Ja çka ndodh pas vdekjes, sipas shkencës!

  • 24 July 2017 - 16:32
Ja çka ndodh pas vdekjes, sipas shkencës!

Edhe pse zakonisht për vdekjen më shumë diskutohet në aspektin metafizik, ajo që ndodh me trupin tuaj pas vdekjes ka gjithçka të bëjë me shkencën dhe, kryesisht, nuk është mjaft tregim i këndshëm.

Një video e bërë nga “AsapScience” shpjegon procesin i cili fillon menjëherë pas vdekjes, e deri në etapat e fundit të kalbjes së trupit.

Në botë çdo minutë vdesin rreth 100 njerëz.

Orët e para pas vdekjes

Menjëherë pas vdekjes, pas disa sekondave, vjen deri te harxhimi i shpejtë i oksigjenit dhe, për shumë pak kohë, qelizat e trurit rrisin aktivitetin e tyre në maksimum. Por, më pas vjen deri te “fikja” (vdekja) e tyre, gjë që rezulton me pushimin e prodhimit të hormoneve të nevojshme për rregullimin e funksioneve të ndryshme në organizëm, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Vjen deri te relaksimi i muskujve, duke përfshirë edhe sfinkterët (mund të vijë deri tek urinimi dhe jashtëqitja). Si mungesë e qarkullimit të gjakut, vjen deri te zbehja e lëkurës. Meqë gjaku nuk qarkullon (pasi zemra ka pushuar së rrahuri), graviteti e tërheq gjakun në pjesët e poshtme të trupit, ku formohen njollat.

Tri deri gjashtë orë pas vdekjes, vjen deri te shtangimi i kufomës. Kalciumi del nga qelizat dhe lidhet me muskujt, për çka vjen deri te forcimi i tyre. Trupi mbetet i shtanguar për 24 - 48 orë. 

Disa ditë pas vdekjes

Kufoma, nëse nuk është balsamosur, tanimë ka filluar që të kalbet. Për shkak të mungesës së oksigjenit dhe rritjes së përqendrimit të dyoksidit të karbonit, vjen deri te plasja e membranave qelizore, duke liruar citosolin. Citosoli përmban proteina dhe enzima, të cilat zbërthejnë indet përreth, bashkë me ndihmën e më shumë se 100 trilionë mikroorganizmave. Më pas, bakteret anaerobe fillojnë t’i hanë organet e brendshme, duke çuar deri te kalbja dhe era e keqe. Mizat e mishit më pas fillojnë që të vendosin larva në mishin e kalbur, ku larvat ushqehen me këtë mish derisa të piqen. Më pas vjen kalbja e thatë e kufomës, e cila mund të zgjasë deri në një muaj.

Një vit pas vdekjes

Ajo që mbetet nga trupi konsumohet nga bimët dhe kafshët gjatë viteve në vazhdim, bile edhe eshtrat. Kjo ndodh nëse trupi lihet në mëshirë të fatit, pra nuk varroset. Me këtë rast, molekulat riciklohen në natyrë.

Çka ndodh kur jemi duke vdekur?

Me anë të një videoje, Shoqata amerikane e kimisë shpjegon se si ndryshon kimia e trurit duke filluar nga momenti para se t’ju vrasë një vrasës me sëpatë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Së pari do ta ndieni një frikë intensive, gjë që është pjesë e reagimit evolutiv, i cili ju përgatit që të reagoni, apo të ikni. Vjen deri te shtimi i sekretimit të adrenalinës, e cila përshpejton rrahjet e zemrës, i mpreh ndjenjat dhe ofron qasje ndaj sasive tepër të mëdha të energjisë, me qëllim të mbijetimit.

Nëse ia dilni që të ikni nga sulmuesi me sëpatë, atëherë me gjasë do të filloni të bërtitni. E, nëse sulmuesi ju godet, atëherë me gjasë do ta ndieni një dhembje të hatashme. Neuronet e quajtura nociceptorë, e dërgojnë mesazhin në tru. Këto sinjale mblidhen nga pjesa e trurit, e quajtur talamus, i cili “i thotë” pjesës tjetër të trurit që të bëjë çka të jetë e mundur që të mos përsëritet lëndimi. Por, truri vazhdon që të punojë. Pas një rritjeje të madhe të funksionit të trurit, gjë që mund të shoqërohet me gjendjen e vetëdijshme, vjen deri te vdekja biologjike.

(Kosova Sot)