, përkundër asaj se ishte mirë i edukuar, vinte nga një familje e keqe, për çka senatori nuk e kishte miratuar lidhjen e tyre. Ai nuk donte që të dëmtohej emri i tij. Për shkak të këtij kundërshtimi, Loni kishte vendosur që të ikte me të dashurin, por ata kishin pësuar aksident mu në urën e hekurt. Automobili kishte rënë poshtë për shkak të motit të lig, e trupi i Lonit ishte gjetur 7 milje më larg, meqë e kishte bartur uji. Shpirti i saj mbeti aty, meqë ajo ishte tepër e re kur vdiq, duke e lënë këtë botë me një mall të madh. Për shkak të dëshirës së madhe për të jetuar, ajo paraqitej herë pas here në urë, madje vetëm kur moti ishte i lig... 

(Kosova Sot)