Marko Polo kurrë nuk ka qenë në Kinë?

  • 29 July 2015 - 15:01
Marko Polo kurrë nuk ka qenë në Kinë?

Detari i famshëm, Marco Polo, me gjasë kurrë nuk ka shkuar më larg se Deti i Zi. Këtë tezë të guximshme e ka paraqitur vite më parë Frances Wood, shefja e repartit kinez të Bibliotekës britanike në librin “A ka shkuar Marco Polo në Kinë". Ajo këtë e kishte konfirmuar me faktin se Polo askund nuk kishte përmendur zakonin e shtrëngimit të shputave të këmbëve te femrat, Murin kinez, çajin, kaligrafinë...

Frances Wood ka shtuar edhe se, në pronën të cilën e kishte lënë familja e Polo-s, nuk ekziston asnjë objekt nga Kina. Me këtë tezë pajtohet edhe Daniel Petrela, arkeolog nga Napoli, i cili theksin e vë te pasaktësitë në përshkrimin e invazionit të planifikuar të Kublai kanit në Japoni, në vitin 1274 dhe në vitin 1281. Ka edhe shumë të tjerë që thonë se, përkundër faktit që Marco Polo konsiderohet si kronist, i cili Perëndimit mesjetar ia paraqiti njërin ndër rrëfimet më interesante rreth Lindjes së largët, ai tërë këto rrëfime i kishte treguar duke u bazuar në atë që i kishin treguar të tjerët që e kishin vizituar këtë pjesë të botës, derisa vetë kurrë nuk kishte qenë atje.

(Kosova Sot)