Gjithçka rreth statujës satanike në Detroit

  • 31 July 2015 - 09:17
Gjithçka rreth statujës satanike në Detroit

Bafometi është perëndi pagane, që lidhet me shumë grupe okultiste. Vendosja e statujës së tij ka tronditur shumë njerëz, por e ka shtruar edhe pyetjen: deri ku arrin liria fetare?

Një grup prej më shumë se 700 personash ishin mbledhur në një depo të vjetër industriale në Detroit, në atë që është quajtur ceremonia më e madhe publike satanike në histori. Pjesa më e madhe e tyre ishin satanistë, pjesëtarë të kultit i cili veten e paraqet si “grupacion religjioz”. Të tjerët kishin shkuar aty për shkak të kureshtjes.

Shkak i këtij tubimi ishte zbulimi i një statuje të madhe të bronztë të Bafometit, krijesës mitike me trup njeriu, e me kokë të cjapit, i cili pas shumë shekujve është bërë simbol i satanizmit.

Çka simbolizon Bafometi?

“Bafometi simbolizon bashkimin e parimeve të papajtueshme, gatishmërinë që të pranohen, bile edhe të preferohen dallimet”, thotë Jex Blackmore, e cila e kishte organizuar këtë tubim. Në një aspekt, statuja në fjalë paraqet test për pluralizmin amerikan dhe sfidon pyetjen se deri ku mbërrijnë liritë fetare. Blackmore kryeson Tempullin astanik, i cili ka degë të veta në Finlandë, Florida, Itali dhe Mineapolis. Selia është në Nju Jork, por dega e Detroitit është më e madhja dhe më e vjetra. Blackmore, e cila shërbehet me pseudonim, për shkaqe të sigurisë, thotë se organizata e saj, pak a shumë, është një kishë, rreth të cilës janë tubuar ata që kanë mendim të njëjtë. Sipas ueb-sajtit të kësaj organizate: “Tempulli satanik i përmbahet parimit kryesor, se vuajtja është e keqe dhe se, çdo gjë që e zvogëlon vuajtjen, është e mirë. Ne nuk besojmë në të keqen simbolike”.

Nuk besojnë në shejtanin

Ajo që është më me rëndësi, ky grup nuk e promovon besimin te Shejtani, personalisht. Sipas tyre, shejtani është abstraksion, apo figurë letrare, e jo diçka tjetër. Ai, sipas tyre, është simbol i racionalizmit, skepticizmit, lirisë së të shprehurit, bile edhe i çmimit të madh personal.

Si duket, vendosja e statujës së Bafometit është reagim i satanistëve ndaj vendosjes së përmendores së krishterë, ku janë të shkruara dhjetë urdhrat e Zotit. Kjo përmendore është vendosur në pronë shtetërore, gjë që pjesëtarët e Tempullit satanik e kanë kritikuar ashpër.

“Nëse të krishterët munden ta theksojnë besimin e tyre në pronë publike, atëherë pse nuk mundemi edhe ne?”, thonë ata.

Autoritetet shtetërore kanë refuzuar vendosjen e statujës së Bafometit përballë asaj të Dhjetë urdhrave, por Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se edhe përmendorja e krishterë është e paligjshme.

Edhe pse në teori mund të duket çdo gjë e qartë në lidhje me kushtetutën amerikane, e cila lejon liritë fetare, derisa shteti nuk është i lidhur me asnjë fe, në praktikë kjo del të jetë shumë më e komplikuar edhe pse, në këtë rast, më shumë kemi të bëjmë me një anti-fe, sesa me ndonjë fe.

(Kosova Sot)