Vallëzimi me dreqin

  • 30 July 2015 - 22:52
Vallëzimi me dreqin

Vajza sa mundej më shpejt bënte detyrat e saj të shtëpisë. Ishte nata e saj e maturës, por rreth 70 vjet më parë në një qytet në Kingsvill, Teksas. Vajza ishte tepër e ngazëllyer rreth mbrëmjes, rreth vallëzimit. Për këtë rast, ajo kishte blerë një fustan të kuq, të ri, meqë e dinte se ai do t’i rrinte për mrekulli. Kjo mbrëmje duhej të ishte më e mira në jetën e saj.

Më pas, nëna e saj hyri në shtëpi, me një fytyrë të zbehtë, por me qëndrim të përkushtuar.

"Ti nuk do të shkosh në atë mbrëmje", tha nëna e saj.

"Por, pse?", tha vajza e habitur.

"Sapo bisedova me priftin. Ai tha se vallëzimi do të bëhet për dreqin. Ta ndaloj absolutisht shkuarjen në mbrëmjen e maturës", ishte e vendosur nëna.

Vajza bëri me kokë, sikur të pajtohej me fjalët e nënës. Por, ajo në të vërtetë ishte e përkushtuar që të shkonte në mbrëmje. Sapo nëna e saj u habit, ajo veshi fustanin e kuq si gjaku dhe vrapoi teposhtë rrugës, deri te salla e vallëzimit “K.C. Hall”, ku mbahej mbrëmja.

Sapo ajo hyri në dhomë, të gjithë djemtë u kthyen për ta shikuar. Ajo u turpërua nga kjo vëmendje. Rëndom, djemtë as që e shikonin atë. Nëna ndonjëherë e akuzonte se mezi priste ta gjente një të dashur. Por, atë mbrëmje ajo nuk kishte nevojë për të qenë e dëshpëruar, e as për ta lutur ndokënd. Djemtë e klasës së saj kishin filluar të grindeshin mes vete, rreth asaj se kush do të vallëzonte me të.

Më pas, ajo u largua nga turma dhe shkoi ta merrte një pije. Ajo dëgjoi një shushurimë të papritur. Muzika u ndal. Kur u kthye prapa për të shikuar, pa një mashkull të pashëm, me flokët e zinj si futa dhe me rroba po ashtu të zeza, por elegante, që qëndronte afër saj.

"Vallëzo me mua", tha ai.

Ajo ishte aq e hutuar dhe e mahnitur nga bukuria e atij mashkulli, saqë mezi tha një "po", me gjysmë zëri. Muzika papritmas u dëgjua sërish. Ata filluan të vallëzonin. Vajza kurrë nuk e kishte ditur se dinte të vallëzonte aq mirë. Të gjithë filluan t’i shikonin. Ishin në qendër të vëmendjes.

Më pas ai filloi ta sillte vajzën gjithnjë e më shpejt. Ajo filloi të mbetej pa frymë, por ai nuk ndalej. Donte t’ia bënte me dije se nuk mund të duronte më, por ai nuk donte t’ia dinte. Ajo filloi të ndiente nxehtësi në shputat e këmbëve. Dukej se toka ishte duke u shkrirë nën këmbët e saj. Por, ai vetëm sa e rriti shpejtësinë e sjelljes. Papritmas, një re pluhuri u krijua rreth tyre, ashtu që u bënë të padukshëm për të tjerët.

Kur pluhuri ra poshtë, vajza më nuk ishte aty. Mashkulli në të zeza ulëriu, duke shikuar turmën dhe, edhe ai u zhduk.

Si dukej, prifti kishte pasur të drejtë. Ky me të vërtetë ishte një vallëzim me dreqin. Apo, ndoshta, vetëm një ëndërr e një nate vere. 

(Kosova Sot)