< Gjyqi i fundit kundër shtrigave në Angli - Planeti X - Kosova Sot
 Gjyqi i fundit kundėr shtrigave nė Angli

Gjyqi i fundit kundėr shtrigave nė Angli

Kur mendoni se është zhvilluar për herë të fundit një proces gjyqësor kundër një shtrige në Angli? Në shekullin XVI, XVII, apo në vitin 1944?
Në shtator të vitit 1944, pra në shekullin XX, në Angli u zhvillua procesi i fundit gjyqësor kundër një femre, të akuzuar se ishte shtrigë. Ishte Kurora kundër Jane Rebecca Yorke-ut. Kjo e fundit akuzohej dhe, më pas, u dënua për shtatë pika të akuzës, se “pretendonte të ndikonte që shpirtrat e të vdekurve të ktheheshin në kohën e tashme”, bazuar në Aktin e Magjisë, të vitit 1735. Yorke ishte një fallxheshë lokale, që vepronte në Londrën lindore. Ajo u arrestua në flagrancë, pas një seance të mbajtur me dy policë të veshur me rroba civile. Ajo u dënua me një dënim simbolik, pasi që premtoi se më nuk do të merrej me punë të tilla. Por, dënimi ishte i vogël edhe për shkak të moshës së saj të shtyrë, 72-vjeçare.


Si ishte dikur?


Natyrisht, ky proces gjyqësor nuk ishte i tillë, sikur ata që ishin zhvilluar në të kaluarën, në kohën elizabetiane, p.sh. Asokohe, akuzat në fjalë merreshin me më shumë seriozitet dhe se a ishte dikush shtrigë, a shtrigan, konstatohej në bazë të disa pyetësorëve tepër të dyshimtë, të përpiluar nga Kisha. Pjesa më e madhe e të akuzuarve ishin femra dhe pjesa më e madhe e tyre vdiqën në mënyrë të tmerrshme. Shpesh akuzat bazoheshin vetëm në dallime të vogla, sipërfaqësore në paraqitjen apo shprehitë e tyre.


Rasti i parafundit


Më interesant sesa rasti i fundit kur në Angli u gjykua një shtrigë ishte rasti i parafundit, i cili u zhvillua vetëm disa muaj më parë, po ashtu në vitin 1944. Ishte ky rasti i Kurorës kundër Helen Duncan-it. Duncan, e cila ishte më e njohur me emrin Blic Shtriga, ishte personi i fundit që u burgos bazuar në aktin kundër magjisë, të vitit 1735. Ajo vuajti nëntë muaj burg për shtatë pika të akuzës, si konspiracion, shkelje e ligjit dhe bezdisje e publikut.
Ajo nuk ishte e panjohur për drejtësi, meqë ishte arrestuar të paktën edhe dy herë më parë, për krime të ngjashme. Në nëntor të vitit 1941, ajo udhëtoi për në Portsmuth, Angli, ku informoi të pranishmit rreth fundosjes së një anijeje ushtarake britanike. Më pas u mor vesh se këtë lajm e kishin ditur me qindra veta, por Duncan vetëm kishte përsëritur thashethemet që i kishte dëgjuar, duke i siguruar vetes një famë të madhe. Kjo bëri që ajo të vihej nën një vëzhgim të rreptë të autoriteteve. Në janar të vitit 1944 ajo u arrestua gjatë një seance të rreme me shpirtra. Meqë në gjykatë u vërtetua se ajo nuk ishte gjë tjetër, pos një mashtrueseje, Duncan u dënua me nëntë muaj burg, si dhe duke premtuar se më nuk do të merrej me gjëra të tilla.


Përfundimi


Disa thonë se vdekja e saj ishte misterioze, por të tjerët shtojnë se, për shkak të mbipeshës dhe moshës, Duncan kishte një shëndet shumë të keq dhe vdekja e saj nuk ishte vështirë të parashikohej.
Në vitin 1951, akti i magjisë u zëvendësua nga akti i mashtrimit të falltarëve, i cili vazhdoi të vlente deri në vitin 2008. 

(Kosova Sot)

22 orë e 17 minuta më parë