Çka do të na tregojë vajza misterioze, 13.000 vjet e vjetër ?

  • 30 July 2015 - 21:10
Çka do të na tregojë vajza misterioze, 13.000 vjet e vjetër ?

Ekspertët meksikanë kanë ndërmend ta zhvarrosin tërë skeletin e vajzës, e cila kishte vdekur 13.000 vjet më parë, kur kishte rënë në një shpellë në Meksikë dhe zbulimi i së cilës mbështet teorinë se njerëzit në Amerikë kishin shkuar së pari nga Azia.

Arkeologia Pilar Luna thotë se, tani për tani, nga shpella e mbushur me ujë, janë nxjerrë vetëm një dhëmballë dhe një pjesë e brinjëve të vajzës, njofton AP.

Pasi që të nxirret, skeleti i vajzës së pari do të studiohet, e më pas do të ekspozohet, sipas të gjitha gjasave në muzeun e shtetit meksikan Kintana Ru, ku edhe është gjetur, thotë Luna, e cila më pas ka shtuar sesi ekspertët kanë gjetur edhe mbetjet e 26 kafshëve, duke përfshirë edhe një tigër dhëmbëshpatë, disa tapirë (lloj kafshe) dhe arinj gjigantë, por se ende ka nevojë të studiohen këto mbetje. Skeleti i kësaj vajze, që është quajtur Naja, sipas najadave, nimfave ujore nga mitologjia greke, është gjetur rastësisht në vitin 2007. 

(Kosova Sot)