A janë rrëmbimet nga alienët përjetime të vërteta, apo vetëm një lloj ëndrre?

  • 12 August 2017 - 09:36
 A janë rrëmbimet nga alienët përjetime të vërteta, apo vetëm një lloj ëndrre?

Studimet e reja konfirmojnë se ekzistojnë disa ngjashmëri midis tregimeve për rrëmbime nga alienët dhe me ato të paralizës së gjumit

Ankthet halucinogjene nga disa studiues klasifikohen edhe si lloje të ëndrrave lucide.

Historia e rrëmbimit nga alienët

Fenomeni i rrëmbimit nga alienët është i pranishëm për më shumë se gjysmë shekulli, ku raporti i parë është shënuar në vitin 1957. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Me gjasë gara hapësinore midis SHBA-së dhe BRSS-së kishte bërë që të shkruheshin shumë libra rreth qenieve jashtëtokësore, kështu që lindi edhe fenomeni i takimit me alienë, apo edhe i rrëmbimit nga ta. Por, kjo vetvetiu nuk e përjashton mundësinë që rrëmbimet nga alienët të jenë të vërteta. Me miliona të tërë të amerikanëve pretendojnë se kanë qenë të rrëmbyer nga alienët.

Paraliza e gjumit

Çdo natë, gjatë fazës REM të gjumit, muskujt tonë sikur paralizohen, duke mos reaguar ndaj impulseve nervore të trurit. Ky mekanizëm i sigurisë na mbron që të mos veprojmë fizikisht derisa shohim ëndrrat. Kjo paralizë quhet atonia REM. Disa njerëz e përjetojnë atë çdo natë, të tjerët mund të mos jenë të vetëdijshëm kurrë për ekzistimin e saj. Të qenit i zgjuar gjatë atonisë REM, quhet paralizë e gjumit. Njerëzit tentojnë të lëvizin, por më kot. Ajo mund të zgjasë nga disa sekonda, deri në disa minuta. Por, ku është lidhshmëria e saj me alienët?

Halucinacionet gjatë paralizës së gjumit

Sikur përvoja e paralizës së gjumit të mos ishte mjaft shqetësuese, ajo mund të shoqërohet edhe me halucinacione të frikshme. Duke u munduar ta shpjegojë gjendjen e paralizës së gjumit, mendja fillon të trillojë lloj-lloj situatash, duke përfshirë edhe interpretimet religjioze dhe kulturore.

Halucinacionet rreth rrëmbimit nga alienët

Me zhvillimin e shkencës dhe literaturës përgjatë shekujve, ashtu janë zhvilluar edhe bindjet tona. Më parë e përmendëm momentin kur lindën pohimet për rrëmbim nga alienët. Shumë prej tyre kanë karakteristika të ngjashme dhe të përbashkëta:

·                     Ndodhin natën, duke e zgjuar personin nga gjumi.

·                     Viktima ndihet tërësisht e paralizuar.

·                     Viktima ka një ndjenjë të madhe të frikës.

·                     Një i huaj hyn në dhomë dhe lëvizë në drejtim të viktimës.

·                     I huaji e sulmon viktimën, apo ia shtyp gjoksin.

·                     Kjo ndodh derisa personi t’i kthehet gjumit të plotë, apo zgjimit të plotë.

Sikur që e shihni, rrëmbimi nga alienët paska shumëçka të përbashkët me paralizën e gjumit. Në anën tjetër, ëndrrat lucide janë ato ëndrra kur personi e di se është duke ëndërruar. Kjo mund ta ulë dukshëm nivelin e frikës dhe të ankthit te ai. Bile, ai mund të ndikojë edhe në rrjedhën e ëndrrës. Ka njerëz që takimin me alienë dhe rrëmbimin nga ta e përshkruajnë si përvojë të këndshme.

Flutura, “fëmija” i deles dhe cjapit?!

