Nga vijnë zhurmat misterioze?

  • 07 July 2015 - 21:44
Nga vijnë zhurmat misterioze?

Informatat më të reja shkencore. Edhe te ne, në Kosovë, ka pasur njerëz që i kanë dëgjuar këto zhurma. 

Në gjuhën angleze, këto zhurma njihen më shpesh me shprehjen “hum” dhe kohët e fundit janë bërë studime të shumta në këtë temë. Ne ua sjellim informatat më të reja rreth këtyre zhurmave të planetit tonë.

Shpjegime kanë dhënë edhe dijetarët religjiozë, të cilët këto zhurma i lidhin me parashikime kuranore, apo biblike. Ithtarët e ufologjisë thonë se këto zhurma i shkaktojnë jashtëtokësorët. 

Sido që të jetë, zhurma e Tokës ngjan me një gjëmim të frekuencës së ulët, e cila është vazhdimisht e pranishme. Një dukuri e tillë mund të regjistrohet edhe kur nuk ka tërmete, por vetëm me sizmometra tepër të ndjeshëm. Brendësia e tokës është e mbushur me një zhurmë në prapavijë, të shkaktuar nga erërat, baticat, oqeanet, ngjarjet e vogla sizmike, trafiku dhe aktivitetet e tjera njerëzore. Toka vazhdimisht prodhon zhurma. Këto zhurma janë më të zëshme gjatë tërmeteve.

Zhurma më e njohur është ajo “vertikale”, e cila me gjasë shkaktohet nga valët e forta në thellësi të oqeaneve. Respektivisht, nga dy valë me frekuencë të njëjtë, që udhëtojnë në kahe të kundërta.

Ka edhe zhurma sizmike, të cilat ndahen në primare, sekondare dhe në valë L.

Gjeologët kanë zbuluar edhe një sinjal të ri sizmik, të vazhdueshëm, i cili udhëton horizontalisht.

Shkencëtarët kanë zbuluar edhe një lloj tjetër të zhurmave, atë të valëve sferoide, apo unazore. Zhurma më së shpeshti përshkruhet si zhurmë e motorit dizel, apo si zhurmë e frigoriferit, trafikut, makinerive... Muzikantët e përshkruajnë si zë joharmonik. Në disa raste mund të lokalizohet burimi i zhurmës, e në disa raste burimi i saj është i panjohur. Zhurma e Ishullit të madh në Havaje lidhet me aktivitetin vullkanik dhe mund të dëgjohet deri në një largësi prej 12 miljeve. Zhurma e qytetit Kokoma, në Indiana të SHBA-së, shkaktohet nga ventilatorët për ftohje të fabrikës lokale “Daimler Chrysler”.

Njëra ndër zhurmët më të njohura, me burim të panjohur, është zhurma e Taosit, që ka marrë emrin nga një qytet i vogël në Nju Meksiko. Kjo zhurmë, që ka filluar të dëgjohet në vitin 1991, ka frekuencë të ulët (30 deri 80 Hz). Pasi që zhurma ishte bërë më e shpeshtë dhe kishte filluar të shkaktonte probleme, me anë të përfaqësuesit të tyre në Kongres, banorët e këtij vendi kishin kërkuar hetim shkencor. Përkundër asaj se ishin angazhuar emrat më eminentë të kësaj fushe, nuk ishte zbuluar asgjë konkrete.  

Shkencëtarët kishin ardhur te disa përfundime rreth natyrës së zhurmës në Taos:

- Fillimi i shpejtë;

- Zëri i ulët, mezi i dëgjueshëm;

- Prania e përhershme e pulsit luhatës.

Përfundimi i studimit thoshte: “Nuk ekzistojnë sinjale të njohura akustike, apo aktivitete sizmike, të cilat do të mund ta shkaktonin këtë zhurmë”. (Kosova Sot)