Shkencëtarët: Oqeani nën sipërfaqen e hënës së plutonit, pikënisje për hulumtimin e jetës së alienëve

  • 29 March 2017 - 15:26
Shkencëtarët: Oqeani nën sipërfaqen e hënës së plutonit, pikënisje për hulumtimin e jetës së alienëve

NASA ka dalë me një deklaratë, ku thotë që ka mundësi që hëna gjigante e Plutonit ‘fsheh’ një oqean gjigant nën sipërfaqen e saj. Hulumtuesit, të cilët tash e një kohë kanë qenë duke u marrë me analizimin e sipërfaqes së hënës së ngrirë, kanë thënë që ajo tregon shenja që nën sipërfaqen e saj ekziston një oqean i ngrohtë. Ky zbulim besohet të jetë shumë i rëndësishëm edhe për gjetjen e jetës së alienëve, pasi që uji është faktor kyç për ekzistencën e tyre. Pasi që sipërfaqja e hënës së Plutonit është e çarë, analizat e frakturave kanë treguar që me shumë gjasë brenda kësaj sipërfaqeje gjendet një masë e ngrohtë, e cila ka ndikuar në krijimin e një oqeani me ujë të lëngët. 

Të çarat në sipërfaqe ‘Modeli ynë parashikon fraktura të ndryshme në sipërfaqen e hënës së Plutonit, duke marrë parasysh trashësinë e akullit në sipërfaqen e saj, strukturën e brendshme të saj dhe mënyrën e evoluimit të orbitës së saj’, ka thënë Alyssa Rhoden nga qendra e NASA-s në Merilend. Hulumtimet e deritanishme tregojnë qartë për ekzistencën e një oqeani nën sipërfaqen e Karonit (hënës së Platonit) dhe jemi duke analizuar edhe detaje të tjera, pasi që dyshojmë që në një kohë ka ekzistuar oqeani edhe mbi sipërfaqen e tij. Edhe hënat e tjera të planetëve gjigantë kanë sipërfaqe të çara, të cilat bëjnë të mendohet që kanë oqeane nën sipërfaqen e tyre, të tilla janë hëna e Jupiterit, ‘Europa’ dhe hëna e Saturnit, ‘Enceladus’. Mirëpo, për dallim nga hënat e këtyre planetëve, hëna e Plutonit është shumë më gjigante në krahasim me planetin e saj, pasi që ka masë rreth tetë herë më të madhe se Plutoni. Besohet që hëna e Plutonit është afruar shumë me planetin e saj pas shkëmbimit të materialeve. Materiale nga Plutoni kishin shkuar në orbitën e Karonit, duke ndikuar në madhësinë e hënës Karon dhe në krijimin e disa hënave të tjera më të vogla.

Nxehtësia e liruar ‘Nga energjia e liruar në shkëmbimin e këtyre materialeve është liruar edhe nxehtësi, e cila besohet të ketë qenë e mjaftueshme për krijimin e ujërave nën sipërfaqen e Karonit, të cilat pas akumulimit janë shndërruar në një oqean nën sipërfaqen e tij’, ka thënë Rhoden. Të gjithë e dimë që kushti themelor për ekzistencën e jetës në një hapësirë është ekzistenca paraprake e ujit, andaj Karoni, së bashku me hënat e Saturnit dhe Jupiterit, konsiderohen si vende ku mund të ketë gjasa për zhvillimin e jetës ndonëse, për krijimin e kushteve për jetesë. Përveç ujit, duhet të ketë edhe karbon, nitrogjen dhe fosfor, për të cilat shkencëtarët nuk mund të japin ndonjë përgjigje, pasi që nuk dinë nëse këto oqeane, nëse ekzistojnë, kanë në përbërjen e tyre edhe këta përbërës. 

(Kosova Sot)