Quhet Flutur dhe është i vogli i një deleje dhe një cjapi. Natyrisht, nuk është flutur-flutur, por një krijesë që ka disa elemente të kecit dhe disa të tjera të qengjit. Kjo është shënuar në një kopsht privat zoologjik në Arizona. Priscilla Motola dhe djemtë e saj javën e kaluar kishin shkuar për t’i ushqyer kafshët e kopshtit të tyre zoologjik, kur e kishin parë kecin-qengj, duke menduar se ishte një kec i rëndomtë, i sapolindur. Por, më pas atyre iu kujtua se asnjëra nga dhitë nuk ishte shtatzënë, të gjitha ato sapo kishin lindur. Ata panë se për kecin e çuditshëm nuk përkujdesej asnjëra nga dhitë, por një dele. Ata konstatuan se delja sapo kishte lindur. As që e kishin ditur se ajo ishte shtatzënë. E kishin parë se ishte fryrë paksa, por mendonin se ishte vetëm nga ushqimi. Keci-qengj, që në fakt është i gjinisë femërore, u emërtua Flutur (Butterfly), për shkak të larave të tij, në formë të fluturës. Në pjesën e përparme (koka), ai duket si cjap, kurse trupin dhe leshin e ka të një qengji. Ai tanimë është bërë një atraksion i vërtetë.

A e kishin ndërtuar nazistët një bazë sekrete në Hënë?

 Historia e nazizmit është plot me intriga dhe konspiracione pa përgjigje, të cilat ende mundojnë mendjet e shkencëtarëve dhe kërkuesve. Teknologjia e tyre dukej tepër e përparuar për atë kohë, kështu që shpeshherë dëgjohet pyetja, mos vallë ata ia kishin dalë ta krijonin një bazë sekrete edhe në Hënë? Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ka pasur spekulime se Hitleri kishte një program të zhvilluar hapësinor. Kjo ka bërë që, te një rreth i caktuar i njerëzve, edhe UFO-t të lidhen me nazistët. Aty thuhet se UFO-t janë fluturake naziste, të cilat kanë mbijetuar edhe pas luftës botërore, në bazat e tyre sekrete në Antarktik, Amerikë të jugut dhe në SHBA. Këto pohime bazohen në disa të dhëna shkencore:
 
•      Rajhu i Tretë kishte marrë nën kontroll territorin e Antarktikut, të quajtur “Swabia” e re, ku në vitin 1938 kishte bërë një ekspeditë dhe planifikonte edhe të tjera.
 
•      Rajhu i Tretë kishte bërë kërkime shkencore në teknologjinë shtytëse, duke përfshirë edhe raketat.
 
•      Disa UFO të parë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fakt mendohet se ishin fluturake sekrete naziste.

Krijesa tmerruese e Enfildit

Natën e 25 prillit të vitit 1973, një djalë i vogël me emrin Greg Garrett ishte duke luajtur në oborrin e tij në Enfild, Ilinoi, kur ai u sulmua. Nuk u sulmua nga ndonjë njeri, apo kafshë të njohur deri më atëherë, e as tani, por ajo “krijesë” ia kishte bërë atij këpucët copë e grimë dhe e kishte lënë duke qarë. Vetëm disa minuta më pas, një banor lokal me emrin Henry McDaniel kishte hapur derën e shtëpisë së tij, pasi që kishte dëgjuar një gërvishtje të lehtë. Ai me këtë rast pa atë që më pas do të quhej Krijesa tmerruese e Enfildit. Përshkrimet e djaloshit dhe të Henry-t ishin pak a shumë të ngjashme: “Tmerri” kishte një trup të shkurtër, jo më shumë se 1.5 metra dhe kishte tri këmbë. Ai kishte edhe duar të shkurtra, të forta, të cilat mbaronin me kthetra. Ai ishte i mbuluar me lesh, por i lëmuar dhe kishte sy të kuq në rozë. Henry i tmerruar kapi pushkën dhe gjuajti disa herë, me ç’rast krijesa kishte lëshuar një ulërimë si të maces së egër. Ai ishte i bindur se e kishte kapur me të shtënën e parë, por kurrë nuk u gjet ajo krijesë, as e gjallë, e as e ngordhur. Kurrë mos u gjettë!

(Kosova Sot)